E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Shqipëria është në pozita turpëruese në KE”



Eljona Ballhysa
Zëvendësimi i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës ka nxitur debate të ashpra midis opozitës dhe maxhorancës gjatë seancës së djeshme parlamentare. Deputetët e opozitës e kanë cilësuar të turpshme pozitën në të cilën ndodhet delegacioni shqiptar në KE. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, akuzoi kryetaren e Kuvendit për situatën e krijuar si dhe për shkelje të procedurave parlamentare. Sipas Leskajt, e gjithë situata prish imazhin e Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe dëmton proceset integruese. Topalli nga ana e saj bëri të ditur se Ilir Rusmali është zgjedhur në vend të Biberajt për të kryesuar delegacionin shqiptar në KE dhe hodhi poshtë akuzat për shkelje të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa deputetët e tjerë të maxhorancës e cilësuan kërkesën për shkarkimin e Biberajt një çështje të brendshme të PD-së.
Opozita
“E kërkova fjalën për pozitën turpëruese në të cilën ju e keni vënë Shqipërinë dhe shqiptarët në Këshillin e Europës. E kam fjalën për vendimin tuaj të fundit lidhur me përfaqësimin e Shqipërisë në KE, që, për fat të keq, e nisi sesionin e parë të këtij viti me një precedent absurd për Shqipërinë. Mbrëmë, në mbledhjen e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të KE-së dhe sot, në hapjen e seancës së parë të Asamblesë, janë diskutuar kredencialet e delegacionit shqiptar në atë organizëm. Sot, në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së është vendosur që delegacioni shqiptar të futet në status tranzitor për shkak se është shkelur rregullorja e parlamentit lidhur me përbërjen e delegacionit”, - është shprehur Leskaj, ndërsa e cilësoi të paprecedent një vendim të tillë. Sipas saj, ky përbën një precedent jo vetëm turpërues për imazhin, por edhe të rrezikshëm për vendin, për proceset integruese. “Ju keni shkelur rregulloren e parlamentit me rastin “Biberaj”, po natyrisht që shqetësimi ynë nuk ka të bëjë me emrin në fjalë. Shqetësimi ynë është nëpërkëmbja e parlamentit dhe vënia e vendit në një pozitë qesharake në sytë e botës dhe kjo është një kosto që nuk e paguani ju, shkaktarët e kësaj situate groteske, por shqiptarët. Sot, kryeministri ka folur për komunizmin në botë, në fakt ky veprim mund të krahasohet me ato të Zhirinovskit në Këshillin e Europës”, - është shprehur Leskaj. Ajo tha se PD-ja nuk mund të përdorë parlamentin dhe KE-në për të zgjidhur inatet apo problemet e brendshme.
Maxhoranca
Fill pas fjalës së Leskajt, ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila i ka cilësuar mashtrime deklaratat se KE-ja ka ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar. Topalli bëri të ditur se edhe gjatë ditës së djeshme, delegacioni shqiptar ka votuar në komisionet e Asamblesë së KE-së. Ndërsa përsa i përket Rregullores së Kuvendit, ajo tha se nuk e ka shkelur atë pasi për shkarkimin e Biberajt është konsultuar me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së. Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi, i bëri thirrje opozitës të mos përfshihet në çështje të brendshme të maxhorancës.
“Është absurd qëndrimi i PS-së. I bie që unë të dal dhe të them: ndërroni kryetarin e opozitës se nuk më pëlqen. Keni tri ditë që merreni me një temë që s’është e juaja dhe që s’është temë e shqiptarëve. Shqipëra ka shumë probleme për të zgjidhur. Ju jeni në mjerimin tuaj pasi nuk keni tema. Askush prej nesh s’mund të diskutojë për kompetencat e kryetarit të Kuvendit. Kryetarja është në të drejtën e saj në këtë rast”, - është shprehur Patozi.

Ambasadori Uidhers interesohet për marrëdhëniet e Shqipërisë me Këshillin e Europës

Çështja “Biberaj” dhe statusi i Shqipërisë në Këshillin e Europës ka qenë objekt diskutimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, gjatë takimit që ka zhvilluar dje me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Uidhers mësohet të ketë marrë informacion nga kreu i shtetit mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Këshillin e Europës, debatet e fundit në skenën e politikës shqiptare mbi kërkesën për shkarkimin e zotit Biberaj si dhe zbatimin e ligjit të lustracionit. Midis të tjerave, palët kanë biseduar edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat Uidhers është shprehur se përbëjnë kusht për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Gjatë bisedës, Presidenti Topi i shprehu ambasadorit Uidhers urimet për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të intensifikohen e forcohen më tej nën drejtimin e Presidentit Obama. Presidenti Topi i ka shprehur ambasadorit amerikan vendosmërinë për angazhimin e tij për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-ve në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. “Shqiptarët i mbeten mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese, por edhe integruese të vendit tonë”, - ka thënë Presidenti Topi gjatë takimit. Kryetari i Shtetit ka nënvizuar se kjo miqësi historike mes dy vendeve i nxit shqiptarët që të punojnë akoma më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kërkon integrimi euroatlantik. Nga ana e tij, ambasadori Uidhers e ka siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes dhe vëmendjes së administratës “Obama” për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e respektimin e Kushtetutës, institucioneve të pavarura, për luftën kundër korrupsionit dhe për funksionimin e shtetit ligjor.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›