E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Politikanët që nuk mbajtën premtimet para shqiptarëve nuk meritojnë të votohen



Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë i ftuar të marrë pjesë në një nga mbledhjet e Bordit Qytetar të qytetit të Elbasanit. Rama ka bashkëbiseduar me anëtarët e këtij bordi për problemet që kanë ata në komunitetet e tyre shoqërore. Kreu i selisë rozë ka theksuar se politika tashmë duhet të jetë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Rama theksoi se tashmë ka ardhur koha që fuqia qytetare duhet të jetë aktive për t’i kujtuar komunitetit të votuesve premtimet e pambajtura të politikanëve, të cilët nuk meritojnë të votohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Në rast se një grup njerëzish si ju, që nuk vini nga jeta partiake apo që nuk ju intereson jeta partiake, por që vini nga jeta reale e shtëpisë suaj, lagjes, qytetit, mblidhen bashkë, nuk është absolutisht e thënë, përkundrazi, që ta marrin mikrofonin për të folur për aktualitetin politik të ditës, në kuptimin e serisë së telenovelës ku ndodhemi. Në këtë sens, duhet që të kapërcehet kjo barrierë dhe që hapësira e diskutimit politik të jetë shumë më e gjerë sesa hapësira e ngushtë ku politika bëhet nga zanatçinjtë që quhen politikanë. Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojë të ndryshojë procesi politik dhe politika e politikanëve të merret me çështjet që ngre politika e qytetarëve. Sa më shumë qytetarë ta bëjnë këtë së bashku, aq më shumë ndikojnë në axhendën që ka politika. Një nga gjërat që duhet të përbëjë shqetësim të përbashkët dhe që ne duhet të luftojmë është që t'i japim memorie raportit me ata që marrin votën. Duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar te komuniteti nevojën për të patur memorien lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet t'ua japim votën. Dhe këtë duhet ta bëjnë sa më shumë njerëz, për t'i dhënë një cilësi tjetër marrëdhënies me ata që votohen dhe ato që votojnë, të zgjedhur dhe zgjedhësit. Të zgjedhurit në këtë vend duhet ta kuptojnë çdo herë e më shumë se nuk është më e lehtë, por bëhet gjithmonë e më e vështirë, që të marrësh votën në rast se nuk ke dëshmuar se je në gjendje të bësh ato që thua”, - tha Rama gjatë takimit të djeshëm në Elbasan.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›