E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditmir Bushati: “Nuk është momenti për të bërë kërkesën për anëtarësim në BE”

Flet Ditmir Bushati, përfaqësues i organizatës “Lëvizja Europiane në Shqipëri”, rreth nismës së qeverisë për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE

“Tani nuk është momenti i duhur për qeverinë shqiptare që të paraqesë kërkesën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Ky është mendimi i ekspertit të çështjeve të integrimit dhe njëherësh drejtuesit të Lëvizjes Europiane në Shqipëri, zotit Ditmir Bushati. Në një intervistë të dhënë për gazetën, ai pohon se ky hap mund të ndërmerrej më parë, kur kishte shumë faktorë në mbështetje, ndërkohë që tani vendi ndodhet shumë pranë zgjedhjeve parlamentare. Në bisedën me zotin Bushati renditen të gjithë faktorët që e bëjnë të vështirë, në mos të pamundur, paraqitjen e kërkesës zyrtare nga ana e Shqipërisë për anëtarësim në BE gjatë presidencës çeke.
Përse u vonua kaq shumë procesi i nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit? Cilët ishin shkaktarët e këtyre vonesave?
Që nga momenti i nënshkrimit, deri te ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit përllogaritet një kohë prej 32 muajsh. Në momentin që ratifikohet, Marrëveshja hyn në fuqi ditën e parë të muajit pasardhës. Por mendoj se nuk është e rëndësishme kohëzgjatja e ratifikimit. Duke e krahasuar me vendet e tjera rezulton se Qipros i janë dashur 4 muaj, Kroacisë 39 muaj. Ndërsa për Shqipërinë llogaritet rreth 36 muaj. Në këtë kontekst, koha është relative. Më e rëndësishme sesa koha është cilësia e reformave. Ne kemi dy precedentë. Shqipëria ngeli në nivel negociatash 3 vjet e gjysmë. Dhe kjo për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe cilësisë gjysmake të reformave. Nëse ju kujtohet, fillimisht shërbyen si test për autoritetet e Brukselit zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005, dhe sërish ata vendosën testin e radhës, ecurinë e reformave. Tashmë ratifikimi është një rezultate, por nuk është qëllim në vetvete.

A mendoni se Shqipëria i ka standardet e kërkuara për të aplikuar si vend kandidat? A është momenti i duhur për të aplikuar?
Praktikisht është shumë e vështirë që një vend të jetë 100% gati. Mendoj se aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të konsiderohet si incentivë, por jo si qëllim në vetvete. Kjo do të thotë se duhet shoqëruar me rezultate të prekshme. Do të kishte qenë shumë më mirë që qeveria ta bënte aplikimin që në kohën e presidencës sllovene, konkretisht në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Në atë presidencë u bënë dy ratifikime të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit me Serbinë dhe Bosnjën. Po ashtu, Shqipërisë iu bë ftesa për anëtarësim në NATO në prill të vitit të kaluar, dha rezultate të prekshme bashkëpunimi politik mes opozitës dhe maxhorancës. Në këtë mori zhvillimesh BE-ja miratoi edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këto zhvillime opozita nuk kishte pse të kundërshtonte kërkesën e bërë nga qeveria për anëtarësim në BE.
Mbi të gjitha, qeveria kishte mundësi t’i tregonte Bashkimit Europian se ka kohën e duhur për të arritur rezultate, 18 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
A jemi gati tani? Mendoj se së pari duhet të kihet parasysh progres-raporti i nëntorit të vitit 2008, ku në gojën e komisionerit për Zgjerimin, Oli Rehn, u artikulua vlerësimi për reformat, qoftë në Shqipëri, qoftë në vendet e rajonit se “gota është gjysmë bosh, gjysmë plot”. Po ashtu, ndodhemi përballë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, të cilat janë konsideruar nga përfaqësuesit e BE-së si testi kryesor për ecurinë e integrimit të vendit. Kësaj panorame u bashkohen edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e medias, kthimin dhe kompensimin e pronave, krimin e organizuar, korrupsionin etj. Mes tyre pritet të merren në konsideratë edhe qëndrimet e Këshillit të Europës, Britanisë së Madhe apo vendeve të tjera perëndimore për ligjin e lustracionit, apo ndonjë zhvillim tjetër të kritikueshëm në vend. Për BE-në vazhdojnë të mbeten prioritet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratë etj. Në këtë kontekst, progresi është goxha i nuancuar. Në morinë e çështjeve që merren në shqyrtim në momentin e aplikimit është edhe mënyra se si është zbatuar marrëveshja e përkohshme mes BE-së dhe qeverisë shqiptare, e cila tashmë ka hyrë në fuqi. Pas shqyrtimit të kësaj panorame mendoj se kërkesa për anëtarësim në BE është një hap i vonuar. Qeveria nuk i ka nisur parapërgatitjet për këtë proces dhe duket se nuk ka hyrë as në axhendën e presidencës çeke të Bashkimit Europain. Por, nëse Tirana zyrtare paraqet kërkesën dhe kjo do të rrezohet, atëherë kjo do të shkaktojë probleme. Nëse miratohet, atëherë Komisioni Europian paraqet një pyetësor.
Nëse do të shohim vendet fqinje që e kanë kaluar këtë procedurë, që nga përgatitja e ftesës dhe deri në marrjen e statusit të vendit kandidat, Kroacisë i janë dashur 14 muaj, ndërsa Maqedonisë 21. Po ashtu nuk është e rëndësishme që të marrësh një përgjigje, por që të ketë edhe një datë ky proces.

Viti 2009 është përcaktuar nga Komisioni Europian si viti i Ballkanit. Çdo të thotë kjo? Çfarë përfitimesh pritet të kenë Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit?
Viti 2009 është realisht shumë i rëndësishëm. Të gjitha vendet e rajonit kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit; kanë marrëveshje për lehtësimin e vizave dhe atë të ripranimit me Bashkimin Europian. Gjatë 2009-s do të shihet gjithashtu mundësia se cila nga vendet do të përfitojë një regjimi i liberalizuar i vizave, cilat vende do ta marrin statusin e vendit kandidatit, se cili nga vendet do të përfitojë nga programet e bursave për studime në universitetet e BE-së. Do të ketë vende ku hyjnë në fuqi marrëveshjet e stabilizim-asocimit. 2009-a pritet që të qartësojë edhe perspektivën europiane të Kosovës dhe do të përcaktojë raporte të reja edhe me Serbinë. Mendoj se këto zhvillime janë të bollshme për të thënë se 2009-a është viti i Ballkanit.

Ju drejtoni një organizatë që merret me procesin e integrimit. A mendoni se qeveria shqiptare i ka plotësuar kushtet për të përfituar lehtësira për lëvizje më të lirshme në vendet e BE-së? Nëse shikoni të meta në zbatimin e kushteve të vëna nga BE-ja, ku duhet të veprojnë institucionet shqiptare për të riparuar defektet?
Për realizimin e liberalizimit të vizave janë kërkuar që të zbatohen 42 standarde, të cilat janë ndarë në katër kapituj, që kanë të bëjnë: Siguria e dokumenteve; Migracioni dhe Ripranimi; Rendi dhe siguria; si dhe Të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë. Komisioni ka bërë vlerësimin e parë dhe e ka miratuar më 24 nëntor. Sipas analizave të bëra nga ekspertët e BE-së, është bërë një grupim. Vendi më i përparuar në rajon është Maqedonia, sepse ka një zbatim më të mirë të reformave. Në vendin e dytë janë Serbia dhe Mali i Zi. Në vendin e fundit është Shqipëria dhe Bosnja. Shqipëria dërgoi një dokument shtesë në janar, me shpresë për të përmirësuar situatën dhe për të përfituar nga politika e liberalizimit të vizave. Tani do të ketë një vlerësim në terren, pasi Komisioni Europian do të sjellë ekspertët në Shqipëri për të parë se si janë zbatuar standardet e kërkuara.
Në muajin qershor do të ketë një vlerësim të dytë nga Komisioni, i cili më pas do t’i propozojë Këshillit që të vendosë se cilat vendet do të kalojnë në listën pozitive të Shengenit. Këtu do të merren në vlerësim një sërë reformash. Por duhet thënë se kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike nuk janë emetuar akoma. Në momentin që do të hidhen në përdorim, do të shihet edhe besueshmëria e procesit. Mendoj se mbetet një pikë tejet problematike menaxhimi i integruar i kufijve. Për të marrë në konsideratë liberalizimin e vizave shqyrtohen edhe treguesit e refuzimit të aplikimeve të shqiptarëve nëpër ambasadat e vendeve të BE-së për vizë “Shengen”. Kjo duhet të jetë në nivelin 3%, ndërkohë që në Shqipëri refuzimet kanë arritur në 20%. Këtyre fakteve u shtohen edhe korrupsioni, krimi i organizuar etj. Së fundi, do të ishte një histori suksesi në rast se Shqipëria do të përfshihet në listën e vendeve që do të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Bisedoi: Albert Gjoka

Vizat, ekspertët do të verifikojnë kartat dhe pasaportat biometrike

Sapo të hidhen në qarkullim kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, ekspertët e Komisionit Europian do të bëjnë testimin e tyre. Burime për gazetën pohojnë se ky proces është planifikuar që të bëhet në kuadër të reformave që duhet të zbatojë qeveria shqiptare për të përfituar nga politika e liberalizimit të vizave, që pritet të ndërmarrë BE-ja në muajin qershor të këtij viti. Këtij procesi u janë nënshtruar edhe vete të tjera të rajonit. Mënyra e përgatitjes së dokumenteve të identitetit, cilësia dhe siguria e të dhënave, janë ndër kërkesat kryesore të Brukselit për vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përfitojnë lehtësira në lëvizjen e shtetasve të tyre në vendet e komunitetit europian.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›