E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diveroli e Pinari, dyshime për mbështetje të terrorizmit

Autori i Lajmit: Redaksia
Media amerikane i rikthehet çështjes së Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Shqipëria në Afganistan. Fakti i ri i publikuar në New Times, me seli në Majemi, është se kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, i kontraktuari i Diverolit në Shqipëri i ka shitur raketa grupit Hezbollah në Libanin e Jugut.
Sipas të dhënave që ka disponuar kjo gazetë nga burimet shqiptare thuhet se Pinari i ka shitur raketa tokë-ajër Hezbollahut, në kohën kur ai kishte lidhur kontratë me Diverolin.
Lidhjet me terrorizmin
Nuk është e qartë nëse marrëveshja ka ndodhur, pra raketat kanë mbërritur në duart e Hezbollahut, por gazeta amerikane thotë se në rast se kjo ka ndodhur atëherë trafiku i armëve të Diverolit, që deri tani është konsideruar një aferë e paligjshme që shkelte rregullat amerikane, merr përmasa të tjera. Diveroli dhe kompania që kishte kontratë me të në Shqipëri, e drejtuar nga Ylli Pinari tashmë akuzohen për mbështetje të terrorizmit. Gazeta New Times thotë se këto armatime për Hezbollahun, të cilat nuk disponoheshin nga kompania janë blerë nga Ukraina dhe më pas janë shitur për Hezbollahun. Pinari në emër të qeverisë shqiptare ka kërkuar të blejë dhe nga vende si Koreja e Veriut dhe Irani raketa me rreze veprimi 3500 metra me vlerë 4 milionë dollarë, por sipas gazetës ai nuk ka mundur kurrë ti blejë këto armatime. Një tjetër akuzë është se agjencia MEICO e Pinarit ka bashkëpunuar me një firmë izraelite për të bërë kontrabandë armësh dhe për rebelët kongolezë gjatë gjenocidit në atë vend. Në artikullin e New Times thuhet se Shqipëria është vend i NATO-s dhe pakti i kësaj tregtie armësh për Hezbollahun normalisht nuk mund të duartrokitet.
Gazeta New Times
“Në fillim të vitit 2007, pasi fitoi një kontratë me ushtrinë amerikane prej 300 milionë USD për të pajisur Afganistanin me municione tregtari Efraim Diveroli nga Majemi, 21 vjeç nisi të bëjë tregti me Shqipërinë. Atje, ai nënkontraktoi Ylli Pinarin, kreun e agjencisë së armëve shtetërore për të bërë një porosi armatimesh. Pinari dhe Diveroli bashkëpunuan për të ngarkuar porosinë në Afganistan”, shkruan “New Times”. Gazeta shton më tej se, pasi autoritet amerikane shqyrtuan detajet e marrëveshjes, e cila ishte e jashtëligjshme për shkak se amrët vinin nga Kina, ata arrestuan Diverolin, që u shpall fajtor vjeshtën e shkuar për shitjen e armëve kontrabandë. Ai është ende në pritje të dënimit të tij. “Tani një raport shtypi, intervista dhe dokumente të siguruara nga gazeta tregojnë se djaloshi i ri nga Majemi mund të jetë përfshirë në botën e terrorizmit”. New Times shkruan se, gjithçka nisi me 15 mars 2008, kur ndodhi shpërthimi i një depoje demontimi armësh në një fshat në periferi të kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Kështu e përshkruan gazeta, tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 15 persona, e u plagosën më shumë se 300 të tjerë e u shkatërruan me dhjetëra shtëpi e biznese. New Times i referohet gazetave në Ballkan, të cilat shkruajnë se Pinari akuzohet për vrasje masive me anë të shpërthimit. “30 nëntorin e shkuar, gazeta Tema, një gazetë disidente në Shqipëri pretendoi se Pinari i kishte shitur raketa hezbollahut, në kohën që ai ishte kontraktori kryesor i Diverolit. Në të vërtetë në telefonatat e përgjuara në mënyrë sekrete të botuara nga prestigjiozja The New York Times Diveroli i thotë Pinarit: Ose është ai mafia ose mafia e kontrollon atë”, shkruan gazeta amerikane, e cila shton se, është ende e paqartë nëse marrëveshja me Hezbollahun ka ndodhur. Por, nëse ka ndodhur përfshirja e Pinarit dhe Diverolit është shumë më e rëndë sesa është dyshuar deri tani. Duke ndihmuar 21-vjeçarin nga Florida të mashtrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pinari mund të ketë mbështetur gjithashtu terroristët. Sipas New Times, gazetari shqiptar Gjerg Thanasi i ka dërguar gazetës “New Times” kopje të letrave dhe kontratave të marrëveshjeve të raketave. Bëhet fjalë për dy letra që datojnë mars 2006, të cilat Pinari i ka dërguar në adresë të qeverive iraniane dhe Koresë së Veriut. Në to Pinari në emër të qeverisë shqiptare kërkon të blejë municione me vlerë 4 milionë USD, raketa SA-16 dhe SA-18 me rreze veprimi 3 500 metra. Në letrën drejtuar Iranit, ai i kërkon këtij shteti që të gjejë një rrugë më të lirë transporti për 1 mijë kg eksplozivët që ka porositur. Është ende e paqartë çfarë efekti do të kenë këto fakte të reja, në pozitën e Diverolit dhe miqve të tij, David Packouz and Alexander Podrizki që janë shpallur gjithashtu fajtorë për trafikun e jashtëligjshëm të armëve dhe presin dënimin. Ata pritet të shfaqen sërisht në sytë e publikut në seancën e radhës, më 14 shtator, ku një i pandehur i katërt i quajtur Ralph Merrill pritet të dalë në gjyq. Ylli Pinari akuzohet për vrasje masive dhe mjaft krime të tjera lidhur me ngjarjen e rëndë të Gërdecit ku 26 persona mbetën të vrarë dhe dënimi ndaj tij nga autoritetet shqiptare ende nuk është marrë.

Diveroli ju përgjigj 23 pyetjeve
të prokujrorëve shqiptarë

Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, si dhe pronari i fabrikës së çmontimit të predhave Mihal Delijorgji janë personat që pritet të merren në pyetje përsëri mbi dëshminë e dhënë nga Efraim Diveroli në SHBA. Dëshmia e tij mësohet se është marrë nga dy hetues të Prokurorisë federale nën dijeninë e një prokurori amerikan. Ata i lexuan Efraim Diverolit mbi 25 pyetje të shkruara nga prokurorët shqiptarë dhe më pas dëshminë e tregtarit 23-vjeçar të armëve e zbardhën në procesverbalet, të cilat në gjuhën angleze u dërguan në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë dhe pasi u zbardhën iu dorëzuan grupit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia e Diverolit ishte kërkuar që më 11 prill 2008 nga Prokuroria shqiptare pas të dhënave se fabrika e çmontimit në Gërdec kishte lidhje me tregtinë e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan përmes AEY, madje edhe me ndryshimin e ambalazhit të municioneve dhe fshehjen e origjinës së tyre.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›