E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Berisha të mbajë përgjegjësi për zgjedhjet



Partia Demokristiane ka kërkuar dje që kryeministri Berisha të marrë përgjegjësitë që ka për të realizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që të jenë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe që të garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sekretari Politik i kësaj partie, Lazër Stani, gjatë një konference për shtyp bëri të ditur se Kodi Zgjedhor u miratua me nxitim dhe me frymë militantizmi nga PD-ja dhe PS-ja, ndaj dhe u kthye për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës. “Partia Demokristiane gjykon se tani që Kodi Zgjedhor po rimerret në shqyrtim për t’i bërë ndryshimet e kërkuara nga Presidenti i Republikës, Partia Demokratike ka rastin të dëshmojë angazhimin dhe përgjegjësinë e saj kushtetuese, si forca kryesore politike e maxhorancës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Siç është bërë tashmë e qartë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm nga greva e urisë e dhjetë deputetëve të djathtë dhe të majtë, por edhe nga kritikat e analizat e konstitucionalistëve dhe ekspertëve të pavarur, Kodi Elektoral, i miratuar me nxitim dhe militantizëm ekstrem nga PD-ja dhe PS-ja, ka disa shkelje të rënda kushtetuese dhe cenon rendë të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve, nuk garanton barazinë e votës dhe konkurrencën në kushte të barabarta të subjekteve politike”, - është shprehur Stani. Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin për atë që ai e quan përpjekje të PD-së dhe të kryeministrit Berisha për t’ia faturuar përgjegjësinë për hartimin e kodit elektoral Partisë Socialiste. “Neutraliteti i kryeministrit dhe i PD-së përballë kontestimeve të Kodit të ri Elektoral dhe krizës politike që krijoi hartimi i një kodi që përjashton nga procesi i administrimit të votës PDK-në dhe forcat e tjera politike, jo aleate me PD-në dhe PS-në, vë në rrezik zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe i bën ato të kontestueshme, ende pa u mbajtur, duke krijuar një kosto politike të rëndë dhe të panevojshme për Partinë Demokratike dhe kryeministrin”, - ka konstatuar Stani. Në emër të PDK-së, Stani i ka kërkuar kryeministrit Berisha të heqë dorë nga deklaratat demagogjike dhe të marrë përgjegjësitë kushtetuese për garantimin e votës së lirë të qytetarëve.

Bumçi: “PS-ja, kundër ligjit të dosjeve për shkak të konfliktit të interesit”

Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, u shpreh dje gjatë një deklarate për shtyp se PS-ja dhe lideri i saj Edi Rama kanë konflikt interesi ndaj nuk e votojnë ligjin për hapjen e dosjeve. “Edi Rama nuk mund të votojë pro këtij projektligji, sepse ai është nip i një ish-anëtari të Byrosë Politike, i cili ka persekutuar me dhjetëra inxhinierë dhe intelektualë të shkolluar në Perëndim. Ndaj dhe Edi Rama nuk mund ta votojë këtë projektligj, pasi është njësoj sikur të votojë kundër vetvetes”, - është shprehur Bumçi. Më tej ai tha se ky projektligj nuk është një akt hakmarrje, por respekt ndaj viktimave të komunizmit. “Projektligji që do të votohet të hënën në Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të mirët në fushën e lustracionit. Ky është një proces jetik në vendosjen e standardeve demokratike. Projekti nuk është një akt hakmarrje, por një akt respekti ndaj të gjithë viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejta njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar”, - është shprehur Bumçi.

Alibali: “PR-ja në krah të PD-së në zgjedhjet e ardhshme”

Në konferencën rajonale të republikanëve të qarkut të Kukësit, nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, deklaroi se edhe në zgjedhjet e vitit 2009 PR-ja do të jetë përkrah Partisë Demokratike. “Ne jemi forca e dytë e së djathtës dhe synimi i PR-së është lehtësimi i biznesit nga taksat, duke mbajtur peshën që na takon në qeverisje. E vetmja kontradiktë që na ndan nga PD-ja është problemi i pronave dhe për këtë kemi paraqitur në Parlament 25 amendamente, për një pjesë të të cilave kemi gjetur mirëkuptim”, - tha Alibali. Në konferencën rajonale të PR-së të qarkut të Kukësit u kërkua që strukturat shtetërore të mos jenë të mbushura me militantë partiakë, por me specialistë. “Pavarësisht nga mangësitë e vërejtura, është jetike që e djathta të fitojë edhe një mandat të dytë”, - tha Alibali.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›