E Diel, 1 Nëntor 2026

Këngëtarja Liljana Kondakçi, gati ekstradimi në Itali

Autori i Lajmit: Redaksia

Nën masa të rrepta sigurie dhe në fshehtësi të madhe, këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi që është arrestuar nga Antidroga greke e Selanikut javën e kaluar është shoqëruar tek Prokurori i Apelit, i cili ka nisur procedurën për ekstradimin e saj në Itali.
Në ditët e ardhshme pritet të mblidhet Këshilli i Gjykatës së Apelit në Selanik, i përbërë nga tre prokurorë dhe në një seancë tipike do të vendoset se si do të veprohet me të. Sipas burimeve policore ylli i muzikës shqiptare që u arrestua me urdhër të Interpolit ka blerë dy shtëpi në lagjen Evozmo në perëndim të Selanikut. Në një prej tyre banon vajza e saj, kurse tjetrën ose e jepte me qira ose banonte vetë. Të njëjtat burime konfirmojnë se pasi agjentët italianë kanë zbuluar sinjalin e telefonit të saj në Selanik, Antidroga e këtij qyteti kishte me se tre muaj që ishte në përgjim të telefonatave të saj, përderisa tashmë Kondakçi nuk ishte me një transportuese e thjeshtë e lëndëve narkotike, por ishte koka e një rrjeti trafikimi, të cilit ajo i jepte urdhra nëpërmjet telefonit. Për herë të parë edhe në shtypin grek publikohet lajmi për arrestimin e këngëtares së njohur shqiptare, e cila madje krahasohet për famën e saj edhe me të mirënjohurën greke Marinela. Sipas së përditshmes Esspreso, por edhe gazetës së mirënjohur Eleftherotipia, Kondakçi, e njohur nga organet italiane të Antidrogës me emrin “La Mamma” ishte e dënuar me tre vjet burg në Itali, pasi u kap me tre kg heroinë në vitin 2006, dhe më pas është liruar me kusht. Interpoli ka dashur që nëpërmjet saj të arrestojë edhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit.
Arrestimi nga Grekët
Ka qenë Policia e Antidrogës ajo që ka ekzekutuar pak ditë më parë urdhrin e Drejtësisë italiane për arrestimin e këngëtares Liljana Kondakçi. Ajo është arrestuar në një banesë të Selanikut, që e kishte marrë me qira. Mediat italiane sollën disa herë në fokusin e tyre çështjen e këngëtares shqiptare duke bërë të ditur se 58-vjeçarja, e konsideruar në Shqipëri si pasuri kombëtare, është përfshirë në rrjetin e trafikut dhe është shpallur person në kërkim ndërkombëtar. Tashmë pritet që Gjykata e Selanikut të marrë në shqyrtim kërkesën për ekstradimin e Kondakçiut për në shtetin italian, nga ku është lëshuar urdhri i arrestimit.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›