E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diversioni i Berishës: Rama të ulet me Metën

Reagon Ndoka: “Para se t'i bëjë thirrje PS-së për dialog me LSI-në, duhet të dialogojë me PDK-në”

TIRANË- Nuk është rastësi deklarata e djeshme e Kryeministrit Sali Berisha, kur nga tavolina e mbledhjes së qeverisë tentoi të zhvendosë vëmendjen tek Kodi Zgjedhor dhe problematika brenda së majtës. Këtë lëvizje ai e ka bërë edhe herë tjetër, kur ka qenë i rrethuar nga deklarata të forta të ndërkombëtarëve dhe në mënyrë të veçantë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ishte para dy ditësh për draftin e demokratëve për hapjen e dosjeve të “spiunëve”. E ndërsa shqetësimin eSHBA-ve, dje e pasoi edhe OSBE-ja, për projektligjin që mazhoranca pritet të votojë këtë të hënë në Parlament, Berisha bëri një ftesë që, “PS-ja të reflektojë mbi mundësinë e zgjerimit të konsensusit në lidhje me Kodin Zgjedhor”. Kjo lëvizje e shefit të qeverisë, tashmë është një “standard” për të, që pas çdo “dushi” të ndërkombëtarëve tenton të bëjë diversionin politik të radhës, kësaj here të përsëritur, duke kërkuar që Edi Rama të ulet me Ilir Metën për Kodin Zgjedhor. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Berisha ka deklaruar se sa i përket debatit për Kodin Zgjedhor, është kryetari i PS-së Edi Rama, ai që po injoron realitetin, ndërkohe që një gjë të tillë po e bën vetë Kryeministri, duke i injoruar një të vërtetë tjetër brenda kampit të djathtë, pikërisht pretendimet e demokristianëve. “Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike, (LSI). Këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër, përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Në vendime të rëndësishme, nëse injoron realitetin, të pëlqen apo jo, vendimi mbetet me probleme”,-tha Berisha. Kryeministri tha se kishte qenë i lënduar nga greva e 10 deputetëve pak kohë më parë, duke harruar në fakt se katër prej tyre ishin pikërisht nga PDK-ja. Lidhur me këtë diversion të vazhdueshëm të Berishës, në një kohë që PS-ja e ka thënë qëndrimin e saj zyrtar, ka reaguar dje edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili po injorohet në mënyrë të vazhdueshme nga PD-ja. "Nuk janë deklarata të Kryeministrit, por janë thjesht diversione. Berisha nuk duhet të harrojë që PDK-ja është parti e kampit të djathtë dhe përpara se t'i bëjë thirrje PS-së për dialog me LSI-në fillimisht, duhet të dialogojë me PDK-në", - u shpreh Ndoka.

Kodheli: PS-ja të votojë vetëm dekretin e Topit

TIRANË- Partia Socialiste është e vendosur që ndryshimet në Kod të jenë brenda kërkesës, për të cilën Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi kthimin e ligjit në Kuvend. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, ka deklaruar dje se Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e Presidentit. “Të tjerat janë politikë e vjetër kulisash e diversionesh, që Saliu dhe Iliri mund të vazhdojnë t'i bëjnë njëri-tjetrit”,- tha ajo. Kodheli ka theksuar se, “nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot, duke i qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur Kryeministri, Iliri është vërtetë shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›