Rama: “Obama, një shembull që duhet ndjekur”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në forumin e djeshëm tha se zgjedhja e Presidentit Barak Obama përbënte një rilindje të re jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për botën. “Miqtë e Amerikës që rilindi me zgjedhjen e Barak Obamës dhe që prej 20 janarit mban para syve vlerat e saj themelore në çdo hap që hedh, duhet të përshtaten me ndryshimin thelbësor që po vihet çdo ditë në jetë nga Presidenti i ri, i cili po ribën Amerikën, duke e rikthyer nga shembulli i forcës, në forcën e shembullit”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha se Shqipëria duhet të meritojë miqësinë e SHBA-ve duke ndjekur shembullin e saj. “Miqësinë e Amerikës ne duhet ta meritojmë tash e mbrapa, duke bërë shembullin e saj të ri në një pikë referimi në rrugën e vështirë të demokratizimit të vendit tonë dhe duke jetësuar me pasion patriotik parimet e vlerat e panegociueshme të lirisë e demokracisë. Për të qenë miq të denjë të Amerikës së Barak Obamës, ne s'mund t'i lejojmë vetes zgjedhje të rrezikuara, institucione e autoritete kushtetuese të kërcënuara, media të dhunuara. Për të nderuar Shqipërinë, respektuar ndjenjën e thellë të miqësisë së shqiptarëve e shqiptareve ndaj Amerikës dhe përkatësinë e tyre të megjithëzemër në krahun e duhur, ne duhet të modernizojmë shtetin e demokratizojmë pushtetin, duke bërë politikën gjithnjë e më shumë një instrument në duart e qytetarëve. Në këtë moment, Amerika na mëson se është bashkimi i qytetarëve të thjeshtë, përtej kufijve të vjetër të politikës së politikanëve, që mund të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar në jetën e një vendi të gjithsecilit. Kriza ekonomike, papunësia e varfëria, prapambetja e më të shumtëve dhe dëshpërimi i përgjithshëm social, janë një gjendje që nuk mund të ndryshojë përveçse si rezultat i vullnetit e bashkimit të të keqqeverisurve, për të refuzuar rimandatimin e një politike të vjetër dhe për mandatuar një politikë të re”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama..
27 Janar 2009