E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divjakë, dallgët nxjerrin në breg peshkatarët e mbytur prej 2 ditësh

Peshkatarët lanë pas mjerimin në familje. Fqinjët apelojnë për ndihm렠
Dy ditë pas tragjedisë së ndodhur në Divjakë, deti nxjerr në breg 2 viktimat. Stavri Prendi dhe Vangjel Trungu, humbën jetën teksa dolën në det për peshkim, por moti i keq shkaktoi përmbytjen e vartës së tyre, nga ku më pas ata përfunduan në det. Edhe pse dy ditë më parë ata dolën të dy bashkë në det për të mbledhur rrjetat e peshkimit, trupat e tyre u gjendën dje të ndarë. Trupi i pajetë i Stavri Prendit është gjetur nga forcat kufitare të Kavajës në brigjet e plazhit të Spillesë, rreth orës 07:10 të ditës së djeshme.  Ndërkohë që 53- vjeçari Trungu është gjetur fare pranë vendit ku edhe u mbyt varka e tyre. Menjëherë sapo dy trupat e pajetë janë nxjerrë nga uji, familjarë të shumtë janë paraqitur për të tërhequr viktimat, e për të kryer ceremoninë mortore. Në të dyja familjet e viktimave, të cilat ndodhen fare pranë njëra-tjetrës, vaji e zia kanë pushtuar gjithçka. Njerëz të veshur me të zeza e me kurora me lule në dorë i janë drejtuar familjarëve për të ngushëlluar bashkëshortet e mbetura të veja e fëmijët që qajnë mbi trupat e baballarëve të pajetë. "Dolën për të siguruar bukën e gojës e u kthyen në shtëpi me arkivol. Është ky fati i keq që shoqëron njerëzit e ndershëm e të punës. Me vdekjen e Stavrit, e gjithë familja do të përjetojë një krizë ekonomike, duke qenë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të jetuar. Është një dhimbje e papërballueshme e tepër e madhe", shprehen familjarë të Stavri Prendit, teksa të pikëlluar vajtojnë humbjen e të afërmit të tyre. Ndërsa  bashkëshortja dhe tre fëmijët e Stavrit, vajtojnë mbi trupin e tij duke kujtuar gjithë peripecitë që kanë hequr për të përballuar një jetë të vështirë në fshat. "Ka tre vajza të vogla dhe një bashkëshorte që nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, e aq më tepër të punojë për të mbajtur familjen. Prandaj, ne si fqinj të tyre kërkojmë një ndihmë ekonomike nga shteti", kanë deklaruar një zëri fqinjët të mbledhur në familjen, ku ka pllakosur zia. Ndërkohë e njëjta gjë ka ndodhur edhe në familjen e Vangjel Trungut. Sipas të afërmve të pranishëm në ceremoninë mortore, kjo familje ka 6 fëmijë, tre vajza dhe tre djem që tashmë kanë mbetur pa asnjë përkrahje. Të afërmit, por dhe fqinjët kanë deklaruar se gjithmonë Vangjeli endej të siguronte jetesën për familjen, ndërsa ka pasur edhe një fëmijë të sëmurë mendor. "Ai ka punuar në më të shumtën e kohës me ndërmarrjen e nxjerrjes së gazit në Divjakë, por kishte rreth 10 vjet që e kishin nxjerrë nga puna dhe merrej me peshkim. Vangjeli ishte njeri punëtor. Ai shkonte çdo ditë në det me varkën e rrjetat, së bashku me mikun e shokun e tij, Stavri Prendin por që kësaj here ishte një gjëmë e madhe për ta. Prandaj kërkojmë si fqinj të tyre, që të ndihmohen me pension fëmijët dhe gratë e tyre, pasi janë në kushte të vështira ekonomike", kanë deklaruar fshatarët e Divjakës.

Last Updated on Friday, 06 March 2009 22:04

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›