Stafi i MTKRS: Ja çfarë kemi arritur
Ajo çfarë ka ndodhur këto ditë me Ministrinë e Kulturës ka bërë që stafi i kësaj ministrie të përgatisë një raport mbi punën e bërë në këtë institucion gjatë disa viteve. Në njoftimin e zyrës së shtypit theksohet se: Të detyruar nga presioni i medias në ditët e fundit kundrejt stafit dhe punës së bërë në MTKRS falë këtyre viteve ndjejmë detyrimin moral dhe profesional për të informuar të vërteta më të qenësishme dhe të vlera lidhur me aktivitetin dhe sukseset e prekshme që janë imazhi real i kësaj ministrie.
Të gjithë ata që prej shumë vitesh, apo së fundmi janë bërë pjesë e stafit të MTKRS janë të vetëdijshëm për ritmin e lartë të punës, kërkesën e lartë të kërkuar në punë dhe korrektësinë që iu është kërkuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse. Vëmë në dukje që gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e Ministrit në punë kanë qenë korrekte. Prej vitit 2007, puna në të katër drejtimet që mbulon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën drejtimin e Z.Ylli Pango, ka njohur një rritje cilësore dhe sasiore lehtësisht të konfirmueshme nga të gjithë. Kjo punë është produkt i punës, seriozitetit dhe vullnetit të një stafi të përkushtuar profesionist dhe teknik që kanë bërë të mundur arritje thelbësore në Turizëm, Kulturë, Rini dhe Sport. Të gjithë janë të vetëdijshëm për volumin e jashtëzakonshëm të punës, që është ndjerë në të gjitha skajet e territorit shqiptar, kudo ku ka institucione në varësi të MTKRS-së, thuhet në njoftimin zyrës së shtypit të Ministrisë së Kulturës. Ndërsa më tej njoftimi vijon se në këtë aspekt nga pikëpamja profesionale nuk mund të vihen në dyshim rezultatet, të cilat janë reflektuar jo vetëm në mediat vizive apo të shkruara shqiptare por edhe ato ndërkombëtare gjatë gjithë kësaj periudhe. Si profesionistë të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shprehim falënderimin, respektin e treguar dhe reflektuar, por dhe debatet konstruktive të cilat kanë një rezultat të përbashkët: atë të afrimit të një produkti cilësor artistik, kulturor, turistik, sportiv apo rinor nën drejtimin e ministrit Ylli Pango. Për sa më lart është e padiskutueshme që puna jonë do të vazhdojë me të njëjtin ritëm si një detyrim i yni profesional ndaj ligjeve të shtetit shqiptar dhe në shërbim të funksionimit të administratës publike. Të bindur që puna e qindra punonjësve të sistemit të institucioneve të MTKRS është vlerësuar në vijimësi për cilësinë e lartë të saj, thuhet më tej në njoftimin e zyrës së shtypit të MTKRS.