E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dizdari, cic-mic me Kuvendin

26/02/2005  Lidhja e Shkrimtarëve

Kryetari i Lidhjes, Limoz Dizdari, qysh pas ditës së pezullimit të Kuvendit dje, është shprehur në shtyp se do të mbledhë grupin e punës me personalitete me emër, për të caktuar datën e “seancës” tjetër të Kuvendit; ndërsa para pak ditësh dy sfidantët e tij deklarojnë datën 12 mars ditën që duan të mbledhin pa dallim 700 anëtarët që numëron aktualisht Lidhja; Ndërsa opinioni ka nisur të kërkojë shkrirjen e Lidhjes dhe dorëzimin e godinës së saj shtetit

Kuvendi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve vazhdon të mbetet pezull. Ndërsa dje për herë të parë pas ditës së skandalit që ngjau në Lidhje, kryetari i saj, Limoz Dizdari, shprehet se akoma nuk është vendosur asnjë datë se kur do të jetë “seanca” e ardhshme. Vetëm se ka lëshuar sinjalin se po mbledh personalitete të kulturës për të ngritur një grup pune dhe ata mund të vendosin për Kuvendin e Lidhjes.

Asnjë sinjal më tepër. Kur para disa ditësh pala tjetër sfiduese, për kryetarin, ka dalë në një konferencë për shtyp, duke deklaruar datën 12 mars për mbledhjen e Kuvendit.

Zyhdi Morava dhe Hysen Sinani kanë bërë thirrje dhe në shtyp, se në Kuvend nuk do të ketë të preferuar, të deleguar me ftesa, pasi hyrja do të jetë e lirë për 700 anëtarët që numëron sot Lidhja.

Ndërkohë, kryetari Dizdari, hy e del nga Lidhja, e hap çdo mëngjes dhe e mbyll në vakt dreke me të njëjtën “qetësi”, qysh pa u bërë ajo katrahura e Kuvendit të pestë.

Jashtë linjave të interesit për Kuvendin e Lidhjes kanë nisur zëra, gati të flitet seriozisht nëpër opinione se kjo OJQ nuk duhet të ekzistojë më, për shkak të së kaluarës dhe hijes që lëshon sot në krye të rrugës së Kavajës.

Pika ku po vigjilohet tani është pikërisht godina e hijshme dhe e rëndë që zotëron Lidhja, me mandat trashëgimie, qysh prej vitit 2000, pas një gjyqi të fortë me ish-ministrin e Kulturës, Edi Rama. Qëllimi për t’ia dhënë Lidhjen një qendre kulturore franceze. Por nuk ndodhi. Shteti ia dorëzoi totalisht OJQ-së, Lidhjes së vjetër godinën, duke besuar në vetfinancimin e saj. Ndërsa sot, kur po dëshmohet dështimi total i funksionimit të saj si dikur, Lidhja komuniste që mblidhte në gjirin e saj shkrimtarë e artistë nga e gjithë Shqipëria, kur në Kuvendin e pestë të saj bëhet një rrëmujë e paparë, për Lidhjen, godinën e saj po nis një vështrim më i hollë. Po lakmohet godina e saj. Deri tani jashtë loje, Ministria e Kulturës nuk ka mundur të gjejë asnjë fjalë “ngushëlluese” për këtë mall të lëshuar në duar të pasigurta, pa destinacion dhe me prejardhje të dyshimtë.

Kësaj i shtohet dhe qëndrimi larg, indiferenca që kanë treguar në ditët e nxehta të debateve për ekzistencën e Lidhjes, mjaft shkrimtarë të kësaj epoke dhe personalitete që vijnë nga Lidhja dhe njëkohshëm i janë larguar asaj.

Arsyeja më e parë është sindroma që, kjo OJQ, u kujton akoma me emrin e saj të vjetër “lidhjen komuniste”. Një tjetër shkak indiference, duke u nisur qysh nga anëtarët që figurojnë si emra në kryesinë e Lidhjes, është humbja e kuptimit të ekzistencës së këtij institucioni. Skulptori Perikli Çuli është shprehur se, Lidhja nuk ka nevojë më për kryetar, pa fjalë dhe me ca indiferencë është shkrimtari Vath Koreshi, ndërsa më i vuajturi, Pjetër Arbnori, ka kohë që nëpër mbledhje të rralla, sa për t’u grindur, në kryesi, thotë se ka dhënë dorëheqjen. I riu i letrave Arjan Leka, vetëm pak ditë më parë, deklaron se nuk i intereson asgjë më nga lidhja. Edhe pse gjithë kjo braktisje, nga atyre “idealistëve” që pretenduan të ndryshojnë fytyrën e Lidhjes, Dizdari nuk është tundur nga e vetja, vetëm se realisht duket se ka ndjerë t’i lëvizë toka nën këmbë, por me hilen e vogël që të zvarrisë sa të mundet këtë Kuvend.

Para dhe gjatë një jave në Kuvendin e Lidhjes

E lajmëruar në dy ditë, Kuvendi i V i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është pezulluar javën që shkoi. Çdo gjë ka ndalur në çastin kur kryetari i Lidhjes, Limoz Dizdari, la podiumin me fjalët: “Meqë ky Kuvend ishte nisma ime, kështu siç u penalizova, pezulloj këtë shfaqje, të më mirëkuptoni, në konceptin tim e quaj të mbyllur seancën”. Duke lënë pas 80 delegatë të thirrur me listë nga e gjithë Shqipëria, Dizdari nuk ka njoftuar për seancën e ardhshme dhe as ndonjë reagim nuk ka dhënë gjatë ditëve të mëpasme, se çfarë do të bëhet me Kuvendin e pestë të Lidhjes. Porse dhe nga shkrimtarët, qoftë anëtarë të Lidhjes apo jashtë saj, personalitete të letrave, nuk kanë dhënë asnjë reagim me këtë që po ndodh me Lidhjen. Prononcimi i tyre në të shumtën e rasteve ka qenë “mospërziera në punët e një OJQ-je, ku nuk marrin pjesë”. Ndërsa është diskutuar mjaft shkrirja e Lidhjes dhe problemi më kryesor i saj godina, ku ushtron aktivitetin Limoz Dizdari në këtë OJQ.

Kjo, siç duket pritet të bëhet pika më e fortë e debatit, ku deri tani ka pasur anashkalim dhe përfolje tavolinash pa ndonjë notë të veçantë drejt Ministrisë së Kulturës apo Qeverisë, për t’i dhënë fund abuzimit të një personit të vetëm, duke shfrytëzuar një godinë, ku, sipas shkrimtarëve, do mund të realizoheshin shumë projekte.

Për gati dy orë, një javë më parë, Kuvendi i V-të i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, është mbyllur mes sharjeve dhe grindjeve të shkrimtarëve. Kryetari Limoz Dizdari ka lënë podiumin, duke deklaruar mbylljen e tij, të cilësuar si seancë të parë. Ndërsa të 80 delegatët e ftuar nga Dizdari dhe disa të tjerë nga Zyhdi Morava, kanë dalë jashtë mes rrëmujës dhe zhurmës, fyerjeve dhe sharjeve, disa në adresë të kreut të Lidhjes dhe disa të tjerë pa adresë. Jashtë, pas kangjellave të Lidhjes, afro 10 policë kanë zënë vend, duke u shprehur se janë lajmëruar një ditë më parë për të qenë në gatishmëri ditën e Kuvendit të Shkrimtarëve. Për më shumë se 30 minuta, shkrimtarë e artistë kanë qëndruar nëpër shkallët e Lidhjes, pa ditur vendimin ekzakt se çfarë do të bëhej për Kongresin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›