Rama, të rinjve: Të ardhmen ta ndërtojmë në Shqipëri
TIRANË- Partia Socialiste lançoi dje rrjetin e saj të vullnetarëve që do të kontribuojnë në përhapjen e alternativës socialiste tek të gjithë shqiptarët, përgjatë gjithë muajve në vazhdim, deri në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Në një takim të posaçëm të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, sipas modelit “Obama”, selia rozë ka bërë prezantimin e bërthamës, e përbërë kryesisht nga të rinj dhe të reja, socialistë ose jo, e cila do të shërbejë për shtrirjen e këtij rrjeti vullnetarësh në të gjithë vendin. Takimin e ka hapur drejtori i fondacionit “Qemal Stafa”, Sajmir Tahiri, i cili pasi ka falënderuar të rinjtë për këtë mbështetje që i ka dhënë kësaj nisme të Partisë Socialiste, ka ftuar disa nga vullnetarët për të treguar arsyet pse kishin vendosur që të bëheshin pjesë e këtij rrjeti. Më pas, të rinjtë e pranishëm i ka përshëndetur Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka kërkuar prej tyre që të bëhen, siç i quajti ai, vullnetarë të ndryshimit dhe realizimit të ëndrrës së Shqipërisë europiane. “18 vjet më parë, një ëndërr e ndaluar nxori në rrugë qytetarët. 18 vjet më vonë, e njëjta ëndërr e parealizuar kërkon rrugë. Shqipëria europiane është ëndrra jonë, sfida dhe detyrimi ynë është ta ndërtojmë Europën këtu, në vendin ku jetojmë”, - tha Rama në çelje të fjalës së vet. Më pas, ai u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që të bëhen mbartësit e frymës së besimit tek të gjithë shqiptarët, se Shqipëria mund të bëhet dhe se e ardhmja mund të ndërtohet pikërisht këtu. “Sot prej jush kërkohet transformimi i kësaj bërthame energjie dhe shprese të re që ju mishëroni sot, në një rrjet vullnetarësh që do të përçojë në muajt në vijim, anembanë vendit, fuqinë e ndryshimit, do të na çojë jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve, por edhe në ndarjen e shumëpritur me të shkuarën ku vazhdojmë të jetojmë prej 17 vjetësh”, - tha Rama. Shefi i selisë rozë ka gjetur rastin të merret dhe me kundërshtarin e tij politik, Sali Berisha, të cilin nuk nguroi ta cilësojë edhe si tutor i korrupsionit në vend. Për t’i karikuar të rinj e të reja dhe gjithë qytetarët me besimin se ardhmja e tyre mund të ndërtohet pikërisht në Shqipëri, ai ka sjellë një shprehje të Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Barak Obama. “Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Barak Obama, tha një ditë, kur askush nuk e besonte, se do të bëhej shpresa e re e Amerikës: Një popull që e do vendin e tij mund ta ndryshojë”. Ky takim ka shërbyer edhe për zgjerimin e rrjetit të vullnetarëve me anëtarë të rinj, ku në pika të veçanta të hollit të Pallatit të Kongreseve ishin ngritur stenda për regjistrimin e tyre. Gjatë këtij takimi, për vullnetarët janë shpërndarë dhe shalle, ku ishte stampuar një logo me disa individë të kapur prej dore, si simbol i rrjetit të vullnetarëve.