E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peter Gabriel: Përse i publikoj këngët kur ka Hënë të plotë

Albumi i fundit i Peter Gabriel ka shkaktuar shumë diskutime e debate dhe mbi të gjitha i ka ndarë në dy grupe fansat e tij. Ja përse, sipas muzikantit, ai ka vendosur që të publikojë muzikë në çdo cikël të ri të Hënës

Ka qenë, por edhe vazhdon të jetë ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij, një nga gjenitë e rock-ut, ambasador botëror i muzikës dhe një nga yjet më të shndritshëm në qiellin e pop-it. Tashmë është shndërruar në një burrë pa frikë, me një trup të rregullt, për të cilin duket se përkujdeset në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë ka pamjen e taksixhiut që merret me shpërndarjen e picave. Kur e sheh përballë, ai ka një pamje fare të zakonshme, aspak prej idhulli të rock-ut dhe shumë më të thjeshtë nga ajo që shfaqet në ekran. Tashmë në moshën 60-vjeçare e ndien veten më me këmbë në tokë dhe preferon të vishet gjithnjë sportiv, edhe në okazionet që duan një veshje zyrtare. Karriera e tij nisi me “Genesis”, grupi i famshëm në të cilin ai i binte flautit. Më pas preferoi karrierën solo në vitin 1975. Arsyeja ishte se donte që të kalonte më shumë kohë me gruan e parë, Xhill dhe vajzën e tyre që thuajse humbi jetën ndërsa po vinte në jetë. Gjatë karrierës solo, Gabriel arriti që të kombinonte traditën me modernen, duke sjellë edhe shumë risi në albumet që nxori. Albumit të parë i dha emrin e tij dhe për të bërë videon e këngës kryesore iu desh që të qëndronte për 16 orë në shi. Ai u shndërrua menjëherë në një hit ndërkombëtar dhe është huazuar edhe si kolonë zanore në filma të tillë si “Pasioni i Krishtit” dhe të tjerë. Në vitin 1990 ai u përball me një divorc të dhimbshëm, si dhe pati disa marrëdhënie me Sinead O’Connor dhe Rossana Arquette. Sot ai ka një paraqitje shumë të përulur dhe të thjeshtë. Albumi i tij i fundit solo, “Up”, është lançuar në 2002-shin, vitin kur ai vendosi që të rimartohej ndërkohë që pjesën më të madhe të dhjetëvjeçarit e ka kaluar me familjen dhe dy djemtë e vegjël. Në vitin 2008, ai nxori disa këngë jo në album, të cilat u bënë kolonë sonore e disa filmave, si dhe organizoi një projekt bashkëpunimi me disa artistë të tjerë të famshëm, të cilët do të interpretonin këngët e tij si Bon Iver, Talking Heads apo Paul Simon. Janë këngë të cilat shprehin shumë mirë vokalizmin e Peter, duke i përqendruar dëgjuesit edhe te teksti i këngëve. Në këto krijime, sipas fjalëve të artistit, ai u përqendrua shumë në artin e të krijuarit këngë, një art kompleks që përfshin në të njëjtën masë me muzikën edhe lirikën, pra tekstin, fjalët e këngës. Ideja e shkëmbimit muzikor është një nga pasionet e fundit të Gabriel. “Zakonisht ne prodhojmë këngën, apo pjesë muzikore dhe më pas presim që njerëzit t’i dëgjojnë dhe t’i vlerësojnë. Ndërsa unë mendoj se është shumë më interesante që të eksperimentohet një mënyrë krijimi interaktive me njerëzit, një lloj dialogu mes tyre dhe procesit krijues”, thotë Gabriel. Ai ka dëshirë që të vazhdojë projektet me artistë të tjerë të famshëm që luajnë këngët e tij, por nuk është gjithmonë shumë e lehtë që të bësh bashkë emrat e mëdhenj të muzikës. Prodhimi i tij i fundit është “Scratch My Back” dhe reagimi i kritikës ndaj tij ka qenë pasionant, por ndërkohë ka shkaktuar ndarjen e fansave të Gabriel-it në dy grupe. Madje në faqen e tij të internetit ka nga ata që mendojnë se bëhet fjalë për një krijim ose sublim, ose tërësisht një dështim, madje dështimin më të turpshëm të karrierës së këngëtarit. Sipas tij, në të ka momente që mund të jenë të errëta, por ato janë perceptuar në momentet kur ai ka medituar për çështjet e jetës dhe ato të vdekjes. Ka shumë pjesë melankolike. “Kjo vjen nga dy arsye, sepse së pari unë kam një familje të re, dhe së dyti se i kam ende prindërit gjallë, që do të thotë se jetoj mes së resë dhe së vjetrës, mes asaj që do të vazhdojë të jetë dhe asaj që mund të mos jetë më nga momenti në moment. I ndodhur në mes të këtyre dy realiteteve më qëllon shpesh që të meditoj për ekstremet e ekzistencës sonë: vendin nga i cili vijmë dhe atë në të cilin ikim”. Gabriel është shumë i interesuar në mënyrë të veçantë nga kulturat latine, ku vdekja praktikisht injorohet. “Puna ime e fundit nuk është e obsesionuar nga vdekja, por unë besoj se në atë realitet, ka diçka më të gjallë nga sa ne kemi menduar, apo vazhdojmë të mendojmë. Ajo çka është e veçantë është se krijimet e fundit, ai ka nisur që t’i publikojë sa herë që ka Hënë të plotë, pra rreth një herë në muaj. “Hëna është një reklamim falas dhe është aty e shndritshme dhe e plotë. Njerëzit do të shohin Hënën e plotë dhe do të mendojnë për këngën time të re. Kjo është arsyeja e parë. Më pas, sipas shkencëtarëve, ka shumë gjëra që ndikohen dhe ndryshojnë rrjedhën e tyre normale të ekzistencës kur ka Hënë të plotë. Kjo nuk ka të bëjë me magjinë, por shpesh ne harrojmë faktin që jemi të lidhur me botën që na rrethon në një mënyrë më të ngushtë dhe më misterioze nga sa kujtojmë”

Gabriel, veç këngës është marrë edhe me fushata të ndryshme gjatë jetës. Kështu ka krijuar “Womad festival” në vitin 1980 për të promovuar interesat e artistëve në skenën botërore dhe festivalin e të drejtave të njeriut “Witness” në vitin 1992. Ka qenë një nga donatorët më të zellshëm të Partisë Laburiste para se të denonconte publikisht vendimin e Blair për luftën në Irak. Kur e pyesin se në rastet e përfshirjes së një ylli pop-i në politikë qendra e rëndesës kalon nga këngëtari dhe jo te çështja politike, ai përgjigjet: “Fama është një mall që humbet vlerën sa më shumë që ta përdorësh ndaj duhet të jesh i kujdesshëm”. Ky është shkaku që ai nuk mori pjesë në ribashkimin e grupit “Genesis” në vitin 2007. Ajo që vlen më shumë se talenti, për të është këmbëngulja dhe pastaj edhe spektatori.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›