Kryeqytetit i shtohen 25 parkime për taksitë
TIRANE-Pas grevës disaditore të taksistëve të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës miraton 25 pika të reja vendqëndrimi për këtë shërbim. Dje, kryebashkiaku Edi Rama ka firmosur me një vendim të posaçëm shtimin e numrit aktual të vendqëndrimeve në Tiranë të shërbimit taksi 4+1, si dhe vendosjen e sinjalistikës përkatëse të 25 pikave të reja. Shtimi i parkimeve të reja për shërbimin taksi është bërë me qëllim shpërndarjen më të mirë të vendqëndrimeve në të gjithë hapësirën e kryeqytetit, në mënyrë që ato të shërbejnë sa më me efektivitet ndaj qytetarëve. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka marrë në konsideratë edhe kërkesën e Shoqatës së Taksistëve për kalimin e mjeteve të shërbimit taksi në korsinë bus. Specialistët e shërbimit urban janë duke punuar për të siguruar pajisjet e nevojshme të sinjalistikës, të cilat do të lejojnë që qarkullimi i taksive të kryhet në korsinë ekzistuese të autobusëve. Projekti që pritet të përfundojë brenda vitit, parashikon lëvizjen e mjeteve në korsinë e autobusëve, në mënyrë që shërbimi ndaj qytetarëve të bëhet në një kohë sa më të shpejtë, duke evituar trafikun e rënduar të kryeqytetit.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)