Vendosen çmime reference për lëndën e parë në ndërtim
Sektori i ndërtimit duhet t‘i referohet çmimeve të reja të vendosura nga qeveria si referencë për lëndën e parë. Edhe pse Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë e ka kundërshtuar manualin teknik të çmimeve, madje e kishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, qeveria ka vendosur të kryejë disa ndryshime në ligjin "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit", duke iu referuar edhe ligjit "Për procedurat tatimore". Vendosja e çmimeve referencë bëhet për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor, duke shmangur çdo lloj vetëvlerësimi nga biznesi. Ky ndryshim është kundërshtuar nga ndërtuesit, të cilët kanë propozuar masa të tjera për rishikimin e çmimeve për lëndët e para. Po ashtu, vendosja e këtyre referenca bëhet edhe për efekt të procedurave prokuruese, pra në përcaktimin e fondit limit në tender. Konkretisht, miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre, sipas teksteve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, që do të përdoren në përcaktimin e fondit limit të objekteve, në sektorin e administratës publike. Ministria e Financave të dërgojë të dhënat për çmimet mesatare të tregut të katër elementeve të strukturës së kostos, të nevojshme për përditësimin e çmimeve të manualit. Sipas vendimit të qeverisë, çmimet e zërave të punimeve, të përcaktuara në manualet teknike, janë orientuese dhe referuese për planifikimin e buxhetit vjetor, por ndërtuesit mendojnë se tarifat e reja do të përdoren si masë presioni ndaj detyrimeve tatimore.