Meshkuj, kujdes! Mos krijoni shumë iluzione
Kremra që tonifikojnë lëkurën, xhele që lëmojnë dhe i japin shkëlqim fytyrës. Tendenca e fundit është tregtimi i produkteve kozmetike për meshkujt, ndërkohë që vazhdojnë polemikat për rreziqet që ato paraqesin duke u ngritur në qiell edhe nga reklamat.
“Bukurosh me çdo kusht”, këto do të ishin fjalët e duhura. Meshkujt po bëhen gjithnjë e më shumë kërkues ndaj vetes, dëshirojnë të kenë një trup perfekt, pa asnjë çikë dhjamë. Kremrat që gjenden në treg u krijojnë iluzione se mund të kenë një pamje vezulluese vetëm me pak mundim. Mund të flenë pa u shqetësuar, ndërkohë që ai xhel i veçantë vepron natën në thellësi në trupin e tyre. Pra të gjithë përbërësit e kremrave “aktivë” përzihen me njëri-tjetrin, duke premtuar rezultate çudibërëse e duke ushqyer një treg nga i cili përfiton më shumë nga ç’mendohet. Jo më kot thonë: “Reklama është shpirti mallit”.
Por a ekziston vërtet një krem, i cili është në gjendje “të gdhendë”, të rimodelojë ose të zbukurojë fytyrën ndërsa flemë? “Ne jemi shumë të qartë me konsumatorët”, thotë një menaxher i cili punon në një kompani produktesh kozmetike për meshkujt dhe femrat. “Kremrat kozmetikë nuk janë barna: nuk e ndryshojnë strukturën e lëkurës, nuk e transformojnë atë. Të gjitha reklamat që thonë të kundërtën duhet të përballen me pasojat”, shton ai. Në fakt ka shumë kompani produktesh kozmetike, të cilat bëjnë reklama të shtrenjta për një produkt i cili nuk bën asgjë më shumë veçse hidraton lëkurën. Një prej tyre është edhe “Manetti-H. Roberts”, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u gjobit me 490 mijë euro për praktika të çrregullta komerciale, të cilat lidheshin me mesazhe reklamuese të gabuara. E si mund të tretet dhjami, për shembull, duke fjetur pasi je lyer me një krem kundër celulitit? është absolutisht e pamundur. Kundër këtyre kompanive, të cilat bëjnë reklama të rreme për një produkt të ashtuquajtur çudibërës, është ngritur edhe shoqata “El Antitrust”, e cila mbron të drejtat e përdoruesve dhe konsumatorëve.
Pavarësisht krizës, produktet kozmetike për meshkuj po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh konsumatorësh. Sipas disa të dhënave të fundit, 30 për qind e produkteve të cilat shiten sot në Itali janë vetëm për meshkuj. Për bukurinë, italianët shpenzojnë 9.107 mijë euro, prej të cilave rreth 3 mijë euro shpenzohen vetëm për produktet kozmetike për meshkuj. Tani blihen më pak locione “after shave” (mbas rrojës) (-3,5%), por po investohet më shumë në kremrat për trajtimin e lëkurës (+ 1,2%), sidomos në ato të cilat janë provuar se kanë efekte të mrekullueshme në fytyrë dhe trup.
Gjithashtu një shitje të madhe kanë edhe xhelët zbutës për fytyrën, kremrat kundër rrudhave për qafën dhe për zonën përreth syve, kremrat hidratues, xheli kundër shkëlqimit të tepërt të fytyrës, locione për nxirje të shpejtë etj. Ndërkohë vazhdon të pakësohet koha (dhe paratë) që meshkujt i kushtojnë formimit kulturor dhe të rritet ajo që i kushtojnë pamjes së jashtme. Nëse e keni vënë re, të gjithë njerëzit përpiqen t’i blejnë produktet kozmetike në farmaci, sepse mendojnë se janë më të sigurta. Kohët e fundit, farmacitë janë bërë numri një në shitjen e produkteve për kujdesin ndaj trupit.
Sipas ekspertëve, sektori mashkullor do të jetë ai me zhvillim më të shpejtë dhe mosha që i preferon më shumë këto produkte kozmetike është ajo mbi 50. Natyrisht aty ku nuk mund ndërhyjë kozmetika, bën mrekulli bisturia. Po ashtu kanë filluar të rriten edhe kërkesat për ndërhyrjet estetike nga ana e meshkujve. Ata preferojnë kryesisht “lifting”, “liposuzione” plastikë abdominale. “Nëse deri para pak vitesh, 60 për qind e personave që i nënshtroheshin kirurgjisë plastike ishin nga mosha 30-50 vjeç, tani mosha mesatare është spostuar në 50 vjeç, madje shifrat tregojnë se 8 për qind i kalojnë të 70-at”, përfundon një profesor i kirurgjisë plastike.
#