E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shpëtojmë Tokën, mision i mundur

Nesër, OKB feston Ditën Botërore të Mjedisit. Pas dështimit të Samitit të Kopenhagës, më në fund pak optimizëm: baktere artificiale që “hanë” dyoksidin e karbonit, mikrosensorë që kontrollojnë pyjet dhe qendrat urbane, algoritme që drejtojnë trafikun dhe reduktojnë smogun. Nuk është fanta-shkencë: janë tri idetë për të pastruar botën. Armët ekologjike që njeriu disponon mund të përdoren dhe tani të shpëtosh planetin nga kolapsi është e mundur Tri ide për të pastruar botën

Organizma artificialë, mikrosensorë, algoritme: tre inovacione teknologjike do të shpëtojnë Tokën së bashku me ne. “Green Economy” është një realitet. Pas profetëve të Apokalipsit ambiental, lëviz një armatë revolucionarësh pozitivë që po ndërtojnë antidotet e shkatërrimit të tij. Zakonet tona të jetesës po evoluojnë. Edhe klasat drejtuese janë ndërgjegjësuar më shumë me sa duket. Pas dështimeve të samiteve të tilla si ai i Kopenhagës, pas rezistencave të lobingjeve që duket se paralizojnë veprimet e qeverive, fshihen tri opsione alternative drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Amerika, Kina, Gjermania kanë receta tërësisht të ndryshme, por të njëjtin qëllim. Konkurrenca mes këtyre sistemeve do ta bëjë të gjithë botën të ecë përpara. Një nga kufijtë e kërkimit shkencor që premton të mira të mëdha për ambientin është mbyllur dy javë më parë. është krijimi i një organizmi të gjallë (bakter) nga biologët amerikanë Craig Venter dhe Hamilton Smith. Fuqia e tij është shumë e madhe dhe Venter po e eksploron në drejtime të ndryshme. Brezi artificial i formave të jetës mund të materializojë për shembull algat e reja që do të jenë biokarburantet e së ardhmes: të aftë të thithin emetimet e dyoksidit të karbonit, duke i transformuar më pas në energji, ashtu siç bëjnë pemët. Duke përdorur sipërfaqen e oqeaneve, shumë më e madhe se korja e Tokës, “algat e mira” do t’i japin planetit një mushkëri për t’u mbushur më shumë me ajër. Një tjetër sfidë e biogjenetikes që është përshpejtuar nga punimet e Venter dhe Smith është krijimi i disa lloje të reja drithërash dhe foragjeresh që mund të kultivohen me një sasi shumë herë më të vogël uji se sa shpenzohet sot. Bujqësia është hidrovori më i madh i planetit, ku të mbjellat konsumojnë rreth 70 për qind të burimeve hidrike të botës, ndaj krijimi i specieve të reja përbën një shpresë të madhe për vendet në zhvillim dhe më të populluara, si Kina dhe India. Por, përveç organizmave artificiale mund t’i jepet edhe një përgjigje katastrofave ambientale si ajo që shkaktoi “British Petroleum” në Gjirin e Meksikës. “Në natyrë ekzistojnë baktere që ‘hanë’ naftën dhe e shndërrojnë atë në komponent qelizor organik”, tregon oqeanografi Ken Lee i institutit “Bedford” në Kanada. Po ashtu Albert Venosa i amerikanes “Environmental Protection Agency” ka treguar se duke i ndihmuar këto baktere me “përbërës” me bazë nitrogjenesh, fosfat dhe kalium, puna e këtyre baktereve do të përshpejtohet në mënyrë të llahtarshme, duke e shkatërruar përnjëherë naftën që normalisht do ta eliminonin në pesë apo gjashtë vjet”. Kërkimet e mëdha në gjenomën njerëzore kanë bërë që tani të kemi shpresa konkrete. Pas bakterit të parë artificial të Craig Venter, mund të ndërtohen në laborator mikro-killer të naftës, të afta të pastrojnë detin e ndotur me naftë, brenda një kohe të shkurtër dhe me një fuqi të jashtëzakonshme. Risia e dytë nuk vjen nga laboratorët biogjenetikë, por nga ata informatikë. Zhvillimi i nanoteknologjive ka bërë që të lindin aplikacione të reja mikrosensorësh, që janë aleatë të shkëlqyer të natyrës. Një nga ekspertët më të mëdhenj të këtij sektori është Robert Atkinson, president i “Technology and Innovation Foundation”. “Nga laboratorët e “Georgia Tech” dalin mikrosensorë të aftë të dallojnë më shumë se 1000 elementë kimikë në ujë apo ajër dhe të shkëmbejnë informacionet mes tyre”. Disa aplikacione janë inkurajuese. Në Australi, shkencëtarët botanikë të “Springbrook National Park” kanë shpërndarë në pyllin e virgjër mikrosensorë që ushqehen me energji diellore. Ata janë “sytë, veshët, hunda” e padukshme, gardianë të ekosistemit të të gjithë pyllit, të gatshëm të transmetojnë alarme video-akustike për të treguar çdo lloj dëmi në ambientin natyral. Në Tokio dhe San Francisko të njëjtët mikrosensorë do të përdoren për sistemet e reja të rregullimit të trafikut urban të quajtur Smartway: inteligjenca e tyre do të shërbejë për të eliminuar bllokimet, të riorientojë trafikun, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme transportin urban dhe smogun. Versioni japonez synon të lidhë rrjetin e mikrosensorëve me kompjuterët në bordin e makinës, duke i orientuar drejtuesit e automjeteve drejt rrugëve më racionale që ulin konsumin e karburantit. Revolucioni i tretë lidhet me fushën urbanistike. Ato që e favorizojnë janë ndryshimet e fushave të ndryshme: teknologjike, organizative, stilet e reja të jetesës dhe sistemi i vlerave. Një nga pionierët që projekton kryeqytetet e gjelbra të së ardhmes është shkencëtari amerikan i cili ka studiuar matematikë dhe statistikë. Emri i tij është Charles Komanoff. Nga mendja e tij ka lindur “algoritmi Komanoff”, një sistem ekuacionesh më i komplikuar nga ata të përdorur nga NASA për të eksploruar Marsin. Algoritmi i tij shërben për të deshifruar dhe për të bërë të administrueshme të gjitha variabilet komplekse që ushqejnë trafikun e Manhatanit. Nga njëra anë, Komanoff fut të dhëna të tilla si fuqia punëtore, përqindja e njerëzve që jetojnë në periferi, shpërndarja e tyre gjeografike, oraret e hapjes së zyrave dhe të dyqaneve. Nga ana tjetër, fut çmimet e karburanteve, kostot e biletave të metrove dhe parkingjeve. Algoritmi vepron mbi këta variabla, riprogramon flukset dhe lëvizjet e prodhon rezultate të mahnitshme. Më pak mbipopullim, ajër i pastër dhe të mira ekonomike të matshme. “Kemi fituar pothuajse 3 miliardë dollarë mes uljes së emetimeve të CO2, reduktimit të viktimave të aksidenteve automobilistike, kohës së harxhuar për zhvendosje”, shpjegon Komanoff. Ky nuk është një iluzion dhe këtë e shpjegon fakti se algoritmi që ka krijuar po studiohet aktualisht nga dy qytete me përmasa të ngjashme me Nju Jorkun. Bëhet fjalë për Parisin dhe Guangzhou. Por eficienca e tij do të jetë më e lartë me hyrjen në fuqi të GPS së re. Megjithatë revolucioni urbanistik nuk është bërë vetëm një nga teknologjitë. Amerika që kishte shpikur qendrat e mëdha tregtare dhe lagjet rezidenciale të periferisë, d.m.th është modeli jetësor dhe konsumi më energjik i planetit, po bën hapa pas. Tendenca e re quhet “Lifestyle Center”, zbulimi i atyre që ne i quajmë qendra historike, me ishuj të vegjël, dyqane të vogla familjare. “Kjo është e lidhur me vlerat dominuese me këtë brez të mijëvjeçarit. Sepse 20 dhe 30-vjeçarët sot preferojnë stilin e jetesës së qendrave urbane, duan të arrijnë në këmbë universitete, muze dhe teatro”, tregon sociologu Arthur Nelson. Impakti ambiental: një shkurtim drastik prej 50 përqindësh i konsumit energjetik për transportet. Këtu nuk mund të mos përmendim një tjetër risi urbanistike që vetëfinancohet dhe po përhapet me shpejtësi, falë Arthur Rosenfeld, shkencëtari i madh amerikan i vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare. është ai që ka promovuar në të gjithë botën fushatën “çatitë e bardha”. “Thjesht duke ngjyrosur me të bardha çatitë e pallateve, drita e diellit reflektohet dhe rikthehet në atmosferë, duke reduktuar konsumin e ajrit të kondicionuar nga 10 deri në 20 për qind. Nga çikago në Sidnei, në 15 vjet, kjo do të thotë të eliminosh 15 miliardë tonë CO2, ekuivalente kjo me një reduktim prej 40 përqindësh të trafikut automobilistik”. Ky është zbulimi i traditave antike duke qenë se e bardha është ngjyra dominuese në shumë qytetërime të zonave të nxehta, azteke apo mesdhetare. Por edhe qeveritë janë duke luftuar me mish e me shpirt për të arritur rezultate pozitive. Amerika e Obamës bazohet në modelin “Silicon Valley”, një përzierje e kërkimit publik, kapitalizmit privat, shpirtit sipërmarrës. 100 miliardë dollarë investime dhe 2 milionë vende pune: ky është premtimi i “Green Economy” të Obamës. Nga ana tjetër, Kina po e përqendron sfidën ndaj ambientit në klasën e saj drejtuese, autoritare dhe teknokratike. është një model i centralizuar, me të cilin sot ajo shpenzon 34 miliardë dollarë për energjinë e rinovueshme. Pothuajse dyfishi i SHBA-së. Gjermania dhe bashkë me të edhe Europa Veriore, ka bërë një tjetër zgjedhje duke vendosur taksat më të larta në botë për konsumin e karburantit. Por edhe vetë Gjermania është në garë me të tjerët për kufijtë më të avancuar të teknologjive të gjelbra. është një kompeticion i virtytshëm, ku të gjithë do të fitojmë. Siç shpjegojnë shkencëtarët e Masaçusetsit, Robert Pollin dhe James Heintz, autorë të raportit “Green Recovery”: “Të gjitha qeveritë duhet ta kuptojnë se nuk ka asnjë sektor tjetër në gjendje të rrisë ekonominë dhe të krijojë vende të reja pune ashtu siç mund të bëjë ekonomia e re e ambientit”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›