"Çifti Martin" i ftuar në FestivalinIncontri Teatrali
Shfaqja "Çifti Martin" e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila në datën 14 mars do të vijë në Teatrin Kombëtar në Tiranë, është ftuar në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar "Incontri Teatrali" që do të mbahet në Lugano të Zvicrës në datat 1720 prill.
Çifti Martin, sipas Eugene Ionescos, në regji të Bekim Lumit, me aktorët Astrit Kabashi dhe Gresa Pallaska, ka pasur premierën me datë 29 nëntor 2008 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nga kritika kosovare kjo shfaqje ka marrë vlerësime shumë pozitive. Deri më tani, kjo shfaqje ka pasur 15 ngjitje skenike dhe është prej shfaqjeve më të pëlqyera nga publiku. Incontri Teatrali, konsiderohet si njëri prej festivaleve të rëndësishme teatrore në Evropë, që, ndër të tjera, fton edhe producentë teatrosh dhe menaxherë të shumtë festivalesh nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo ftesë për pjesëmarrje në këtë festival ndërkombëtar, në adresë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është e para mbas gati 8 vitesh, pa llogaritur këtu pjesëmarrjen e TKK në festivale regjionale. Çifti Martin, me regji të Bekim Lumit, është cilësuar si një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila me ekspresivitetin e saj skenik dhe motivin artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe njëkohësisht të qajë me lot ironie pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.