E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e sprasme të Berishës

Kemi parë se pas verdiktit të 23 qershorit, Vaterlosë së Berishës, dy kanë qenë sfidat e tij të spikatura që e shfaqin atë si një politikan i vendosur dhe që po vendos një standard të ri. Së pari, ai mbylli të ardhmen e lidershipit të PD, duke ia dorëzuar stafetën e vazhdimësisë ‘delfinit’ të tij Basha dhe së dyti po mban, me sa mundet, në një angazhim pozitiv administratën e lartë shtetërore, në këtë moment paniku dhe vere të nxehtë. Pavarësisht egoizmit të natyrshëm dhe objektivave shpeshherë antipopullore në përfitim të pakicave të jashtme dhe të brendshme të orkestruara nga z.Berisha, sa herë që ai ka pasur pushtet e ndikim mbi qeverisjen në këto 23 vjet, duhet parë me kureshtje dhe me siguri edhe si një model aktiviteti risi i tij i veçantë në këto 2,5 muaj pas 23 qershorit. Edhe pse z.Berisha nuk është një hero dhe patriot në masën që ai kërkon të paraqitet, për këto dy akte të tij, s’besoj se ka logjikë të kundërshtohen nga një mendje e ftohtë. Sovraniteti i një lideri është në varësi edhe të fuqisë së kombit të tij politik në rajon e më gjerë, fuqi e cila nuk lidhet absolutisht me momente të shkurtra qeverisjeje, sado optimale të kenë qenë ato.
Në një pozitë të tillë ka qenë pas shpalljes së rezultatit paraprak edhe Fatos Nano, në verën e vitit 2005, veçse me një ndryshim të vogël. Ndërsa z.Nano bëri sikur humbi dhe e transferoi me skemë pushtetin djathtas, duke i lënë të shkulura e të lira litarët e institucioneve vendimmarrëse mbi procesin zgjedhor sa la të habitur atëbotë edhe z. I. Celibashi, z.Berisha humbi më 23 qershor vërtet thellë, ashtu siç nuk e kishte parashikuar. Gjithsesi, më 2005 z.Nano u tregua moskokëçarës për ecurinë e lidershipit të PS në muajt në vazhdim si dhe ecurinë e administratës qeverisëse deri në shtator të këtij viti dhe e braktisi angazhimin e tij institucional në të dyja këto drejtime. Me këto veprime z.Nano tregoi indiferencë vrastare in extremis si edhe një mungesë vlerësimi për PS, që ishte një aset i politikës së deriatëhershme në Shqipëri. Po kështu ai tregoi për disa muaj një indiferencë për të mbajtur në optimumin e veprimtarisë së vet administratën qendrore dhe atë lokale të lidhur me të. Madje në detyrën e tij si kryeministër në vitin 2004-‘05 z.Nano më tepër u soll si një ministër i Jashtëm shëtitës. Një indiferentizëm i tillë ndaj një angazhimi ligjor që ai kishte, natyrisht që e prezantoi mbylljen e karrierës politike aktive të z.Nano me një sfond aspak serioz, si figura e një “kryefamiljari” që nuk pyet shumë për familjen e vet në një moment të vështirë dhe ai shqetësimet mbi ecurinë e të ardhmen e kësaj familje i vendosi pas kënaqësive të veta egoiste, të mbytura në xhinin e resorteve të Vjenës dhe nën kalamendjen e nepseve të një dhëndëri të ri. Kjo ka qenë arsyeja se përse në kohën e tij korrupsioni ka qenë galopant, i shpërndarë në të gjitha entet e prokurimit publik dhe abuzimi me fondet e investimeve publike e me fondet e shpenzimeve operative shpeshherë renditej te shifrat e 25-30%. Nëpërmjet prokurimit të përqendruar korrupsioni u ul në përqindje dhe u përqendrua rreth një stafi shumë familjar me z.Berisha.
2. Z.Berisha, si një ish-komunist i vjetër, i ngjitur me durim centimetër pas centimetri në strukturat e fuqisë së PPSH, por edhe në nivelet e larta profesionale si mjek, me aftësitë e vendosmërinë e vet të patundur dhe jo me ndihëm e familjes së vet biologjike, ka treguar se nuk është nga ata që u largohet përgjegjësive sipas shprehjes “Mbas meje le të bëhet qameti”. Dhe këtë e tregon realiteti aktual. Ai punoi me dorë të hekurt që të mos e lejonte PD të kaplohej nga anarshizmi prej demokracisë së kulluar duke larguar disa nga aplikuesit për kandidatë për kryetar. Ai përzgjodhi dy kandidatë që nuk kishin shans, të paktën për momentin, të bëheshin “atvrasës”, pasi ata të dy, si z.Basha ashtu edhe z.Olldashi ishin pjesë e qeverisjes së 8 vjetëve, modelin e së cilës qytetarët e ndëshkuan më 23 qershor në mënyrë plebishitare. Në aparencë zgjedhja e të dy kandidatëve ishte e logjikshme: të dy të rinj, njëri me origjinë gege e tjetri me origjinë toske, njëri me origjinë nga familje myslimane e tjetri nga një familje ortodokse e përzierë, njëri me formim arsimor të lartë nga fakultetet perëndimore e tjetri me formim nga shkolla shqiptare.
Tashmë dihet se perceptimi paraprak para zgjedhjes (emërimit) së kryetarit të ri të PD prej opinionit të gjerë publik për një rezultat të paravendosur mbi fituesin (z.Basha), sidomos pas prononcimeve të disa ish-figurave të larta politike të PD pas mbylljes së procesit, u bë një realitet. Nuk e dimë se sa do të ndikojë në sjelljen e ardhshme politike dhe në pavarësinë e z. Basha ky fakt i emërimit në krye të PD nga mentori i tij, nisur edhe nga presioni i pritshëm të rrethit drejtues ndaj tij, për shkak të një koracimi me njerëz të afërt të familjes Berisha në pozicionet e tjera të strukturave të larta të PD, veprim i cili pritet të ndodhë në ditët në vijim. Me këtë sjellje, z.Berisha tregoi se ai e sheh PD si një ndërmarrje biznesi me një aksioner të vetëm dhe të tjerët do të jenë thjesht, duke filluar nga CEO (Chief Executive Officer) e deri tek administratorët më të vegjël qendrorë e lokalë, të punësuar të cilët flaken kollaj jashtë nga dora e familjes Berisha. Ndoshta, përkundër skenarit të mbështetjes deri në fund të z.Basha, në kokën e z.Berisha ekziston edhe ndonjë skenar i fshehtë sipas modelit të 4-5 familjeve kryesore politike greke për të lënë pas 4 vjetësh edhe si CEO një anëtar të familjes së tij fizike. Askush nuk mund të qeshë me një ambicie të tillë të guximshme plotësisht të mundshme për mendjen e skifterit të pangopur me pushtet, z.Berisha.
3. Nga ana tjetër, z.Berisha po përpiqet këto kohë të mbrame që ai është në krye të Qeverisë shqiptare, të japë një model pozitiv - ndryshe nga ai i z.Nano, i cili ia delegoi për një kohë gati 1-vjeçare mandatin e tij zv.kryeministrit N.Dokle - të moslëshimit të shtetit në duart e anarshisë dhe rastësisë. Edhe pse ai mundet që këtë kohë ta shfrytëzojë edhe për ndonjë retushim të marrëdhënieve, sidomos me vektorë të fuqishëm e hatërmbetur ndërkombëtarë institucionalë apo mafiozë, të cilët mund të luajnë një rol në të ardhmen e trajtimit në gjykata të çështjeve kundër tij, siç është Gërdeci, vrasjet e 21 janarit, “vetëvrarja” ndaj Kosta Trebickës, flirti për ujërat me Greqinë dhe varrezat e ushtarëve grekë të rënë në kohën e Luftës së Dytë Botërore me Italinë etj, sipas modelit që shumë militantë e analistë po e kërkojnë me ngulm, prapëseprapë stoicizmi i tij risi pas humbjes, është për t’u lavdëruar dhe këtë standard do ta kenë shumë të vështirë ta kalojnë pas disa vjetësh kur të lëshojnë pushtetin drejtuesit e majtë. Kështu, me dyshim mund të shihet edhe vendimi i diskutueshëm për futjen e disa mijërave tonë të mbetjeve teknologjike të rinovueshme nga Greqia dhe Italia. Ka mundësi se kjo kontratë mund të jetë kalkuluar në përfitim të bizneseve të riciklimit, të cilat flitet se kanë lidhje me familjen e z.Basha dhe përfitimet e pritshme financiare nga ky veprim do të jenë asete financiare për rrethin e tyre për të vazhduar betejat e ardhshme politike në vend. Në rastin më të keq, ka gjasa që këto vendime mund të kenë lidhje edhe me mafian ndërkombëtare për ta përdorur, nëpërmjet këtij ligji, tokën tonë si një varrezë për mbetjet teknologjike të rrezikshme dhe qeveria mavi&rozë e ka për detyrë kontrollin rigoroz të këtyre mbetjeve që do të hyjnë në Shqipëri. Duke pasur parasysh marrëveshjen e heshtur treshe për dërgimin e z.Meta te z.Rama më 1 prill dhe, kësisoj, dorëzimin e pushtetit tek e majta me skemë, ka pak gjasa që z.Berisha të ngacmohet nga drejtësia, duke i dhënë edhe z.Rama një sjellje e tillë shumë guxim për të qeverisur me dorë të fortë, pa u shqetësuar se dikush pas tij do ta ngacmojë ta hetojë aktivitetin e tij, veprim i cili mund të krijojë një papërgjegjshmëri të lartë te sjelljet e lidershipit politik të Shqipërisë.
Gjithsesi, akti pozitiv i fundit risi që do të luante z.Berisha, do të ishte pa dyshim, dorëzimi me ceremoni zyrtare i Kryeministrisë si edhe i çdo dikasteri nga ministrat e tij. Ky moment lipset të shihet nga të gjithë politikanët dhe zgjedhësit si një moment i rigjallërimit të shtetit e jo si një ditë zie për PD, përndryshe kështu do të mohohej vetë sistemi politik me rrotacion e me shumë parti politike që kemi zgjedhur prej 23 vjetësh, nëpërmjet të cilit rritet konkurrenca dhe cilësia e qeverisjes. Gjithashtu, edhe suksesorët e majtë të pushtetit nuk ka se përse ta shohin këtë moment si një triumf dhe shpërblim për opozitën e tyre të gjatë dhe, aq më tepër, si një revansh ndaj akteve personale që mund të jenë ndërmarrë ndaj tyre në momente tensionesh politike në 8 vjetët e qeverisjes Berisha, por si një moment reflektimi për të përmirësuar cilësinë programore të qeverisjes, standardet e shtetit të së drejtës dhe menaxhimin e fondeve publike dhe të mos harrojnë që ata janë aty të përkohshëm e do të vijë një ditë kur dikush tjetër do t’i zëvendësojë ata po njëlloj. Sistemi politik në vend ka nevojë të përmirësohet dhe liderët që ikin kanë mundësi t’u japin leksion atyre që vinë, me qëllim që edhe këta të ecin përpara me të njëjtën mënyrë e kësisoj vendi ynë të operojë si një demokraci funksionale. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›