E Diel, 1 Nëntor 2026

Diversioni në PBDNJ, Berisha cakton Karamelon te Ministria e Punës

Sherret brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk kanë të sosur. Për këtë duket se ka kontribuar edhe Kryeministri Sali Berisha, që dje ka emëruar Ligoraq Karamelon në postin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Vendimi i marrë ka nxjerrë jashtë loje përfaqësuesin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Andrea Marto, që mbante këtë funksion. Ligoraq Karamelo, prej kohësh është shkëputur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe ka krijuar partinë e tij, të quajtur Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (LDLNJ). Pak ditë më parë, ishin drejtuesit e PBDNJ-së që i kërkuan zyrtarisht Kryeministrit Sali Berisha që të shkarkonte ministrin e tyre, Koço Barka. Ky i fundit deklaroi se shkak për situatën ishte shkarkimi i sekretarit të përgjithshëm Andrea Marto, sepse nuk shkonte në punë. Pas diskutimesh të shumta, Berisha vendosi që të shkarkonte Barkën, duke e zëvendësuar me një prej emrave që propozoi Vangjel Dule. I përzgjedhuri në këtë rast, që dje bëri betimin te Presidenti, ishte Anastas Duro. Menjëherë pasi u mendua se gjërat në PBDNJ, por edhe në marrëdhëniet midis kësaj partie dhe PD-së u normalizuan, u krye emërimi i Karamelos. Një lëvizje e tillë ngjan më shumë të jetë pjesë e një diversioni ndaj PBDNJ-së se sa afrim i një partie të re në koalicion me Partinë Demokratike në pushtet. Funksionarët e PBDNJ pritet që të reagojnë jo mirë ndaj afrimit të Karamelos në koalicion dhe në ministrinë që drejtohet prej tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›