Everett: Shqipërinë e përfytyroja pa ligje
ALBAN DUDUSHI - Përse ky rrugëtim
në gjurmët e Bajronit në Shqipëri?
RUPERT EVERETT - Së pari, kam
qenë gjithmonë i dashuruar pas Bajronit.
Së dyti, në fillim të vitit xhirova
një dokumentar që pati mjaft sukses,
gjë që më krijoi mundësinë për të bërë
një dokumentar të dytë. Së bashku me
Majkëllin, regjisorin e këtij dokumentari,
vendosëm të bëjmë një dokumentar për
Bajronin, sepse tashmë Bajroni është një
personazh thuajse i harruar në Britani.
ALBAN DUDUSHI - Po thoni që ky
dokumentar dhe rrugëtimi juaj në Shqipëri
është për t‘u sjellë edhe një herë
anglezëve Bajronin?
RUPERT EVERETT - Sot, poezia është
mjaft e vështirë për t‘u kuptuar, edhe pse
është një fushë e mahnitshme. Edhe pse
Bajroni është i mrekullueshëm, është e
çuditshme që atë në Shqipëri e njohin më
mirë se ç‘e njohin vetë anglezët.
ALBAN DUDUSHI - Sa vjeç keni qenë
kur e lexuat për herë të parë Bajronin?
RUPERT EVERETT - Qysh kur isha
nxënës shkolle dhe studionim poezitë e
tij, por vetëm kur ndërmora udhëtimin
për në Shqipëri, nisa të kuptoja se çfarë
ishte në të vërtetë Bajroni dhe çfarë
përfaqësonte si për shekullin e nëntëmbëdhjetë
dhe botën e atëhershme. Në
të vërtetë, ai ka qenë një luftëtar i madh
i lirisë, një njeri i vërtetë e i ndershëm.
Që prej asaj kohe, admirimi im për të ka
ardhur duke u thelluar.
ALBAN DUDUSHI - Natyrisht, Shqipëria
përmendet në vargjet e Bajronit.
Ky ishte momenti i parë kur e dëgjuat
si emër Shqipërinë? Ju dukej një vend
i krijuar apo e dinit se ç‘ishte ajo dhe
kishit për të të njëjtat njohuri që kishit
për Turqinë e Greqinë?
RUPERT EVERETT - Është vërtet e
çuditshme, por Shqipëria në Evropë
është vërtet një vend i panjohur, ndoshta
edhe për hir të faktit që ka qenë e
izoluar për shkak të komunizmit. Gjatë
pesë vjetëve të fundit kam bërë dy miq
shqiptarë, dhe kisha vendosur të vija në
Shqipëri, pavarësisht dokumentarit për
Bajronin.
ALBAN DUDUSHI - Kështu, nga
miqtë e tu shqiptarë, e kishit një lloj
njohurie për Shqipërinë, përveç asaj që
kishte shkruar Bajroni...
RUPERT EVERETT - Shumë, shumë
pak. Dija vetëm që Shqipëria kishte një
terren malor.
ALBAN DUDUSHI - Ǒide ju krijonte
Shqipëria prej vargjeve të Bajronit?
RUPERT EVERETT - Të them të
drejtën s‘kisha krijuar një imazh të Shqipërisë
deri në çastin që erdha këtu. Kisha
përshtypjen që ishte një vend pa ligje.
ALBAN DUDUSHI - Edhe pse e dinit
një vend pa ligje, sërish donit të vinit në
Shqipëri?
RUPERT EVERETT - Po, gjithmonë e
kam pasur dëshirën të vij.
ALBAN DUDUSHI - Pse, shpirt aventure?
RUPERT EVERETT - Jo. Kisha dëgjuar
që ishte një vend i bukur dhe në të vërtetë
është e bukur.
ALBAN DUDUSHI - Edhe pse gjendesh
këtu prej pak kohësh, ç‘ide keni
tani që e patë?
RUPERT EVERETT - Së pari është
një vend i bukur e i mrekullueshëm.
Fillimisht shkuam në Gjirokastër, në një
hotel mjaft të bukur, dhe ajo që më bëri
përshtypje ishte peizazhi i virgjër i Shqipërisë.
E pata mjaft të lehtë ta përfytyroja
imazhin e Bajronit këtu e dyqind vjet më
parë, sepse ky vend ka një hije të vjetër.
Bajroni ka thënë që Shqipëria i ngjan
mjaft Skocisë, vendit prej nga e ka prejardhjen
familja ime dhe unë jam shumë
dakord me të. Ngjason me Skocinë sepse
ka shumë kështjella nëpër kodra, ku bien
shumë reshje. Besoj se edhe në karakter
ngjajnë, sepse si skocezët, ashtu dhe
shqiptarët, kanë karaktere të forta.
ALBAN DUDUSHI - Përveç peizazhit,
çfarë ju ka befasuar më tepër? A ka pasur
momente të veçanta gjatë këtyre ditëve
të rrugëtimit nëpër Shqipëri?
RUPERT EVERETT - Çdo gjë ka qenë
befasuese. Veçanërisht Gjirokastra. Lazarati
qe surprizë e madhe.
ALBAN DUDUSHI - Pse Lazarati?
RUPERT EVERETT - Sepse isha mjaft
i kënaqur që ishte një qytet rend, pa ligje
e ku kishte hashash.
ALBAN DUDUSHI - Ju nuk pitë
hashash apo jo?
RUPERT EVERETT - Për fat të keq jo,
s‘na u lejua.
ALBAN DUDUSHI - Ju hytë në fshat?
Më shpjegoni si ju ra në vesh emri Lazarat?
RUPERT EVERETT - Para se të fillohet
një dokumentar i tillë si ky që kemi nisur
ne, bëhen shumë kërkime për vendin ku
do të shkosh, e, rrugës për te kështjella e
Ali Pashës është dhe Lazarati.
ALBAN DUDUSHI - Kështu që ndaluat
atje, pa mundur të futeshit me
kamera në fshat.
RUPERT EVERETT - Jo, s‘mundëm.
ALBAN DUDUSHI - Ndërkohë, atje,
takuat edhe shqiptarë të zonës. Herë
pas here ne mburremi me disa norma
zakonore që kemi, si besa, bujaria. Madje
kemi edhe një thënie të famshme:
"Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe
e zotit". Si ju mirëpritën?
RUPERT EVERETT- Shumë mirë
dhe çdokush është sjellë mjaft mirë me
mua.
ALBAN DUDUSHI - Tani që takuat
disa prej tyre, si mund t‘i përshkruani
shqiptarët?
RUPERT EVERETT - Mendoj se është
e vështirë t‘i përgjithësosh njerëzit. Çdo
shqiptar që kam takuar është i ndryshëm
nga tjetri.
ALBAN DUDUSHI - Në gjithë këtë
bukuri me të cilën ju e përshkruat Shqipërinë,
e ngjashme me Skocinë, vendin
nga e kanë prejardhjen edhe prindërit
tuaj, mendoni të vini e të banoni në
Shqipëri? Lexuam që e keni shprehur
njëfarë dëshire...
RUPERT EVERETT - Të them të
drejtën do të ishte e mrekullueshme të
jetoja në një mal të Shqipërisë, por jo
gjatë gjithë vitit.
ALBAN DUDUSHI - Ky dokumentar
është për Everett-in në Shqipëri, apo për
Bajronin në Shqipëri?
RUPERT EVERETT - Sigurisht dokumentari
ka të bëjë me Bajronin, por me
mënyrën se si unë e zbuloj Bajronin në
trojet ku ai ka shkelur dhe njerëzit që ka
takuar.
ALBAN DUDUSHI - Kështu që është
një rizbulim i Bajronit nëpërmjet vendeve
ku ka kaluar ai, duke zbuluar njëkohësisht
edhe vetë këto vende, Shqipërinë,
Turqinë, Greqinë.
RUPERT EVERETT - Po.
II. Bajroni dhe
Rupert Everett në Shqipëri
ALBAN DUDUSHI - Keni qenë një
fëmijë i prapë. Është e vërtetë apo janë
thashetheme?
RUPERT EVERETT - Po. Është e
vërtetë.
ALBAN DUDUSHI - Në moshën
shtatëvjeçare keni shkuar në një shkollë
priftërinjsh benediktinë, ku keni mësuar
pianon dhe keni ëndërruar të bëheni
rrokstar… Kur mendojmë për një ambient
priftërinjsh, ne mendojmë për një
ambient të zymtë, të rreptë…
RUPERT EVERETT - Është e vërtetë
që ishte një ambient i zymtë dhe unë
ëndërroja të bëhesha yll rroku, por ajo që
më trembte më tepër ishte se mos bëhesha
prift, sepse priftërinjtë na thoshin
gjithmonë "disa prej jush do të zgjidhen
nga Zoti për t‘u bërë priftërinj", dhe unë
lutesha të mos isha unë ai. Pra, para se
të ëndërroja të bëhesha rrokstar, lutesha
të mos bëhesha prift. Ndoshta pikërisht
ky është shkaku i rebelimit tim, sepse,
kur isha i vogël, njerëzit më thoshin se
ç‘duhej të bëja, sidomos priftërinjtë, që
na impononin sjelljen e tyre për Zotin,
Jezusin dhe kishën, gjë që më irritonte
dhe më shkaktonte rebelim. Një e përbashkët
tjetër që kam unë me Bajronin,
të cilën e zbulova pasi nisa të studioja
për të, është edhe fakti që ai pyeste pse
njeriu u dëbua nga kopshti i Edenit. Pse?
Kjo është e padrejtë…
ALBAN DUDUSHI - Megjithatë, kur
mbushët pesëmbëdhjetë vjeç, ju shkuat
në mos gaboj në "Central School of Speech
and Drama" në Londër, një ambient
më liberal...
RUPERT EVERETT - Jo shumë.
ALBAN DUDUSHI - Kisha parasysh
se, duke qenë një shkollë arti, qe më e
lirshme se shkollat religjioze…
RUPERT EVERETT - Kështu mendova
edhe unë, po s‘ishte kështu. Qenë
ekzaktësisht e njëjta gjë.
ALBAN DUDUSHI - Kështu që dy vjet
duruat atje, pastaj shpërthyet?
RUPERT EVERETT - Mendoj që
problemi i arsimit, edhe në këtë rast,
sërish autoriteti. Kjo shkollë ngjasonte
së tepërmi me atë fetaren, sepse edhe
këtu autoritetet na tregonin se si duhej
të aktronim. Njerëzit dhe fëmijët duhet
t‘i mësojnë gjërat vetë sesi bëhen, gjatë
rrugës, jo të imponohen.
ALBAN DUDUSHI - Domethënë ishte
metoda?
RUPERT EVERETT - Në këtë rast mua
s‘më pëlqen marrëdhënia që krijohet
mes të rriturve dhe fëmijëve. Ajo s‘duhet
të jetë një marrëdhënie autoriteti. Në
latinisht, edukim, arsimim do të thotë të
nxjerrësh më të mirën nga tjetri. Pikërisht
këtë besoj dhe unë, që mësimdhënia
duhet të ketë këtë synim, të nxjerrë më
të mirën te nxënësit.
ALBAN DUDUSHI - Ndaj vendosët
të shkëputeshit nga një shkollë që e
përballte individin me autoritetin dhe
ta mësonit vetë zanatin?
RUPERT EVERETT - Po, e lashë
shkollën. Fatmirësisht në Angli ka shumë
teatro dhe unë nisa të punoja në to.
Kjo është rruga që ndjekin edhe shumë
aktorë të tjerë.
ALBAN DUDUSHI - Thuhet që në
Londër një në dy dyer është derë teatri...
RUPERT EVERETT- Po, është e vërtetë.
ALBAN DUDUSHI - Dhe eksperiencat
e para i patët pikërisht në trupën së cilës
iu bashkuat?
RUPERT EVERETT - Po. U bashkova
me një trupë teatri në Gllasgou dhe kalova
një kohë të mrekullueshme.
ALBAN DUDUSHI - Më mirë se
sa shkolla, e natyrisht një shkollë më
vete...
RUPERT EVERETT - Po ishte shumë
më e mirë se shkolla dhe ishte një shkollë
në vetvete. Unë kam qenë me fat, sepse
tetëdhjetë për qind e suksesit në biznesin
e shout ka të bëjë me fatin dhe fati
s‘është një gjë që mësohet. Pata shumë
fat sepse u futa në një dramë që u luajt
në qendër të Londrës, e cila më pas u bë
edhe film.
ALBAN DUDUSHI - Ndërkohë, teatri
s‘ju sillte të ardhura të mjaftueshme… A
keni pasur edhe profesione të tjera...
RUPERT EVERETT - Po, kam punuar
edhe si topmodel, por në pjesën më të
madhe si aktor.
ALBAN DUDUSHI - Ju e keni refuzuar
ambientin tuaj tradicional, të paktën
kështu del nga ato që thoni, nga ana
tjetër, edhe Bajroni qe një rebel ndaj ambientit
të tij aristokratik. Bajroni kishte
idetë e tij të lira dhe ambienti aristokratik
ku jetonte i dukej tiranik, të paktën siç e
kemi mësuar ne në shkollë. Ǒështë në
fakt për ju tirania?
RUPERT EVERETT - Ndoshta tirania
është për mua qeveria, por s‘kam një ide
të qartë se ç‘është ajo. E vërteta është që,
edhe tani, ka pak liri. Ka vetëm sundim,
sundim dhe sundim. Është sundimi i
G8-ës, i BE-së, i Xhorxh Bushit. Pra, ka
vetëm sundim pas sundimi...
ALBAN DUDUSHI - Kjo është në
planin politik, por ka edhe një nivel
personal...
RUPERT EVERETT - Tani nuk ndihem
veçanërisht rebel, por kur e lidh me
Bajronin, mund që them se, kur erdhi
në Shqipëri, ai qe ende një djalosh,
një fëmijë le të themi. Mendoj që gjatë
udhëtimeve të tij, ai nisi të ndërtonte një
nocion të vetin për lirinë dhe pa që në të
vërtetë asnjë popull s‘qe i lirë.
ALBAN DUDUSHI - Cili ishte nocioni
i tij për lirinë?
RUPERT EVERETT - Liria arrihet kur
shpirti dhe njeriu janë të lirë. Ndoshta
nuk ka fjalë të sakta për ta përshkruar. Një
budist s‘e përshkruan lirinë në atë çfarë
ajo është, por në atë çfarë ajo s‘është.
Kështu që kuptimit të lirisë mund t‘i
afrohemi vetëm duke parë se çfarë ajo
s‘është. Nuk është kontroll, nuk është
as klasë mësimi dhe as besim fetar. Unë
mendoj që në fe s‘ka liri. Dhe besoj se
edhe për Bajronin s‘kishte liri, duke qenë
pjesë e klasës britanike. As në religjion
s‘kishte liri për të. Dhe as në marrëdhëniet
e tij me njerëzit s‘kishte liri. Mendoj
që pikërisht kjo e bën Bajronin një poet
të madh, sepse ai përçon sfidat që ne i
kemi brenda vetes, e me të cilat duhet
të përballemi nëse duam të jemi të sinqertë
me veten. Te dy veprat e Bajronit,
"Udhëtimet e Çajld Haroldit" dhe "Don
Zhuani", shihet pikërisht sfida e njeriut
për t‘u bërë i lirë.
ALBAN DUDUSHI - Ajo periudhë
ishte e romantikëve, të cilët kërkonin
botëra idilike, por Bajroni i shpirtit të
lirë pati një tërheqje prej Ali Pashës, i
cili ndërkohë qe një sundimtar i egër
në këtë vend. Ka ndonjë kontradiktë në
këtë mes?
RUPERT EVERETT - Nuk mendoj se
Ali Pashai qe sundimtar më i rreptë se
Uellingtoni në perandorinë britanike,
apo se Napoloni, ndaj s‘mendoj që kishte
një egërsi që e dallonte nga të tjerët. I
referohem asaj që Ali Pasha i tregoi Bajronit.
Bajronit i bëri shumë përshtypje
kur erdhi në oborrin e Ali Pashës, sepse
pa që ai ishte një oborr mjaft i sofistikuar
krahasuar me provincën e Xhorxhit të
Tretë, e cila qe një provincë mjaft e zymtë.
Kjo i hapi horizonte të reja dhe ai mendoi
se kjo ishte një botë më emocionuese nga
bota prej së cilës vinte.
ALBAN DUDUSHI - A kishte lidhje
edhe me një braktisje të mendimit të
përgjithshëm mbi të mirën, si dhe me
kërkimin e së mirës aty ku ka mbetur
ende diçka nga e egra, nga primitivja?
RUPERT EVERETT - Bajroni e shihte
veten mjaft të ndryshëm nga populli
anglez dhe ndoshta ai e gjeti veten në
këtë popullatë myslimane. Në atë kohë,
në këtë rajon, kishte më tepër ambiguitet
seksual dhe kjo i përshtatej Bajronit më
shumë se në Angli.
ALBAN DUDUSHI - Asokohe Anglia
ishte një vend puritan, më puritan se
ç‘është tani...
RUPERT EVERETT - S‘ishte periudha
më puritane e Anglisë, por mund ta quajmë
më konservatore.
ALBAN DUDUSHI - Tani që vini në
Shqipëri, ndjeni të njëjtën tërheqje ndaj
asaj që është ndryshe nga Anglia? Ndaj ju
pëlqen Shqipëria, ndaj ju tërheq udhëtimi
i Bajronit?
RUPERT EVERETT - Mendoj që bota
ka ndryshuar shumë, por mua më tërheq
Shqipëria, sepse ka një egërsi brenda saj
dhe s‘ka shumë njerëz. Po të shkojmë në
Angli, rrugët janë të mbushura me njerëz.
Mua më pëlqen të jem në një vend ku s‘ka
shumë njerëz.
ALBAN DUDUSHI - Pra, të mirat
gjenden aty ku nuk i ke. Kjo është e vërteta,
me pak fjalë?
RUPERT EVERETT- Jo, unë nuk po
them që s‘më pëlqen Anglia... Ngaqë në
Angli ka shumë njerëz, duket sikur njerëzit
janë të futur në një kuti, dhe kohët e
fundit kemi pasur shumë dhunë mes të
rinjve, kemi pasur vrasje me thika...
ALBAN DUDUSHI - Thamë që udhëtimi
juaj në Shqipëri dhe në vende të tjera
ku po realizohet ky dokumentar është
një lloj rizbulimi që edhe ju personalisht
i bëni Bajronit.
RUPERT EVERETT - Në fakt, kam
zbuluar për herë të parë shumë gjëra në
lidhje me Bajronin.
ALBAN DUDUSHI - Çfarë, për shembull?
RUPERT EVERETT - Para se të filloja
këtë dokumentar, kisha një njohje mjaft
sipërfaqësore për Bajronin dhe kam ende
gjëra që s‘i di. Kam zbuluar një imazh
serioz të Bajronit, të cilin ai në Angli nuk
e ka. Në Angli, atë e shohin në mënyrë
më sipërfaqësore...
ALBAN DUDUSHI - Deri tani e keni
parë Bajronin si një njeri ambig, transgresiv, në mos ju keqkuptova, apo jo?
RUPERT EVERETT - Më parë, Bajronin
e shihja më shumë si ekscentrik, si të
përkëdhelur e të llastuar...
ALBAN DUDUSHI - Gjeni më shumë
të përbashkëta tani me Bajronin, gjatë
këtij rizbulimi apo...
RUPERT EVERETT - Nuk mund të
them që kam gjetur pika të përbashkëta,
por mund të them që kam kuptuar më
shumë poezitë e tij, si mund t‘i lexoj ato.
Ai ka qenë një njeri mjaft i drejtë dhe
i sinqertë dhe fliste duke i shmangur
dokrrat.
ALBAN DUDUSHI - Edhe ju flisni
hapur?
RUPERT EVERETT - Sigurisht, është
më mirë kur flet sinqerisht, sepse s‘ke
pse humbet kohën e të tjerëve. Mjafton
të flasësh drejt.
ALBAN DUDUSHI - Teksa kemi
lexuar Bajronin, na ka pëlqyer shumë jo
vetëm përshkrimi romantik, po edhe përshkrimi
i bukur që u bënte shqiptarëve
si njerëz trima, që armiku s‘ua pa kurrë
kurrizin... Në romanticizmin e tij, Bajroni
u dashurua me Greqinë, me Shqipërinë,
Ali Pashën e me radhë. Ju s‘keni pasur
kaq shumë kohë, sa të dashuroheni me
Shqipërinë. Ka diçka që ua ka vrarë sytë
ndërkohë, që ju ka bërë përshtypje për
keq në Shqipëri?
RUPERT EVERETT - Jo, s‘ma ka vrarë
syrin asgjë, madje çuditem se si Shqipëria
s‘është bërë një pikë më e frekuentuar
turistike. Kur pashë Sarandën, e pashë
me keqardhje, sepse është prishur, qe
bërë një qytet i shëmtuar. E njëjta gjë i ka
ndodhur edhe Rusisë pas viteve ‘90, kur
njerëzit bënin para dhe filluan të ndërtonin.
E njëjta gjë, nëse i referohemi edhe
Kubës. Nëse komunizmi do të bjerë edhe
aty, e gjithë Kuba do të bëhet një hotel i
madh. Ndaj më vjen keq për Sarandën,
që është përballë Korfuzit në një gjendje
të mjeruar, edhe pse me një breg tejet të
bukur. Një mik më tha që, sipas ligjit, në
Shqipëri mund të ndërtosh vetëm pesë
ose gjashtë metra larg bregut dhe për këtë
më erdhi shumë keq, sepse Shqipëria ka
një bregdet shumë të bukur, të paprekur.
Nëse shohim pjesën tjetër të Evropës,
Italinë për shembull, ka ndërtime të pafundme.
Shqipëria mund të prishet nga
këto ndërtime që bëhen prej njerëzve
të babëzitur. Shqipëria është shumë e
bukur, si kopshti Edenit, por jetojmë në
një botë ku gjërat ndryshojnë shpejt. Sot
mund të jetojmë në një Havanë të bukur
të Kubës, e cila nesër mund të jetë si
Malta, me grataçiela.
ALBAN DUDUSHI - Kur erdhi, Bajroni
i pa në shkëlqimin e tyre kalatë...
RUPERT EVERETT - Po, por kështjella
e Tepelenës është mjaft e bukur. Ka një
fshat brenda saj. Ka shtëpi dhe njerëz
që banojnë aty, e kjo më pëlqen. Por
aty rrotull ka edhe një murtajë qeskash
plastike.
ALBAN DUDUSHI - Ja pra ku i gjetëm
edhe kontrastet për syrin tuaj, se ne i
kemi parë dhe hera-herës s‘na bëjnë
përshtypje...
RUPERT EVERETT - Të gjithë jemi
mësuar me qese plastike, por e vërteta
është që këtu ka tepër. Sot isha në një
dyqan ku bleva një bluzë, të cilën ma
futën në tri qeska plastike. Megjithatë,
nuk e kritikoj Shqipërinë, e dua atë, por
meqë më pyetët, këto janë dy gjërat që
më kanë vrarë syrin.
ALBAN DUDUSHI - Paskeni rënë në
dashuri njësoj si Bajroni...
RUPERT EVERETT - Është e pamundur
të mos biesh në dashuri me
Shqipërinë.
ALBAN DUDUSHI - Në fakt aktorët
kanë aftësinë të futen brenda personazhit
dhe të marrin prej tij. Ndoshta
në këtë dashuri tuajën për Shqipërinë
ndikon edhe Bajroni...
RUPERT EVERETT - S‘e di. Ndoshta
jam i zotëruar nga shpirti i Bajronit.
III. Mirazhe hollivudiane
ALBAN DUDUSHI - Filmin e parë e
keni xhiruar në vitin 1982 në mos gaboj,
apo jo?
RUPERT EVERETT - Po.
ALBAN DUDUSHI - A mund të
përcaktojmë një periudhë kur jeni zbavitur
më së tepërmi me filmat ku keni
punuar?
RUPERT EVERETT - Besoj me të
gjithë. Është një punë fantastike. Kam
takuar njerëz të mrekullueshëm. Kam
udhëtuar nëpër vende të bukura. Jam
argëtuar nëpër të gjitha filmat me të cilët
kam punuar, përveç dy rasteve...
ALBAN DUDUSHI - Cilat kanë
qenë?
RUPERT EVERETT - S‘ka ndonjë arsye
të veçantë pse s‘jam kënaqur. Thjesht
kam xhiruar një film francez, i cili s‘më
ka ngjitur shumë, por në përgjithësi jam
kënaqur me filmat ku kam punuar. Problemi
i aktorëve është kur janë pushim,
jo kur punojnë, sepse asnjëherë s‘e dinë
kur do t‘u vijë puna tjetër. Kur je i ri mund
të jetë surprizues fakti që s‘e di se kur do
të kesh një punë tjetër, por aktori këtë
pasiguri e ka edhe kur është 70 vjeç, ndaj
është e vështirë.
ALBAN DUDUSHI - Të krijohet ideja
që britanikët janë të dhënë më tepër pas
teatrit se pas filmit...
RUPERT EVERETT - Mendoj që
britanikët janë po aq të dhënë edhe pas
filmit, por e vërteta është që në Britani
s‘kemi pasur ndonjë biznes edhe aq të
suksesshëm të filmash.
ALBAN DUDUSHI - Në një libër
të vetin, Marlon Brando shprehet se i
vjen shumë keq që Hollivudi vazhdon
të sundojë botën, ndërkohë që ka edhe
prodhime të tjera kinematografike, italiane
apo britanike. Edhe ju të njëjtën
ide ndani?
RUPERT EVERETT - Është e vërtet që
Hollivudi sundon me filmat e tij, por vetë
Amerika kontrollon gjithçka, e jo vetëm
biznesin e filmit. Për gjithçka ne duhet të
bëjmë atë që na thotë Amerika. Në fakt,
rreth viteve ‘80, Italia ka pasur një biznes
të mirë filmash që s‘e ka më, po ashtu
edhe Britania ka prodhuar filma shumë
të mirë, edhe pse s‘ka pasur një biznes të
mirëfilltë filmash. Mendoj se aktualisht
industria e filmit është shkatërruar, është
një rrëmujë e vërtetë.
ALBAN DUDUSHI - Kur ishit i ri ëndërronit
të shkonit në Hollivud?
RUPERT EVERETT - Sigurisht!
ALBAN DUDUSHI - Si ishte Hollivudi
në përfytyrimin tuaj në atë kohë?
RUPERT EVERETT - Më parë mendoja
se ata që merreshin me filma apo
teatër pinin shumë alkool, drogë, bënin
shumë seks, por doli krejt ndryshe. U
shfaq si një ushtri. Hollivudi doli ndryshe
nga ç‘e kisha përfytyruar. Po ashtu edhe
bota e filmit, apo e teatrit është krejt ndryshe
nga ajo që kisha ëndërruar.
ALBAN DUDUSHI - Kjo pjesë ju
tërhiqte më tepër se ideja e të bërit art?
Ǒkuptim kishte arti për ty, jetë më e lirë,
apo shprehi e brendshme që duhej të
dilte diku?
RUPERT EVERETT - Të jem i sinqertë
me veten dhe ju, shkaku që më shtyu së
pari drejt aktrimit ishte egoizmi, sepse
doja të bëhesha një njeri i famshëm, një
njeri i njohur. Sigurisht më interesonte
edhe arti, por mbi të gjitha ishte dëshira
për t‘u bërë i famshëm, një superhero i
njohur në të gjithë botën.
ALBAN DUDUSHI - Ju tashmë jeni
i tillë...
RUPERT EVERETT - Në ditët e sotme
është e vështirë të kesh një karrierë të
qëndrueshme sikur edhe për 10 minuta,
por unë e kam pasur një të tillë dhe kam
mundur ta shtrij atë të paktën në një
periudhë tridhjetëvjeçare.
ALBAN DUDUSHI - Për hir të së vërtetës,
Hollivudi ka pjesën e tij në famën
tuaj, por nëse lexon librin autobiografik
"Red carpet and others banana skins",
duket sikur jeni pak mosmirënjohës ndaj
Hollivudit.
RUPERT EVERETT - Të them të
drejtën jam më shumë se mosmirënjohës.
Jam i zemëruar me të.
ALBAN DUDUSHI - Pse?
RUPERT EVERETT - Sepse Hollivudi
është një botë që shtiret. Tjetër thotë e
tjetër bën. Gjatë kohës që unë punoja në
Hollivud ishte fundi i epokës së Klintonit
dhe fillimi i epokës së Bushit. Historikisht
Hollivudi ka qenë pjesë e anës liberale
demokrate, por në fakt me lindjen e neorepublikanizmit
dhe me luftën e Irakut,
nisi të mbështeste Presidentin, pa pasur
guxim të fliste kundër asaj që po bëhej,
duke u bërë kështu mjaft i vakët. Mendoj se
kjo ka filluar që nga administrata e Reganit.
Më përpara, në vitet ‘70, Hollivudi ka pasur
një sukses të mahnitshëm. Ka pasur filma
shumë të bukur, jo vetëm komercialë, por
edhe artistikisht të arrirë. Papritur u rrëmbye
nga republikanizmi dhe kapitalizmi, e
nisi të tregonte histori që kishin të bënin
me korrektesën politike, ndaj ndihem i
mërzitur me të. I jam edhe mirënjohës,
sepse më ka dhënë shumë, por mendoj që
aktualisht s‘është në një pozitë të mirë.
ALBAN DUDUSHI - Ky lloj refuzimi
ndaj Hollivudit është një arsye juaja politike?
Pra është ideja që Hollivudi papritur
e pakujtuar bëhet konformist?
RUPERT EVERETT - Për mendimin
tim kinemaja duhet të jetë një pasqyrë e
shoqërisë, të tregojë se si është shoqëria. I
referohem Marlon Brandosë tek filmi "On
the waterfront". Kur njerëzit shihnin këtë
film, thoshin, po ky jam unë, pra identifikoheshin
me personazhin dhe botën që
krijonte ai. Për mendimin tim kinemaja
duhet të ngrihet vetëm mbi realitetin.
ALBAN DUDUSHI - Keni pasur idhuj,
pika referimi në kinema?
RUPERT EVERETT - Po, sigurisht.
Kam pasur shumë idhuj. Nga vitet ‘30,
‘50 shumë aktorë francezë. Kam pasur
shumë njerëz që më frymëzonin.
ALBAN DUDUSHI - Mund të përmendni
disa prej tyre?
RUPERT EVERETT - Montgomeri
Klif, Xhejms Din, Greta Garbo, shumë e
shumë njerëz, Katrin Denev, etj...
ALBAN DUDUSHI - Rebelimi juaj
ishte një armë për të fituar role nëpër
filma?
RUPERT EVERETT - Në të vërtetë
jo, sepse nëse do të fitosh role filmash,
s‘duhet të jesh rebel, duhet të konformohesh.
ALBAN DUDUSHI - Megjithatë, ju
keni luajtur shumë filma. Jeni konformuar
herë pas here?
RUPERT EVERETT - Jo, s‘jam konformuar.
Kam vazhduar rrugën time, por
kam pasur edhe shumë fat.
ALBAN DUDUSHI - E shpjegoni dot
fatin, apo nuk shpjegohet fati?
RUPERT EVERETT - Po të mundja të
shpjegoja fatin, do të isha një miliarder.
Fatin s‘mund ta shpjegosh dot. Ai vjen,
ose s‘vjen.
ALBAN DUDUSHI - Ju keni gjithashtu
katër romane të shkruara...
RUPERT EVERETT - Dy romane, tre
libra.
ALBAN DUDUSHI - Tre libra, njëri
prej të cilëve është ai që sapo përmendëm,
"Tapeti i kuq dhe lëkurat e tjera
të bananeve". Aty shfaqni një sy mjaft
vëzhgues, që ndoshta e keni edhe falë
talentit tuaj prej shkrimtari, po e quajmë
kështu...
RUPERT EVERETT - Është e vërtetë që
mua më pëlqen të shoh njerëz.
ALBAN DUDUSHI - Nëse unë citoj
disa emra, mund të komentojmë ato që
keni shkruar për ta në librin që sapo përmendëm.
Për shembull Madona...
RUPERT EVERETT - Kam thënë që
djersin.
ALBAN DUDUSHI - Nuk e ka pëlqyer
ajo këtë frazë tuajën?
RUPERT EVERETT - Jo dhe aq shumë.
Është interesante të them, që tri femra të
famshme, Madona, Xhulia Roberts dhe
Sheron Ston vijnë era djersë. Kam thënë
gjithashtu edhe që janë si qen meshkuj,
që u pëlqen të urinojnë në vende të
ndryshme, për të shënuar territorin e
tyre. Sigurisht atyre s‘u ka pëlqyer kjo
gjë. Personalisht preferoj më tepër erën
e djersës, se aromën e deodorantëve
amerikanë. Mendoj se ajo që kam thënë
ka qenë një kompliment shumë i bukur,
por që s‘u mor ashtu.
ALBAN DUDUSHI - Të tria të keqkuptuan,
apo vetëm Madona e shprehu
mërzitjen?
RUPERT EVERETT - Të them të
drejtën asnjërës prej tyre s‘iu bë qejfi.
ALBAN DUDUSHI - Faktikisht kam
idenë që edhe shumë meshkuj shqiptarë
që po ju ndjekin në këto momente, e
që s‘kanë pasur rastin ta lexojnë librin
tuaj, apo t‘i njohin këto femra nga afër,
mbeten pak të surprizuar, e pse jo edhe
të zhgënjyer nga kjo gjë.
RUPERT EVERETT - Pse s‘u pëlqen
era e djersës meshkujve shqiptarë?
ALBAN DUDUSHI - Ju i keni inat
femrat e bukura? Sepse duket pak cinik i
gjithë ky koment në lidhje me djersën.
RUPERT EVERETT - Çfarë ka cinike
në komentet e mia?
ALBAN DUDUSHI - Ndoshta është
çështje kulture, por kur flet për djersën
mendon për gjëra të palara.
RUPERT EVERETT - Kjo është e vërtetë,
por është mjaft interesante që këto
tri gra kaq të njohura në botë, zgjedhin
të vijnë erë. Unë i admiroj ato dhe gjithë
gratë e bukura, por ky është një fakt mjaft
interesant mbi to.
ALBAN DUDUSHI - Një tjetër femër
mjaft e njohur për publikun tonë, absolutisht
shumë e bukur, me të cilën ju keni
pasur rastin të luani te filmi "Kronikë e
një vdekjeje të paralajmëruar", Ornela
Muti. Për të keni thënë se është një femër
me këmbë në tokë, por ndoshta edhe për
shkak të kaviljeve të saj të trasha...
RUPERT EVERETT - Ju nuk e keni
lexuar të tërë librin dhe i referoheni
vetëm një fraze. Për Ornela Mutin kam
thënë që ajo është shumë e bukur, vetëm
se përbëhet prej dy pjesëve të ndryshme.
Nga mesi e lart ka një bust mjaft të bukur,
me shpatulla të hijshme, qafë dhe fytyrë
të mahnitshme, kurse nga mesi e poshtë
ka këmbë paksa të trasha, te pjesa e kaviljeve,
ndaj kam thënë që Ornela është
një person me këmbë në tokë, e me shaka
ndoshta falë edhe kaviljeve të mëdha.
Realisht ajo është një njeri mjaft i përulur,
aspak arrogante dhe egocentrike.
ALBAN DUDUSHI - Le të flasim
pak, meqë jemi tek Ornela Muti, edhe
për kinemanë italiane. Keni luajtur me
Marçelo Mastrojanin e Sofia Lorenin, të
cilët në Shqipëri janë më të famshëm se
shumë aktorë të Hollivudit. Ka diçka që
mund të thoni për ta?
RUPERT EVERETT - Janë fantastikë,
veçanërisht Marçelo Mastrojani. Ishte
një njeri i madh, një person i mrekullueshëm,
e gjithashtu me këmbë në tokë, të
cilit i pëlqente vetëm të punonte. Ishte
mjaft i thjeshtë dhe më tepër se thjesht
një yll kinemaje.
ALBAN DUDUSHI - Të kthehemi te
dy nga kolegët tuaj anglezë. I pari është
Hug Grent. Miq apo rivalë?
RUPERT EVERETT - Miq.
ALBAN DUDUSHI - Është e vërtetë
që keni pasur një projekt për realizimin
e filmit "Agjenti 007" në versionin homoseksual,
por nuk është pranuar ideja?
Dhe Hug Grent është projektuar për të
luajtur një film të tillë?
RUPERT EVERETT - E vërteta është
që unë e kam shkruar një skenar të tillë,
por që s‘ka nisur kurrë.
ALBAN DUDUSHI - S‘do njeri ta shohë
agjentin e famshëm 007 në një variant
jo heretoseksual?
RUPERT EVERETT - Jo. E vërteta
është që studioja kinematografike që
do ta prodhonte donte një film komik,
ndërkohë që ne donim që ai të ishte një
film serioz. Edhe puna e skenaristit në
Hollivud është mjaft e vështirë dhe është
një art më vete.
ALBAN DUDUSHI - Kolin Fërth, miq
apo rivalë?
RUPERT EVERETT - Miq.
ALBAN DUDUSHI - Do t‘ju pyes edhe
për një regjisor e aktor tjetër, i cili në
vitet ‘90 pati një shpërthim fantastik në
Hollivud, duke rikthyer Shekspirin atje,
Kenet Branak. E njihni? Profesionalisht,
personalisht?
RUPERT EVERETT - Po e njoh, si
profesionalisht, ashtu edhe personalisht.
Kemi luajtur një dramë së bashku që nga
zanafilla e karrierës sonë.
ALBAN DUDUSHI - Si është të punosh
me të?
RUPERT EVERETT - Shumë këndshëm.
ALBAN DUDUSHI - Thamë që keni
ëndërruar të bëheshit rokstar, keni nxjerrë
dy albume, të cilat s‘kanë pasur ndonjë
sukses të madh. Ǒbëhet me ëndrrën tuaj
prej rokstari?
RUPERT EVERETT - Ka marrë fund.
ALBAN DUDUSHI - Pse?
RUPERT EVERETT - Do të isha një
rokstar plak. Më ka kaluar mosha në këtë
aspekt. Ndoshta filloj këtu një karrierë si
këngëtar polifonik.
ALBAN DUDUSHI - Ju pëlqeu polifonia...
RUPERT EVERETT - Po.
ALBAN DUDUSHI - Kështu që mund
të jetë edhe ky fillimi i një karriere të re.
Çfarë ju intereson më shumë tani?
RUPERT EVERETT - Të rri i qetë, të
pi një kafe e të mos bëj shumë gjëra.
Idealisht.
ALBAN DUDUSHI - Praktikisht?
RUPERT EVERETT - Praktikisht më
duhet të punoj, por në të vërtetë jam
mjaft dembel.
ALBAN DUDUSHI - Nëse Obama i
fiton zgjedhjet në Amerikë, do t‘i ktheheni
Hollivudit?
RUPERT EVERETT - Shpresoj të fitojë
ai. Nëse fiton Obama do të kthehem në
Nju Jork.
ALBAN DUDUSHI - Gjithsesi, ai do të
jetë në Uashington...
RUPERT EVERETT - Po, por çdo gjë
do të ndryshojë, do të jetë më mirë.
ALBAN DUDUSHI - Ju falënderoj
për praninë këtu. Shpresoj të mos jetë
komunikimi i fundit kaq i gjatë me
shqiptarët.
RUPERT EVERETT - Ishte një intervistë
mjaft e gjatë. S‘kam pasur asnjëherë
një intervistë kaq të gjatë. Shpresoj të
mos jetë mërzitur publiku.
ALBAN DUDUSHI - Të jeni i bindur
që keni qenë shumë interesant.