E Diel, 1 Nëntor 2026

Diveroli e Delijorgji, të njëjtët fishekë

Dy firmat blenë nga Meico municione të vjetra, të përcaktuara si të gatshme për çmontim. Rastësisht apo jo, AEY-ja kërkonte të blinte 100 milionë plumba automatiku, aq sa duhej të shkatërronte firma SAC dhe nënkontraktori i saj, Albademil

TIRANË - Fishekët shqiptarë për të cilët presidenti i kompanisë amerikanë “AEY” do të japë llogari para Kongresit Amerikan, janë të njëjtë me ata që do t’i nënshtroheshin demontimit në Gërdec. Po ndërsa ndërmarrja shtetërore lidhi një kontratë të mirë në prill të vitit të kaluar me Diverolin, ku një fishek fillimisht u shit me 0.022 dollarë, e kundërta ndodhi me kompaninë “SAC”, që nënkontraktoi më pas Delijorgjin, ku një fishek i të njëjtit kalibër, në të njëjtën gjendje e vjetërsi, u shit me 0.0044 dollarë, shumë kjo thuajse e papërfillshme po të krahasohet me shitjen e parë. Një plumb automatiku, prodhim i vjetër kinez e shqiptar, iu shit Efraim Diverolit saktësisht 5 herë më shtrenjtë sesa firmës “SAC” dhe të nënkontraktuarës prej saj, firmës “Albademil” të Mihal Delijorgjit. Lajmi bëhet i ditur dhe konfirmohet nga burime pranë grupit hetimor.

Fishekët e “AEY”-së

Ekspertët e komisionit që përcaktoi çmimin e municioneve për demontim kanë deklaruar në prokurori se në këtë rast është mbajtur parasysh vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili specifikon procedurën për caktimin e çmimeve. Por diferenca e ndjeshme mes çmimit të shitjes që “Meico” realizoi me kompaninë “AEY”-së në muajin prill dhe “SAC” në qershor është një pjesë shumë e vogël e hetimit, po të krahasohet me mashtrimin që i është bërë Pentagonit, i cili kishte kontratë me “AEY”-në. Interesi i Diverolit për të blerë municione në Shqipëri për shkak të çmimit disi të favorshëm u shfrytëzua nga “Meico”, e cila i dha atij një sasi municionesh të prodhuara më shumë se 40 vjet më parë në Kinë, ndërkohë që ligjet amerikane nuk e lejojnë një gjë të tillë. Pikërisht në këtë pikë, prokuroria ka ngritur dyshimin se për të shmangur ambalazhin me gërma kineze, u pajtua firma e Kosta Trebickës të ribënte paketimin, proces ky që dyshohet se “u mbulua” me kërkesën që ripaketimi duhej bërë për lehtësimin e peshës gjatë transportit. Por një kontratë e tillë vazhdoi vetëm për disa ditë, pasi u shfaq si nënkontraktor mes “Meico”-s dhe “AEY”-së firma “Evdin LTD”, e cila bëri rritjen e çmimit nga 0.022 dollarë për fishekë, në 0.004 dollarë. Ky ndryshim çmimi më 17 maj të vitit të shkuar solli në Tiranë Efraim Diverolin, i cili vendosi të shkëpusë marrëdhëniet nga Trebicka, duke vazhduar të njëjtin proces me një firmë tjetër, deri tani të paidentifikuar.

Rastësitë e çuditshme

Por pikëpyetja e madhe mbi të cilën ngrihen dyshime është firmosja e kontratës me kompaninë amerikane “SAC” më 6 qershor të vitit 2007, pra rreth 15 ditë pas përjashtimit të Trebickës nga paketimi i fishekëve. Në kontratën mes ndërmarrjes “Meico” dhe “SAC” parashikohet demontimi i 140 milionë fishekëve, ku 100 milionë fishekë të destinuar për demontim ishin të të njëjtit kalibër (7.62 mm) dhe prodhim me ata të parashikuar në kontratën e shitjes me Diverolin. Por kjo nuk është rastësia e vetme mes kontratave që “Meico” kishte me “AEY” dhe “SAC”.

Në bisedimet fillestare, Diveroli kishte kërkuar të blinte 100 milionë fishekë nga Shqipëria, po e njëjta shifër i jepet dhe “SAC” për të demontuar, dhe municionet kanë të përbashkët të njëjtin kalibër dhe vitin e prodhimit. Por pak ditë para nënshkrimit të kontratës mes “Meico”-s dhe “SAC”, në kontratën që ndërmarrja shtetërore kishte me kompaninë amerikane “AEY” ndodh një ndryshim i menjëhershëm i çmimit, pasi hynë në lojë kompania “Edvin LTD”, me qendër në Qipro. Por menjëherë pas këtij ndryshimi hyn në lojë “SAC”, me një kontratë demontimi, pas së cilës fshihej Delijorgji me firmën “Albademil”. Ndërsa ngelet ende për t’u vërtetuar nëse lidhja mes Henri Tomeit, i cili u shfaq papritur si administrator i “Edvin LTD”, dhe Mihal Delijorgji. Ky i fundit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësisë, gjë të cilën e ka deklaruar edhe në media të ndryshme. Ndërsa dëshmia e Henri Tomeit, i përfolur si person i implikuar në afera të ndryshme me tregtinë e armëve, nuk është marrë ende nga Prokuroria e Përgjithshme, ku po hetohet dosja “Gërdeci”, e cila veç vdekjes së 26 personave nga shpërthimi i 15 marsit, ka hedhur dyshime të forta edhe për afera me tregtinë e paligjshme të municioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›