“Tarraca s’i tremb fëmijët,janë mësuar me lartësitë”
DURRES/ OERD ULQINI
"Rasti im të bëhet precedent? Nuk më intereson për të tjerët, luftën për pronën e kam bërë i vetëm me familjen time dhe për atë do të përpiqem derisa të kem frymë. Nuk dua t'ia di, nëse të tjerët me probleme të ngjashme pronësie më imitojnë, pasi çdonjëri prej pronarëve të vjetër, nëse nuk e ka marrë tërësisht pronën, ka marrë të paktën 80-90% të saj, ose kompensim turistik, ndërsa unë që kam një mal me letra, nuk kam marrë asnjë metër". Këto janë fjalët e Ferit Haxhiut, i cili nënvizon se nuk i intereson fakti, nëse ky akt kërcënimi nga tarraca kthehet në një "modë". "Megjithatë, nëse doni të dini mendimin tim , nuk ma merr mendja që të tjerët do të ndjekin shembullin tim. Nuk kam punë me asnjë tjetër, pasi askush nuk është aq i dëshpëruar sa mua. Jam pronar i vjetër tokash, por nga papunësia, më besoni kam 5 vjet pa paguar dritat. 24 orë përpara se të hipja në tarracë më dhanë ultimatum se, nëse nuk shlyeja faturën e 5 viteve drita, do më presin korrentin. Kjo do të thotë për mua dhe familjen të më presin edhe bukën e gojës". Katër fëmijët e Ferit Haxhiut nuk kanë shkuar në shkollë, derisa të qetësohen "ujërat" e asaj që ndodhi në katin e gjashtë të tarracës së kryeqytetit. Mungesa e tyre është arsyetuar nga prindërit me faktin se fëmijët nuk duhet të vuajnë presionin e bashkëmoshatarëve të tyre. "Sigurisht nuk dua kurrsesi që t'i heq fëmijët nga shkolla. Ata i kanë bërë detyrat e shtëpisë mbrëmë vonë, pavarësisht asaj që ndodhi dhe e kanë me shumë qejf shkollën. Nuk dua kurrsesi të bëhem pengesë, por për momentin delikat që po kalon familja ime, nuk dua që fëmijët të 'bombardohen' me pyetje nga bashkëmoshatarët e tyre, pasi kjo do t'i rëndonte psikologjikisht. Fëmijët e mi janë krejtësisht të qetë dhe sa për kuriozitet, ju them se ata luajnë në një ballkon tek shtëpia e tyre, gjashtë metra të lartë dhe pa rrethim, ndaj janë mësuar dhe nuk mund të traumatizohen nga lartësia, ashtu siç pretendojnë psikologët", u shpreh Feriti. është qetësuar tashmë Ferit Haxhiu dhe nesër pret të dorëzojë te Ministria e Drejtësisë në Tiranë dosjen për pronën që pretendon, së cilës do t'i bashkëngjisë edhe vendimet e gjyqeve pararendëse, të kryera nga vitet 1995-2000. Ata të Ministrisë së Drejtësisë nesër pritet që veç marrjes në dorëzim të dosjes së 50 dynymëve, t'i japin edhe një afat kohor pretenduesit të pronës për një përgjigje paraprake, e cila do të jetë rezultat i hetimit administrativ. I pyetur nga "Panorama" nëse është penduar për atë që kreu, Feriti u përgjigj se ka hipur në majë të tarracës me vetëdije të plotë dhe se nuk ka qenë një vendim i çastit. "Jam në moshë të pjekur dhe baba i katër fëmijëve. Nuk jam adoleshent që të gaboj, është një vendim i bluar vite me radhë në kokë, për kryerjen e të cilit nuk jam penduar aspak, pasi shoh përditë vuajtjet e fëmijëve të mi. Nëse drejtësia nuk do të funksionojë, do të hipi përsëri në të njëjtën tarracë. Vendimin e kam marrë për bukën e ardhshme të fëmijëve", tha Feriti, duke këmbëngulur se do t'i shkojë çështjes së tij deri në fund. Megjithëse ka shpresa që pas reagimit të tij publik, do të ketë një shqyrtim të ri dhe do t'i jepet përparësi shqetësimit.
Haxhiu, në hetim për shtyrje në vetëvrasje mbetur në tentativë
Policia e Tiranës ka nisur hetimin për Ferit Haxhiun, i cili dy ditë më parë kërcënoi mbi tarracën e një pallati përballë Ministrisë së Drejtësisë, se do të vetëvritej bashkë me 3 fëmijët e mitur, në formën e protestës për pronat e tij në Shkozet. Mësohet se akuza e ngritur tashmë ndaj tij dhe që pritet të shkojë në prokurori, është "Shkaktim vetëvrasjeje e mbetur në tentativë", në dëm të tre fëmijëve të tij. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje po merret Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, madje mbrëmjen e djeshme dy oficerë të këtij seksioni kanë marrë në pyetje 52-vjeçarin Haxhiu në shtëpinë e tij në Durrës. Gjatë deklarimeve të tij, mësohet se Haxhiu është shprehur se nuk kishte ndërmend të vriste veten dhe aq më pak fëmijët. Por sipas tij, kjo ishte një protestë për të kërkuar të drejtat mbi pronat, që siç deklaron, i janë vjedhur që në vitin 1993. Ndërkohë, kjo nuk i ka lehtësuar aspak pozitat e tij ligjore, duke qenë se veprimi tij është parë nga opinioni publik dhe nga policia në vendngjarje. Fakti që Ferit Haxhiu ka hipur në tarracën e pallatit 6-katësh, bashkë me 3 fëmijët e mitur dhe ka kërcënuar për më shumë se gjysmë ore se do të hidheshin nga aty, sipas policisë tregon se ai ka konsumuar veprën penale, "Shtyrje në vetëvrasje të mbetur në tentativë", për tre fëmijët e tij. Dosja në ngarkim të 52-vjeçarit nga Durrësi, Ferit Haxhiaj, pritet që sot të dorëzohet në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa aktualisht ai po hetohet në gjendje të lirë nga seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit.