E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Tiranës dhunon gazetarin Arjan Konomi

Autori i Lajmit: Redaksia
Prefekti i Tiranës Keltis Kruja ka ushtruar dhunë fizike mbi gazetarin Arian Konomi. Historia e një skandali që tenton të mbahet në heshtje ka ndodhur në një nga lokalet më të njohur të Tiranës. Gjithçka ka nisur për një vajzë, e cila ngacmohej seksualisht nga prefekti i Tiranës, dhe gazetari ka dashur ta mbrojë. Dhe ja ku vjen kundërpërgjigja. Konomi goditet barbarisht nga zyrtari i lartë.

Ja dëshmitë e një skandali të turpshëm të mikut të djalit të kryeministrit

“Po, unë e kam parë të gjithë skandalin e turpshëm. Ishte një dhunë e frikshme. I njoh agresorët, dy nga ta ishin prefekti i Tiranës Keltis Kruja dhe Gent Minarolli, funksionar i lartë drejtues në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor. Me ta ishin dhe tre djem të tjerë dhe të pestë së bashku, në të njëjtën kohë, dhunuan në mënyrë shtazarake gazetarin Arian Konomi. Nuk mund të them se ishin dy palë që bënë sherr; sepse gazetari u godit ashpër dhe befasisht aq sa dhe nuk kishte mundësi të vetëmbrohej”. Një dëshmitar okular zbardh një ngjarje tejet të rëndë, kur persona të veshur me pushtet dhunuan në lokalin Living Room gazetarin e njohur shqiptar, korrespondent edhe i revistës Limes, në Itali.

Dëshmitar edhe Gert Bogdani

Menjëherë mbas rastit fatkeq të goditjes së gazetarit Mero Baze, dëshmitari okular vendos të rrëfejë detaje direkte për goditjen tjetër të gazetarëve nga shteti, që ndodhi në të gdhirë të datës 1 nëntor, në një nga lokalet më të njohur të Tiranës. Sipas tij, dëshmitar tjetër i ngjarjes ishte dhe deputeti i partisë demokratike Gert Bogdani, por krejt i papërfshirë në sherr. Madje edhe e kishte dënuar atë më pas. “Nuk e di se deri ku mund të shkojnë “këta”, edhe unë që isha pranë atij shpërthimi të egër dhune, pata frikë. Frikë kam dhe tani”, thotë D. B., 29 vjeç, që natën e dhunës ndodhej në të njëjtin lokal me të fejuarën e tij. Lajmi për atë çfarë kishte ndodhur u shfaq në suplementin e të shtunës, datë 7 nëntor, në Gazeta Shqiptare, Blue Tooth; suplementi sqaronte dinamikën e ngjarjes, por nuk përmendte emrin e gazetarit të dhunuar. Ai është Arian Konomi.

Policia dhe Prokuroria
refuzojnë denoncimin e Konomit

Vetë Konomi refuzon të flasë. Ai nuk mohon ngjarjen, por në fakt e ka të pamundur ta mohojë atë. Tre të çjerra paralele në qafë të shkaktuara nga thonj, në anën djathtë të saj, “përgënjeshtrojnë” fort “no comment”-in e tij. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ngjarja, në fytyrën e tij dallohen ende gjurmët e dhunës. Nuk ka ende një denoncim penal të ngjarjes. Burime të rezervuara nga policia pohojnë se në datën 1 nëntor Konomi ka shkuar të bëjë kallëzimin penal, por nuk e kanë pranuar dhe e kanë adresuar në prokurori. Edhe në prokurori, në momentin e parë, kallëzimi i Konomit nuk është marrë për shkak të mungesës së prokurorit të gatshëm dhe më pas, gazetari, në rrethana të paqarta, nuk ka tentuar më tej. Megjithatë, miq të afërt të tij saktësojnë se për ditë e ditë me radhë, vetë Prefekti i Tiranës Kruja dhe individë të tjerë, i kanë kërkuar me ngulm Konomit që ngjarja tejet e rëndë të zgjidhet me pajtim. Konomi as nuk e pranon dhe as nuk e mohon një gjë tillë, por miqtë e tij këmbëngulin fort: kështu ka ndodhur! E kanë goditur barbarisht dhe krejt pa asnjë arsye! Duket se ngjarja tjetër e rëndë, goditja e gazetarit Mero Baze të hënën pasardhëse nga biznesmeni i afërt me pushtetin Rezart Taçi dhe skandali që shpërtheu më pas, ka qenë një nga arsyet që kjo histori kaloi pothuaj në heshtje. Ndonëse po aq e rëndë sa e para dhe me siguri, shumë më e egër për nga lloji i dhunës së ushtruar dhe sidomos, për shkak të faktit se agresor kësaj radhe është direkt një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, prefekti i Tiranës, Kruja, i njohur më së shumti si miku i ngushtë i të birit të Kryeministrit Sali Berisha. Keltis Kruja, jurist me profesion, vetëm 32 vjeç, ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Inspektimit në Ministrinë e Brendshme dhe në 20 gusht të këtij viti, është prezantuar si prefekt i Tiranës. Në atë kohë, media, ose e kaloi me një njoftim të thatë këtë fakt, ose e konsideroi – media opozitare – një emërim tipik klientelist, të ndodhur për meritën e vetme se Kruja është miku i ngushtë i të birit të kryeministrit Berisha.

Ja detajet e ngjarjes
në lokalin e natës

Kishte kaluar mesnata e të premtes dhe rreth orës 03.30 të mëngjezit, situata në tavolinën ku ndodhej Kruja, Minarolli dhe tre të rinj të tjerë, ishte ndezur. Alkooli në gjak dhe epshi për seks, kishte kaluar kufinjtë normalë. Në tavolinën ngjitur me ta, ndodhej gazetari Arian Konomi me dy miq të tij, të shoqëruar edhe nga katër vajza të reja. Prefekti Kruja tentoi disa herë të ndërhynte në bisedën e tavolinës së tyre. Shkruante në pusulla të vogla letre emrin e tij, funksionin dhe numrin e celularit dhe ja dërgonte 21 vjeçares V. D., studente, që ndodhej në tryezë me Konomin. Po aq aktiv ishte dhe miku i tij Minarolli që i bënte vajzës “oferta” të hapura për miqësi me prefektin. Refuzimit të saj të ftohtë i përgjigjej një monedhë edhe shumë më vulgare. Prefekti Kruja, ngrihej nga tavolina e tij dhe duke u ngjeshur mbas vajzës – lokali ishte i mbushur plot me klientë – e ngacmonte me duar në pjesët e saj intime. Jo vetëm njëherë! Vajza protestoi disa herë, edhe miqtë e saj që ndodheshin me të, bënë të njëjtën gjë. Por uria dhe babëzia e djalit të veshur me pushtet, ishte e pandalshme. Kjo deri në momentin kur gazetari Konomi reagon: “Ju lutem, mjaft! Nuk e shikoni që vajza nuk e do shoqërinë me ju!” Kaq do të mjaftonte që prefekti i Tiranës Keltis Kruja, drejtori Minarolli dhe tre shoqëruesit e tyre, të rrëzonin përdhe tavolinën e tyre, të godisnin fillimisht gazetarin Konomi me shishet e birrës e pastaj ta vinin nën vete dhe të vazhdonin ta godisnin ku të mundnin. Në sy të të gjithë klientëve të tjerë të lokalit, që të shokuar nga ngjarja nuk arritën të ndërhyjnë. Kruja i pyetur nga gazeta, që publikoi lajmin mësohet të ketë thënë “Nuk jam zënë me njëri, citohet Kruja, i cili gjithashtu vetë, pohon se në natën e ngjarjes ndodhej në lokal. Për ngjarjen e rëndë dhe skandaloze ka marrë njoftim edhe kryeministri i vendit. Deri tani zoti Berisha, i menjëhershëm në reagimin nëpërmjet zëdhënëses së tij për skandalin Baze, nuk ka reaguar zyrtarisht.

Kruja kërkon pajtim,
asnjë reagim nga Konomi

Vetëm të nesërmen – të shtunën, 31 tetor - i njoftuar se Konomi kishte nisur të bënte hapa legalë për të ndëshkuar agresorët e tij, prefekti Kruja kuptoi përmasën e rëndë të aktit barbar që kishte kryer. Ai kërkon të takohet me Konomin, në të njëjtën kohë që tek gazetari mbërrinin bashkë me dhjetëra telefonata solidariteti miqsh, edhe kërkesa për t´u takuar me prefektin dhe për të mbyllur me paqe historinë e dhunës. Vetë gazetari Konomi pranon se ditë më pas është takuar me prefektin Kruja, por nuk dëshiron të tregojë detaje të bisedës. “Nuk dua të jem pjesë e kësaj historie”, thotë ai. “Takimi ka ndodhur”, ngulmojnë miq të gazetarit, sipas të cilëve, prefekti i ka kërkuar me ngulm gazetarit të ndalojë denoncimin e ngjarjes së rëndë. Eshtë padyshim një nga ngjarjet më të rënda dhe një nga skandalet më të ulët të ndodhur në këtë periudhë. Dy zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, një nga ta, prefekt i Tiranës, sulmojnë pa asnjë motiv, në gjendje të rënduar nga alkooli dhe epshi një gazetar të njohur shqiptar. Autoritetet përgjegjëse duhet të hetojnë mbi këtë ngjarje, por edhe nëse kjo gjë nuk ndodh, protagonisti i saj kryesor, i katapultuar në majat e administratës shtetërore në mënyrë të dyshimtë, duhet të tregohet me gisht si autor i një vepre që do të turpëronte dhe vetë turpin. Eshtë goditur dhe një gazetar tjetër përveç Bazes, heshtja mbi këtë të vërtetë, nuk e bën skandalin më të vogël, përkundrazi, e bën atë më ulëritës.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›