E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i agjit-propit me integrimin



Sa herë vijnë zgjedhjet, maxhorancat qeverisëse përpiqen të fitojnë maksimalisht kapital politik për çdo vlerësim apo vizitë zyrtarësh, qoftë ky edhe më i parëndësishmi. Gjatë këtyre viteve nuk i ka shpëtuar instrumentalizimit apo shpërdorimit politik elektoral as integrimi, i cili, në jo pa raste është përdorur në mënyrë bajate nga qeveritë e majta apo të djathta. Ky fenomen nuk ka pse të mos ndodhë tani, kur na ndajnë edhe 6 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare. Madje qeveria ka nisur ta aplikojë një skemë të tillë që në fund të vitit të kaluar, kur kryeministri deklaroi se gjatë presidencës çeke do të paraqesë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo deklaratë vjen nxitimthi, pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga parlamentet e 27 vendeve të BE-së, proces ky që duhej të ishte mbyllur me kohë.
Për të kaluar këtë etapë të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit, maxhoranca aktuale ka pasur në shumicën e rasteve mbështetje konstante nga ana e opozitës, gjë që nesër kjo nuk do t’i japë dorë për justifikim qeverisë “Berisha”. Nëse Tirana zyrtare nuk do të kalojë testin e radhës me BE-në, tashmë shkak nuk do të jetë mungesa e vullnetit politik, por reformat e parealizuara; dështimi në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo mosrespektimi i lirisë së medias, apo pavarësia e Gjyqësorit. Kjo maxhorancë, sidomos gjatë këtyre muajve, ka regjistruar jo pak pakënaqësi te faktorët vendimmarrës në procesin e integrimit të vendit tonë, apo edhe partnerët e tyre në Shqipëri. Prandaj nuk do t’i vlejë as qeverisë dhe as maxhorancës aktuale, në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, që të fitojë kapital politik me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Këtë kartë duket se nuk do t’ia dhurojnë Berishës as vetë krerët e institucioneve të BE-së, të cilët janë shprehur të vendosur se nuk do të tolerojnë në zbatimin e standardeve. Prandaj, kjo qeveri, klasa politike, por edhe gjithë shoqëria shqiptare, duhet ta shohin e vlerësojnë realisht stadin në të cilën ndodhet vendi ynë, progresin që është bërë dhe mundësitë reale që ka vendin për t’u integruar në familjen e zhvilluar europiane. Ballafaqimi ka filluar tashmë, por jo me standardet e politikës shqiptare. Hyrja në fuqi e MSA-së është vetëm fillimi i një marrëdhënieje të re, e cila do të jetë testi më i mirë për të kuptuar se sa pranë Europës jemi.

Shënim: Gazeta fton ekspertët për të marrë pjesë në forumin me temë: A i ka arritur standardet Shqipëria që të paraqesë kërkesën për anëtarësim në BE? Mendimet dhe opinionet tuaja mund t’i dërgoni në adresën: kryeredaktoralbania@yahoo.com

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›