E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divjakë, mbyten 2 peshkatarë, dështojnë kërkimet në gjetjen e trupave

Dolën në det të hapur për të peshkuar, por kanë përfunduar të vdekur pas përmbysjes së varkës. Ka qenë ky fati i keq i dy peshkatarëve, të cilët kanë humbur jetën në ujërat e Divjakës, paraditen e djeshme. Deti i ka përpirë në thellësitë e tij, megjithëse menjëherë u është ofruar ndihmë. 48- vjeçari Stavri Prendi e 53- vjeçari Vangjel Trungu kishin dalë për të mbledhur rrjetat e hedhura gjatë natës së kaluar. Ka qenë ora 06:50 e mëngjesit së të enjtes, kur të dy burrat kanë dalë më varkën e tyre për të mbledhur rrjetat e peshkimit. Era e fuqishme dhe moti tepër i turbullt kanë bërë që varka me të cilën dolën në det Trungu e Prendi, të përplaset rreth 300 metra larg nga bregu duke u përmbysur. Përplasja e fuqishme e varkës dhe rrëzimi në ujë i dy viktimave ka bërë që peshkatarë të tjerë të ndodhur në po të njëjtin vend të drejtohen në ujë për të ndihmuar dy shokët e tyre. Por gjithçka ka qenë e pamundur, madje edhe gjetja e trupave ka qenë një mision i cili megjithëse ka vazhduar deri në orët e vona tëe pasdites së djeshme, nuk ka dhënë rezultat pozitiv. Peshkatarët kanë treguar çastet e tmerrit menjëherë pasi kanë ndalur së kërkuari për dy viktimat. "U drejtuan për në brigjet e Divjakës qysh një natë më parë, pasi deti me turbullirë është tepër i favorshëm për të peshkuar. Pasi hodhën rrjetën një natë më parë, kur u gdhi u drejtuan në det për të tërhequr rrjetat me peshk. Deti ishte shumë i turbullt dhe rrymat detare tepër të fuqishme. Megjithë këto kushte moti, ata nuk u ndalën, pasi menduan se grumbullimi i rrjetave nuk do të zgjaste shumë duke parë edhe cektësinë në të cilën ishin hedhur ato. As pesë minuta pasi u drejtuan për në det, barka filloi të lëkundej fuqishëm e pak minuta më vonë u përplas afro 300 metra larg bregut. Menjëherë në morëm një varkë tjetër për të shkuar në drejtim të tyre e për ti shpëtuar, por ishte e pamundur. Deti mbi 7 ballë nuk na lejoi të shkonim shumë larg duke penguar lëvizjen e varkës sonë. Varka e mbytur përplasej nga dallgët, e ndërsa dy shokët tanë nuk u dukën më në sipërfaqe", kanë pohuar dhimbshëm peshkatarët, të cilët kishin dalë për të njëjtin "mision" me dy viktimat, Trungu e Prendi. Humbja e dy peshkatarëve është një tragjedi e madhe për familjet e tyre. Peshkimin e kishin të vetmen mënyrë jetese, e tashmë familja do të vuajë jo vetëm humbjen e njërit prind, por edhe varfërinë. E ndërsa dhimbja ka pushtuar familjet e viktimave, ata ende nuk kanë një trup ku të derdhin lotët e tyre. Stuhia e fortë e moti i ashpër nuk ka lejuar as polumbarët që të kërkojnë me intensitet të plotë. Menjëherë sapo janë lajmëruar, këta të fundit të shoqëruar edhe nga uniforma të shumta policie i janë drejtuar bregdetit të Divjakës ku dhe janë vënë në kërkim të trupave të mbytur deri në orët e vona të pasdites së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›