E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Me Obamën do të forcohen marrëdhëniet Shqipëri-SHBA”



Kryeministri Sali Berisha premtoi përpara ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe do të vazhdojë luftën e saj ndaj krimit të organizuar. “Dua të garantoj këtu përfaqësuesit e komunitetit të vendeve të lira, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe BE-së se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë me dinjitet të plotë si qytetarë të këtij komuniteti, në respekt të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, në një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulave të tij kudo që ato të shtrihen”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ai e vlerësoi zgjedhjen e Obamës si president të 44-t të SHBA-ve si një ditë historike për të gjithë botën. Berisha shprehu bindjen se Presidenti Obama do të jetë një mik i mirë për Shqipërinë dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve do të forcohen edhe më tej. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të njohin një dimension të ri. Dua të siguroj Presidentin Obama se qeveria ime mbetet thellësisht e vendosur për një bashkëpunim të ngushtë dhe të thellë për të dhënë kontributin e saj modest në të gjitha fushat. Unë kam bindjen më të thellë se te Presidenti Barak Obama shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar dhe se në administratën e tij punojnë miqtë më të mirë të kombit shqiptar: zëvendëspresidenti Joe Biden, ish-senatorja Hillari Klinton, tani sekretare e Departamentit të Shtetit, këshilltari për Sigurinë Kombëtare James Johns, por edhe shumë personalitete të tjera në të gjitha nivelet e kësaj administrate. Ndaj në perspektivën dhe në mendimin tim, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të njohin dimensione të reja të fuqishme”, - u shpreh kryeministri.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›