E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon ligji për azilin në Republikën e Shqipërisë

Qeveria miratoi dje projektligjin për disa ndryshime në ligin "Për azilin në Republikën e Shqipërisë". Parashikohet që në rastet e një fluksi masiv të personave të huaj, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në territorin shqiptar, procedurat e parashikuara në kreun IV, të këtij ligji, për shqyrtim individual të kërkesave për azil, mund të pezullohen, duke u dhënë të gjithë personave të një grupi mbrojtje të përkohshme. Kjo mbrojtje jepet nga Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët, për një afat të përcaktuar në vendimin që del për këtë qëllim. Përgjegjësia për mbrojtjen ndërkombëtare të personave të njohur si refugjatë, në përputhje me Konventën e Gjenevës dhe protokollin e vitit 1967, në Republikën e Shqipërisë mund të vlerësohet si e transferuar në një shtet të tretë, palë në instrumentet e lartpërmendura ndërkombëtare, në rast se ky i fundit ka pranuar që refugjati të qëndrojë si i tillë në territorin e tij, në mënyrë të vazhdueshme, dhe ka njoftuar Republikën e Shqipërisë për këtë veprim. Pushimi i azilit bëhet duke zbatuar të njëjtat procedura të parashikuara edhe për dhënien e tij. Azilkërkuesi duhet të japë çdo informacion, për të cilin mendohet se ai ka dijeni, kur i kërkohet nga autoritetet e azilit dhe që shërben për marrjen e një vendimi, të bazuar dhe të drejtë, për aplikimin e tij për azil. Refugjatët, që përfitojnë të drejtën e azilit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me normat e përcaktuara në nenin 28, të Konventës së Gjenevës pajisen nga Ministria e Brendshme me dokument udhëtimi. Ky dokument, për aq kohë sa është i vlefshëm, mund të përdoret për të udhëtuar në të gjitha shtetet, me përjashtim të shtetit të origjinës, dhe për t‘u rikthyer në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›