E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat: “Kemi të gjitha bonot e Anglo-Adriatikës”

Autori i Lajmit: Lili Saraçi
Raiffaisen Bank disponon të gjitha bonot e privatizimit që qytetarët kanë depozituar vite më parë në fondin Anglo-Adriatika. Burimet zyrtare në këtë bankë kanë bërë me dije se banka ka të gjitha bonot e privatizimit dhe do tua kthejë qytetareve deri në datën 30 shtator të këtij viti. Pra, ata qytetarë që do të shkojnë për të tërhequr bonot brenda kësaj date do tu kthehen ato nga banka. Po sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se shpërndarja e bonove tashme ka filluar që në datën 1 prill, dhe vetëm ditën e djeshme kanë pasur të drejtë të tërheqin bonot edhe qytetarët nëpër rrethe. “Banka disponon bonot, të cilat do tu shpërndahen të gjithë qytetarëve që do të paraqiten brenda periudhës 1 prill-30 shtator. Ndërsa për sa i përket shifrës se sa bono janë shpërndarë aktualisht, këtë informacion banka do ta raportojë mbas datës 30 shtator në Ministrinë e Financave. Di të them që shpërndarja e bonove ka filluar dhe do të vazhdojë deri në datën e lartpërmendur”,- ka pohuar Viola, shefe e Marrëdhënieve me Publikun në Raiffaisen Bank.
Shpërndarja
Bonot e Anglo-Adriatikës kanë filluar të shpërndahen edhe në rrethe. Sipas zyrës së shtypit në Raiffaisën Bank bëhet e ditur se shpërndarja e bonove do të bëhet në 6 qytete të vendit, atje ku vite më parë qytetarët kanë depozituar bonot. Raiffeisen Bank ka bërë gati listat dhe dje ka filluar shpërndarja e bonove të Anglo-Adriatikës në rrethet më kryesore të vendit. Burimet zyrtare të bankës bëjnë të ditur për se “shpërndarja po bëhet në 4 agjenci të Raiffeisen Bank në Tirane si dhe ne agjencitë e rretheve Korçë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër dhe Durrës. Ndërsa tarifa që do tu mbahet qytetarëve për tërheqjen e bonove, pa komision, do të jetë vetëm 150 lekë”,- ka përfunduar Viola. Qytetarët që do ti rimarrin këto letra me vlerë do të paguajnë tarifa, pasi bankat e nivelit të dytë kanë vendosur tarifa, për të gjithë ata qytetarë që kanë bono privatizimi në banka dhe duan ti tërheqin. Sipas informacioneve të gazetës, rezulton se qytetarët jo vetëm që humbin nga vlerësimi i ulët që u bëhet bonove të privatizimit në treg, por duhet edhe të paguajnë tarifa për ti tërhequr ato. Kështu tarifa për komision nga ana e bankave do të jetë në shumën e 150 lekëve, që u mbahet qytetarëve për komision. Pra, duke filluar nga data 1 prill qytetarët duhet të paraqiten në filialet e Raiffeissen për të bërë kërkesën, për tërheqjen e bonove dhe pasi tu ketë dalë emri në filialin ku kanë bërë kërkesën, do të shkojnë te thesari për të tërhequr bonot. Rishpërndarja e bonove të privatizimit që qytetarët kanë depozituar në fondet e investimeve do të realizohet brenda një afati kohor prej tre muajsh. Sipas kësaj procedure, duke pasur parasysh se të gjitha bonot e privatizimit ndodhen të depozituara në një nga bankat e nivelit të dytë, afati për realizimin e këtij procesi do të jetë tre muaj. Qytetarët, duhet të kenë një dokument me anë të të cilit vërtetojnë se kanë depozituar bonot pranë këtyre kompanive dhe me të, së bashku me një dokument identifikimi, do të paraqiten në sportele për të tërhequr bonot sipas shumave që kanë depozituar.

Banka: “Kemi vlerën e bonove prej 120 milionë dollarësh”

Fondi “Anglo-Adriatika” ka të mbyllur një vlerë bonosh prej 120 milionë dollarësh, që u përkasin 47 mijë familjeve shqiptare. Çdo shqiptar e mban mend emrin e këtij fondi, i cili mori përsipër të menaxhojë dhe investojë afërsisht 120 milionë dollarë në bono privatizimi të shqiptarëve, por që dështoi. Qeveria e para vitit 1997 bëri një marrëveshje, ku përcaktohej se fondi do të grumbullonte letrat me vlerë dhe do ti fuste në privatizim, ndërkohë që Anglo-Adriatika mori licencën për të grumbulluar afro 10 për qind të totalit të bonove, afro 10 miliardë lekë. Fondi mblodhi letra me vlerë deri në vitin 1997, afro 2 miliardë lekë, ndërkohë që u rikthye sërish pas trazirave, për të mbledhur edhe mbi 7 miliardë lekë të tjera, deri në vitin 1999. Pas këtij viti përfaqësuesi amerikan u rishfaq në vitin 2000, për tu larguar më pas pa dhënë shpjegime.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›