E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cirku i Tiranës, 17 artistë performojnë në arenën e Strunicës

Trupa e Cirkut të Metropolit përfaqësoi Shqipërinë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 15-vjetorit të Federatës Europiane të Shkollave të Cirkut Profesionist në Strunicë të Maqedonisë. Zyra e shtypit e pranë Qendrës Kulturore Tirana bëri të ditur se ky përvjetor u festua në 2 mars, me organizimin e Karnavaleve të Strunicës. Në të morën pjesë trupa të artistëve të cirkut nga shumë vende të Europës si: Italia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, etj. Aktiviteti i zhvilluar në qytetin e Strunicës ( Maqedoni) ishte një aktivitet që zhvillohej me rastin e 15-vjetorit të FEDEC (Federation Europeene des Ecoles de Cirque Professionelle- Federata Europiane e Shkollave të Cirkut Profesionist). Duhet përmendur që në fillim se stafi i karnavaleve ishte përkujdesur në maksimum për mbarëvajtjen e aktivitetit duke filluar që nga akomodimi në hotelin (CAR SAMUEL) dhe deri tek partet e organizuara për të ftuarit. Grupi i artistëve të Cirkut Metropolitan të Tiranës mori pjesë në galanë e organizuar, ku grupi shqiptar së bashku me grupet nga : Italia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria etj, përbënin një grup të madh të ftuarish, thuhet në njoftimin zyrës së shtypit të qendrës Kulturore Tirana, pjesë  e së cilës është dhe Cirku i Tiranës. Trupa e Cirkut ishte e përbërë nga 17 artistë, të cilët performuan me shumë sukses dhe u mirëpriten nga qytetarët e pranishëm. Kulmi i aktivitetit ishte kur në podium u ngjit grupi nga Shqipëria në krye të të cilit ishte flamuri kombëtar. Trupa demonstroi një kolazh të profileve të akrobacisë si: plastikë, kllounate, zhonglerim, monocikel, patina etj. Duhet përmendur që aktiviteti kaloi në mënyrë dinjitoze dhe artistët pjesëmarrës performuan në mënyrë të shkëlqyer arritjet e veta, duke shpalosur talentin e tyre, thuhet më tej në njoftimin zyrës së shtypit. Cirku i Metropolit ka nisur aktivitetin e tij në fillim të vitit 2008, ndërkohë që ai është pjesë e Qendrës Kulturore Tirana, e themeluar që në vitin 2005. Gjatë këtyre viteve ai ka ofruar për publikun shfaqje me repertor të pasur artistik Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë Shkopi Magjik. Ndërsa në vitin 1964 premiera Fluturime akrobatike ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera Drejt lartësive e para në çadrën arenë të cirkut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›