Çela, nga Franca në ekipin Shpresa
Semiran Çela, futbollisti 19-vjeçar, që luan me Angers, në Kategorinë e Dytë franceze, duket se e ka kaluar me sukses provën testuese në përbërje të ekipit kombëtar Shpresa. Në ndeshjen e organizuar dje nga trajneri Artan Bushati, futbollisti i ri Çela vuri në provë bagazhin e vet tekniko-taktik dhe për 90 minuta tërhoqi jo pak vëmendjen e specialistëve që ishin të pranishëm në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë. Interesimi për këtë provë testuese ishte i madh, pasi trajneri Bushati kishte përzgjedhur këtë herë mbi 20 futbollistë të rinj që luajnë në ekipet evropiane, nga ku do të përzgjedhë edhe elementët më të spikatur që i duhen për të plotësuar Shpresën. U pa qartë se Semiran Çela është njëri prej tyre, i cili vlerat e tij si talent i ka treguar edhe në përbërje të ekipeve U-17 dhe U-19. Por në takimin e djeshëm Çela tregoi në lojë se ka pësuar një progres të madh duke u shprehur plot fantazi si mesfushor pas dy sulmuesve kryesorë. Në fakt, talenti Çela është produkt i shkollës dinamovite të futbollit shqiptar dhe këtë ai e pohon me respekt kur flet për Dinamon dhe trajnerin e tij të parë, Andrea Markon. 19-vjeçari është larguar drejt Francës para 6 vjetëve dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Shatërusë e Brestit dhe së fundi me të rriturit e Angers. Ky ekip në përfundim të fazës së parë rendite në katërshen më të mirë të Kategorisë së Dytë dhe, sipas Çelës, ka synim të rendite në tre ekipet e parë që e ngjisin një kategori më lart. Futbollisti Semiran Çela që dëshiron të bëjë emër si Lorik Cana tregon se si idhull të vet ka Lionel Mesin. Ai dëshiron që karrierën e vet ta ketë të lidhur pazgjidhshmërisht me Shpresën dhe Kombëtaren e Shqipërisë. “Jam shumë i kënaqur që munda të vij të testohem nga trajneri Artan Bushati, i cili një kërkesë të tillë ma ka bërë edhe më parë”. Kështu deklaron i riu Çela, i cili nuk e fsheh kënaqësinë që në këtë testim të fundit luajti krahas disa lojtarëve me perspektivë të përzgjedhur nga trajneri Bushati.