Komisioni i Ekonomisë miraton uljen e sigurimeve shoqërore
Jonida Tashi
Miratohet ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje disa ndryshime në projektligjin “Për sigurimet shoqërore”. Projektligji parashikon ndryshime të rëndësishme në masën e kontributit, e cila paguhet nga punëdhënësi për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, meqenëse reduktimi i masës së kontributeve do të japë efekte në uljen e kontributit në pesë degët e sigurimit, ai do të ketë efekte edhe në uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore të personit të vetëpunësuar. Sipas dikasterit të Financave, qëllimi i këtij projektligji është lehtësimi i veprimtarisë së subjekteve nga barra e kontributeve, duke krijuar mundësitë për rritjen e numrit të kontribut-paguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, shmangien e veprimtarisë joformale dhe krijimin e raporteve më të drejta në zërat e shpenzimeve, me synimin e deklarimit të pagave e të shpërblimeve.
Skema
Pas miratimit të vendimit për uljen e masës së kontributeve, ekspertët e Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore kanë paraqitur skemën e re të kontributeve duke filluar nga data 1 maj e këtij viti. Projektligji i ri, i miratuar tashmë, parashikon që duke filluar nga data 1 maj, masa e kontributit të sigurimit shoqëror, në përgjithësi, të ulet me pesë njësi, duke kaluar nga 29.5 për qind në 24.5 për qind dhe duke reduktuar kontributin në të gjitha degët. Kështu, bazuar në normat ekzistuese për degën e sëmundjeve, shpenzimet zënë rreth 40 për qind të të ardhurave, në barrë-lindje 60 për qind të të ardhurave, në degën e papunësisë dhe të aksidenteve rreth 50 për qind të të ardhurave, ndërsa në degën e pensioneve ato nuk i mbulojnë shpenzimet dhe për këtë ndërhyhet nga buxheti i përgjithshëm me subvencion, i cili do të vazhdojë të jetë prezent edhe për disa vite të ardhshme.
Reduktimi
Reduktimi i normës së kontributeve do të ketë efekt ekonomik të dyanshëm. Nga llogaritjet e Ministrisë së Financave vlerësohet se ulja e kontributeve me 5 njësi do të ketë një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të vitit 2009 me rreth 4 miliardë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas dikasterit të Financave, ky efekt negativ do të kompensohet përmes rritjes së interesimit të të punësuarve dhe punëdhënësve, për t’u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër, rritjes së interesimit për t’u siguruar do të duhet t’i paraprihet edhe me masa të tjera institucionale, organizative dhe shtrënguese, të cilat do të formalizojnë tregun dhe do të rrisin treguesit e akumulimeve ndaj prodhimit të brendshëm bruto, duke ruajtur dhe forcuar qëndrueshmërinë financiare të sistemit dhe duke mos rrezikuar pagesën e pensioneve. Efekti financiar i përllogaritur në buxhetin e shtetit vlerësohet të jetë 4 miliardë lekë.
Masa
Masa aktuale e kontributit të sigurimit shoqëror që paguhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit për të pesë degët e sigurimit është 29.5 për qind e pagës bruto. Për efekt të pagesës në fondin e sigurimeve shoqërore, masa e përgjithshme e kontributeve, pra 29.5, ndahet ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësve. Punëmarrësit paguajnë kontribut në masën 9.5 për qind të pagës bruto, ndërsa punëdhënësit 29 për qind të kësaj page. Për personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e papaguar të familjes, të cilët jetojnë e punojnë me personin e vetëpunësuar, për arsye të mosmbulimit të degës së sëmundjeve, aksidenteve dhe të papunësisë, masa e kontributit është 26.2 për qind e pagës bruto, minimale, dhe paguhet totalisht nga personi i vetëpunësuar. Përveç sigurimit shoqëror, punëdhënësit, personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit paguajnë edhe kontribute të sigurimeve shëndetësore dhe konkretisht; të punësuarit 3.4 për qind të pagës bruto, ndërsa të vetëpunësuarit 7 përqindëshin e pagës minimale të caktuar nga qeveria. Edhe në këtë rast, për efekt pagese, kontributi i të punësuarit ndahet ndërmjet tij dhe punëdhënësit në raportet 50 për qind me 50 për qind, ndërsa i vetëpunësuari e përballon totalisht vetë këtë kontribut.
Përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore
Sistemi i sigurimeve shoqërore në vend ofron mbrojtje për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, në rast të pakësimit të të ardhurave, për shkak të sëmundjes, barrë-lindjes, për moshë madhore, për shkak invaliditeti apo në rast vdekjeje, për shkak të aksidenteve në punë dhe për papunësinë.
Shpenzimet për sistemin e sigurimeve shpenzohen nga kontributet e personave, juridikë e fizikë, dhe kontributet e shtetit, për kategori të veçanta punonjësish, të cilat administrohen, në mënyrë të ndarë, në pesë degët e sigurimit.
Gjithashtu, shpenzimet e skemës mbulohen edhe me financime shtetërore, në rast të rritjes së pensioneve më shumë se indeksi vjetor i çmimeve ose nga subvencione të tjera, të domosdoshme, për shkak të balancimit të të ardhurave me shpenzimet, kur kontributet nuk mjaftojnë.
Për këtë arsye dhe në bazë të rezultatit financiar të çdo dege sigurimi në tre vitet e fundit, reduktimi i masës së kontributit do të efektojë të gjitha degët, duke prekur sa më pak degën e pensioneve, e cila mbetet deficitare.
Skema me kontributet e reduktuara
Reduktimi i normës së kontributeve me 5 për qind ndahet sipas tabelës:
Degët e sigurimit Totali i masës së kontributit
Ishte Bëhet Reduktimi
Për paaftësi të 0.8 0.3 0.5
përkohshme
Për barrë-lindje 2.3 1.4 0.9
Për pensione 23.9 21.6 2.3
Për aksidente 0.5 0.3 0.2
Për papunësinë 2.0 0.9 1.1
TOTALI 29.5 24.5 5
Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4 0
Shuma 32.9 27.9 5
Skema e re e kontributeve
Kontributi sipas degëve të sigurimit dhe ndarja ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit parashikohet të ketë skemën e mëposhtme:
Degët e sigurimit Për të punësuarit Të vetëpunësuarit
Totali Punëdhënësi Punëmarrësi
Për paaftësi të 0.3 0.12 0.18
përkohshme
Për barrë-lindje 1.4 0.57 0.83 1.4
Për pensione 21.6 8.81 12.79 21.6
Për aksidente 0.3 0 0.3
Për papunësinë 0.9 0 0.9
TOTALI 24.5 9.5 15 23
Sigurimi shëndetësor 3.4 1.7 1.7 7
Shuma 27.9 11.2 16.7 30
27 Janar 2009