E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, deklarata e shkencëtarit: Kam klonuar 14 embrione humanë

 

Një shkencëtar në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se ka hedhur hapin e parë të klonimit të embrioneve humanë. Shkencëtari Panayiotis Zavos tha se ka klonuar 14 embrione humanë dhe ka implantuar 11 prej tyre tek katër gra. Por asnjë nga embrionet nuk ka shkaktuar shtatzëni, sipas “Independent” online. Klonimi është filmuar përpara implantimit, të zhvilluar në një laborator sekret në një vend të Evropës Lindore. Sipas Zavos, ekzistenca e një fëmije të klonuar do të jetë e mundur brenda 1-2 vitesh. Edhe pse nuk është shkaktuar shtatzëni nga embrionet, shkencëtari ishte optimist dhe tha se ky ishte vetëm “kapitulli i parë” drejt krijimit të një qenieje humane të klonuar, duke u nisur nga qelizat e lëkurës së një prej prindërve. Zavos tha për “Independent” se disa embrione ishin zhvilluar deri në gjendjen katër qeliza, ndërsa disa të tjerë deri në 32 qeliza të quajtura molula. “Nëse ne intensifikojmë përpjekjet tona, mund të kemi një fëmijë të klonuar brenda një viti apo dy”, tha ai duke shprehur se qëllimi i tij ishte të ndihmonte njerëzit të shumoheshin. Sipas “Independent”, dhjetëra çifte kanë kontaktuar me shkencëtarin me shpresën se do të kalojnë problemet e tyre të papjellorisë, duke përdorur teknikën e klonimit që u përdor në vitin 1996 për delen Dolly. Në eksperimentin në fjalë janë përfshirë tre çifte të martuara dhe një grua beqare, të ardhur nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe një vend i Evropës Lindore. Testet e klonimit janë kryer në vitin 2003 dhe janë filmuar nga regjisori i dokumentareve, Peter Uilliams për “Discovery Channel”. Ky kanal do t’i transmetojë pamjet pas disa netësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›