Në të 40-at e tragjedisë

TIRANË - Ekzaktësisht 40 ditë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, të cilët u përkujtuan dje nga familjarët e tyre, Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk ka përjashtuar asnjërën prej pistave të deklaruara një ditë pas ngjarjes nga kryeprokurorja Ina Rama. Të pyetur lidhur me pistat hetimore, burime pranë prokurorisë thanë se të pesta pistat e deklaruara fillimisht, ku përfshihet dhe ajo e një ngjarjeje të qëllimshme, vazhdojnë të jenë ende pjesë e hetimit. Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka publikuar asnjë detaj për shkakun e vërtetë që solli shpërthimin tragjik të 15 marsit, por burime jozyrtare nga ky institucion herë pas here kanë deklaruar faktin, se shpërthimi erdhi nga saldimi i një karroce që shërbente për transportin e barutit. Në të njëjtin konkluzion mësohet se arritën edhe ekspertët amerikanë të ATF-së, të cilët në një raport paraprak nxorën sërish karrocën si shkaktaren e shpërthimit. Por ky version mesa duket vazhdon të jetë paraprak, pasi jo vetëm që nuk është konfirmuar zyrtarisht, por vazhdojnë të mbeten ende si pjesë e hetimit edhe pista të tjera, si ajo e shpërdorimit të detyrës apo konkurrenca e pandershme mes firmave, si dhe dyshimet nëse e gjithë ngjarja është pasojë e shkeljes së rregullave teknike apo i një veprimi kriminal të kryer me dashje. Pavarësisht se gjatë hetimit i është mëshuar më shumë pistës së një gabimi njerëzor, që ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave dhe sigurisë, prokuroria duket se nuk ka lënë pas dore as pistën e një atentati të qëllimshëm. Megjithëse të dhënat për këtë pistë janë tepër të rezervuara, fakti që nuk ka asgjë zyrtare mbi shkaqet reale që sollën shpërthimin e Gërdecit lë të kuptohet se prokuroria nuk ka ende një përfundim të qartë për çka ndodhi në orën 11.45 në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec.