Kanionet e Osumit, turistët "sos" në rrjedhën e lumit
SKRAPAR/ DILAVER XHELILI
Kanionet e Osumit rrezikuan dje jetën e 11 turistëve, shtatë prej të cilëve gjermanë dhe katër shqiptarë. Alarmi u dha prej vetë të rrezikuarve, të cilët kishin shkuar për të parë mrekullitë e natyrës përgjatë këtij lumi. Alpinistë të RENEA-s, forca të policisë së Beratit dhe të Skraparit u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes dhe me ndihmën e litarëve nxorën nga thellësia të 11 turistët. Mësohet se ata janë nisur dje pasdite nga Çorovoda për tek kanionet, rreth 5 kilometra larg qytetit. Pasi kanë mbërritur në këtë zonë që përshkohet nga fshatrat e Hamullës, Kakrukut dhe Bogovës, rreth orës 16:00 janë futur në kanione për të vozitur me varkë. Por papritur, gjatë lundrimit varkat kanë humbur drejtimin dhe i ka marrë rrjedha e lumit. Pas përpjekjeve për të normalizuar situatën, duket se në disfavorin e tyre ka qenë edhe një shi që kishte nisur në ato momente. Megjithë përpjekjet për të mbajtur varkën nën drejtimin e tyre, rrjedha i ka rrëmbyer ata duke i përplasur në një shpellë të vogël. Aty varka me turistët e huaj e shqiptarë ka ngecur. Frika se lumi mund të fryhej se pasojë e reshjeve i ka vënë të 11 personat në panik. Kjo pasi shpella nuk u jepte atyre asnjë mundësi daljeje bashkë me varkën, ndërsa hedhja në lumë rrezikonte seriozisht jetën e tyre. Pas dy orësh të bllokuar e në mëshirë të fatit, ata vendosën të jepnin alarmin. Një telefonatë sinjalizoi policinë e kjo e fundit u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Duke pasur parasysh terrenin e thyer e të rrezikshëm policia e Skraparit dhe ajo e Beratit i kërkuan ndihmë forcave speciale të Tiranës. Një grup alpinistësh të RENEA-s u nisën me mjetet e specializuara në raste rreziqesh të tilla drejt Bogovës për të shpëtuar turistët e bllokuar për dy orë. Sipas policisë, terreni ku ata ndodheshin ishte shumë i thepisur, me një shkëmb në formë thike e cila nuk i jepte mundësi që të vepronin. Disa policë të Beratit të lidhur me litar kanë zbritur në shtratin e Osumit për të parandaluar ndonjë mbytje. Në vend mbërritën edhe forcat e RENEA-s të cilët nëpërmjet litarëve bënë të mundur të evakuonin nga shpella 11 të bllokuarit. Turistët u shprehën në polici se ata ishin mahnitur nga bukuritë natyrore dhe nuk e kishin vënë re se rrjedha i kishte spostuar drejt shkëmbinjve. Mësohet se gjendja e 11 personave ishte jashtë rrezikut. Pasi morën ndihmë paraprake shëndetësore, ata u akomoduan në një nga hotelet e qytetit.