E Diel, 1 Nëntor 2026

EURALIUS-i: Ja vërejtjet për gjykatat administrative

EURALIUS-i ka depozituar në Kuvend një sërë vërejtjesh lidhur me projektin

TIRANË- Jo vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur vërejtje ndaj projektligjit të qeverisë “Për organizimin e drejtësisë administrative”. Edhe misioni evropian i asistencës në fushën e drejtësisë, EURALIUS, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe, posaçërisht në Komisionin e Ligjeve, një sërë vërejtjesh lidhur me projektin e paraqitur. Që në krye të letrës së tij, EURALIUS-i thekson se pavarësisht rekomandimeve të bëra gjatë fazës së hartimit në draftin përfundimtar, shumë prej tyre nuk janë pasqyruar. Nisur pikërisht nga kjo, misioni vlerëson se është e nevojshme që të bëhen disa ndryshime në disa prej neneve kyç të draftit. “EURALIUS-i dëshiron të theksojë se ka ende disa çështje me rëndësi që kërkojnë ndryshime shtesë”,- theksohet në letrën drejtuar Komisionit të Ligjeve. Në këtë mënyrë vlerësohet e nevojshme të bëhet një ndryshim në nenin që përcakton seksionet e gjykatës, për të cilën sugjerohet të shtohet detyrimi që këto seksione të mund të sistemohen në godinat gjykatave ekzistuese të rretheve, ndërsa kryetarët dhe kancelarët e këtyre gjykatave të ndihmojnë administrativisht këto seksione. Gjithashtu, EURALIUS-i propozon që të bëhet një ndërhyrje edhe në nenin ku përcaktohet e drejta e padisë. Për këtë pikë sugjerohet që, për të mënjanuar çdo konflikt me standardet evropiane, në këtë nene duhet të shtohet një pikë e veçantë, ku të përcaktohet e drejta e grupeve të interesit që ndjekin qëllime të interesit publik për të ngritur padi në gjykatat administrative. Ndërkohë që, për sa i përket të drejtës së padisë, ky mision thekson nevojën e zgjatjes së afatit për të ngritur padi, nga 90 ditë në 1 vit. Një tjetër ndërhyrje që duhet t’i bëhet projektligjit, sipas këtij misioni, është edhe ai në nenet ku përcaktohet afati i gjykimit të një çështjeje nga Gjykata e Apelit. Sipas tij, afati prej 20 ditësh për të përcaktuar datën e seancës gjyqësore, nuk është i përshtatshëm dhe ka shumë mundësi që ai të kthehet pa kuptim, vetëm duke u zhvilluar një seancë formale gjykimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›