E Hënë, 2 Nëntor 2026

“I madhërishmi” po kërkon një teatër absurd në Tiranë

26/02/2005  Enver Petrovci

Aktori nga Kosova, Enver Petrovci është “I madhërishmi” këtë vit në logon e festivalit ndërkombëtar, që mbahet prej 30 vitesh në Mal të Zi; Si nderim i është lënë që të çojë në këtë edicion një shfaqje shqiptare, me temë teatrin absurd; Prej dy ditësh ai gjendet në Shqipëri për të kërkuar një teatër... por ende nuk e ka gjetur, lojë që urren më shumë; Akademia dhe teatri privat janë ambicjet private, të ngritura me borxhe për teatrin, ndërsa karrierën e mendon në plane botërore

Këtë vit është më shend e verë, sepse aktori Enver Petrovci është përfshirë ndër të shtatë të madhërishmit në Mal të Zi, për kontributin që ka dhënë për këtë teatër. Pikërisht për këtë vlerësim, aktorit nga Kosova i është bërë nderi që në edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Mal të Zi, të dërgojë një shfaqje shqiptare, qoftë nga Kosova, Maqedonia apo Shqipëria. Prej dy ditësh është gjendur në Tiranë, në Teatrin Kombëtar, për të kërkuar për një teatër absurd, sepse ky është motivi i festivalit. Edhe pse i bie rëndë njerëzve që bëjnë këtë lloj teatri, duke e cilësuar si një rrymë që lind nga mosdija, Petrovci thotë se po bën detyrën. Ndërsa rrëfen vështirësitë me të cilat u gjend kur mendoi të ngrejë Akademinë private, ashtu dhe godinën e teatrit privat. Për këtë nismë krejt personale, Petrovci, me sarkazëm thotë se “çdo komb duhet t’i ketë budallenjtë e vet. Pa budallenj nuk shkohet përpara, pa budallenj nuk ishte krijuar as UÇK-ja”. Është mbytur në borxhe për këtë, por thotë se kurrë nuk i shkon në mendje për të kërkuar ndihmë te shteti, thjesht se kërkon të jetë i pavarur, pa bos mbi krye. Ajo që e tmerron aktorin është lëmshi që i është bërë gjuhës shqipe, prej brezit të sotëm në Kosovë. Ndërsa nuk kursen aspak fjalët e ashpra për politikën, që thërrasin me sloganet e bashkimit shpirtëror, kur realisht të gjithë kërkojnë bërjen e rrugëve. “Ndërto, he burrë rrugën dhe ne vetë bashkohemi, nuk ka nevojë askush të na thotë. Bashkimi shpirtëror nuk vjen nga fjalimet politike, po nga rruga”, thotë aktori.

Keni ardhur në Tiranë në kërkim të teatrit absurd. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht dhe pse jeni gjendur dje në Teatrin Kombëtar?

Në Mal të Zi është krijuar një logo “I të madhërishmëve”, ku përfshihen të gjithë ata që kanë kontribuar për teatrin e Malit të Zi. Ata çdo vit më pyesin për diçka që ju intereson atyre. Kurse këtë vit më kanë vënë një detyrë. Duke më përfshirë në emrin e “I madhërishëm”, më kanë thënë të gjej një shfaqje shqiptare nga teatri absurd për ta paraqitur në festivalin që quhet “Fiat”, një organizim ndërkombëtar, që bëhet prej 30 vitesh në Podgoricë. Tema e shfajqes duhet të jetë absurdi. Mirëpo nuk mund ta gjej asesi shfaqje të absurdit, sepse siç më tha aktori Bujar Lako, se “nuk mund të gjesh, sepse ne të gjithë jemi absurdë”. Është vështirë ta gjesh, pra. Po megjithatë jam në kërkim e sipër, ndaj erdha këtu ta kërkoj në një prej shfaqjeve të Teatrit Kombëtar.

Pse e nise pikërisht nga Tirana për të kërkuar teatrin absurd?

Po ku të shkoj tjetër, do të shkoj dhe në Maqedoni. Në Kosovë kam qenë. Po atje nuk gjeta, ndoshta në fund mund të gjej diçka, por po shikoj që të jetë një shfaqje më e mira. Do të shikoj edhe në Maqedoni, nëse nuk e gjej, do të konstatoj për një shfaqje ose asnjë.

Gati një lloj sondazhi për teatrin këtu, deri tani çfarë informacioni ke marrë nga Shqipëria?

Po, mora vesh se në Teatrin Kombëtar nuk ka. Bisedova me drejtorin Kiço Londo dhe ai më tha se nuk kishte në repertorin e tij këtë lloj teatri, por ai më propozoi për regjisorin Adonis Filipi, në Fier. Kjo ka qenë biseda e parë.

Mos iu duket pak situata fataliste që nuk po gjen një teatër absurd në Tiranë?

Më pëlqen që nuk po gjej, i urrej ato shfaqje. Nuk i dua aspak. Por meqë është tema, mua më duhet ta kryej obligimin tim. Jam i lumtur që nuk po gjej këtë lloj shfaqje në Shqipëri apo Kosovë. Sepse nuk ka teatër që unë e dua. Pra, nëse nuk e do një teatër dhe ai nuk ekziston ndër shqiptari, atëherë mua më vjen mirë. Nuk e dua teatrin e absurdit, sepse, sipas mendimit tim, këtë lloj teatri e prodhojnë njerëzit që fshihen pas mosdijes. Dhe pastaj kinse prodhojnë projekte të ashtuquajtura të absurdit.

Kjo do të thotë abuzim me teatrin?

Po, do të thotë mirëfilli abuzim, kur nuk arrin të bësh dot teatër dhe kinse prodhoj këtë teatër. Jo vetëm teatrin, por nuk e dua dhe pikturën absurde, as muzikën, ajo nuk ekziston. Ai nuk ekziston, pasi është art i disa njerëzve që kanë bërë emër të falsifikuar dhe tani nuk dijnë çfarë të bëjnë me atë emër që e kanë dhe krijojnë arte, duke quajtur kësi apo asi. Ato nuk mund t’i quash aspak arte, po hajt, meqë po i quani ju, po e quaj dhe unë.

Atëherë pse e pranove projektin për të realizuar një shfaqje absurde, kur e urreni aq skajshmërisht?

Por për arsye se ata më kanë futur në shtatë “Të madhërishmit”, siç e quajnë ata dhe mua më duhet ta bëj këtë detyrë. Nëse unë diçka nuk e çmoj dhe nuk e dua, nuk do të thotë se tjetri nuk e çmon dhe nuk e do. Por ju më pyetët pse nuk e dua dhe u përgjigja për veten time. Ndërsa dikush tjetër e do dhe, ja konkretisht, në Mal të Zi po bëhet një festival.

Cili është teatri yt, që e do?

Jam vetëm për teatër, s’ka lloj teatri, ka vetëm një lloj. Është si bukuria, nuk ka njëqind bukuri, është vetëm një. Unë do të bëj teatër, shfaqje normale, që e merr vesh njeriu. Teatri nuk bëhet për artistët, ai bëhet për njerëz. Kur them kështu, nuk mendoj t’ju vardisem njerëzve, që të bëj teatër primitiv dhe të nxjerr përfitime materiale. Teatri duhet të jetë edukativ, i logjikshëm. Teatri është shumë i thjeshtë, kur njerëzit janë të thjeshtë. Kur njerëzit dijnë e thjeshtëzojnë dhe teatrin. Ata që nuk dijnë, e komplikojnë teatrin dhe nxjerrin teori të ndryshme. Unë dua të bëj teatër thjesht për njerëz.

Ju keni shtuar këto vite itinerarin e ardhjeve tuaja në Tiranë dhe aktivitetet e shpeshta këtu. Si e shikoni teatrin e Shqipërisë, si në repertor, zgjedhjen e shfaqjeve apo potencialin e aktorëve?

Mjerisht, nuk kam të drejtë të flas për arsye, se nuk e njoh deri në atë nivel që unë të jap mendime. Për të dhënë mendime serioze duhet ta njohësh situatën seriozisht.

Kthehemi pak tek puna juaj, aktori më me peshë në të gjitha trevat shqiptare. Tani keni ngritur një Akademi dhe po tentoni të ngrini një teatër privat. Pse kjo nismë krejt personale, private?

Po çdo komb duhet t’i ketë budallenjtë e vet. Pa budallenj nuk shkohet përpara, pa budallenj nuk ishte krijuar as UÇK-ja. Pra, rrugët të cilat janë të reja, të panjohura, i krijojnë vetëm budallenjtë. Edhe me budallenj, dhe shyqyr që ka kombi shqiptar të tillë, hapen rrugë të reja. Siç duket nga kjo hapa dhe Akademinë. Ajo është e licensuar, tani për tani kam hapur vetëm degën e aktrimit dhe së shpejti do të çel dhe degë të tjera, sigurisht, nëse gjej pedagogë, por jo shtetërorë. Pra, nëse gjej pedagogë, të cilët kanë vepra pas tyre, vepra serioze, atëherë mund të vijnë në Akademinë e Arteve me plot kënaqësi dhe respekt. Nëse nuk gjej, nuk do të hap degë të reja. Kjo është shumë e thjeshtë, sepse studentët nuk do të afrohen pse ekziston një degë e artit, por vijnë për shkak të profesorëve të mirë. I njëjti fakultet ekziston në Prishtinë, Tiranë dhe në Shkup, por tek unë paguhet, dhe për këtë aryse më duhet të respektoj paratë e tyre me pedagogë të mirë. Dallimi mes studentëve të Akademisë së Arteve dhe fakulteteve shtetërore, ku nuk paguhet, gjë që jam kundër, sepse studimet duhet të paguhen, është se ata që paguajnë janë më ambiciozë. Nuk po them më të talentuar, por janë më punëtorë dhe dëshirojnë që ato të holla që japin për studime, t’i arsyetojnë në punë. Dhe shpresoj që, së shpejti, dhe ndër shqiptari studimet duhet të paguhen, sepse nuk ka studime serioze nga të dy palët. Në këtë rast, ne vërtetë nuk kemi se çfarë të shpikim, sepse bota e ka kaluar këtë.

Sa kushton studimi në Akademinë tuaj, pasi e theksoni shumë këtë fakt?

Në Akademi kanë ardhur studentë shqiptarë nga Amerika, por nga Gjermania më kanë ardhur më tepër. Nga Tiranë kanë ardhur dy studentë. Fillimisht, nuk i kam pranuar, por edhe kanë reaguar ndaj çmimit, u ka dukur tepër. Mendoj se shkolla është shumë e lirë, meshkujt e kanë 6 mijë euro për tre vite, kurse femrat e kanë 4 mijë e nëntëqind euro, po në tre vite. Për vajzat kam menduar një çmim më të lirë, rreth 30 për qind, për arsye se prindërit shqiptarë investojnë më tepër te djemtë se sa vajzat.

Sa të vështirë e kishe t’i hyje ndërtimit të një teatri privat dhe si e parashikon të ardhmen?

Kam marrë kredi për ndërtimin e teatrit. Shita banesat dhe gjithçka kam pasur e kam dhënë dhe prap jam në borxhe të mëdha. Por e kam të lehtë dhe mendoj se do t’i përballoj, sepse jam besimtar në Zot, dhe di se jam nisur pastër në këtë punë. Ku i dihet, Zoti do të më ndihmojë, do të më nxjerrë nga situata. Sepse ky nuk është teatri i parë që ndërtoj, është i treti, një në Beograd, Dodonë, në Prishtinë dhe tani këtë, që do ta quaj teatri i “Babës”, sepse është në shtëpi të babës. Vështirësi do të ketë sigurisht, së pari, të kthej borxhet. Por kam vendosur të mos kërkoj nga qeveria asnjë lek, dhe a e dini pse? Së pari, nuk dua të jem në duart e tyre, nuk mundesh të kërkosh prej dikujt të holla dhe pastaj ai të t’i japë duke të thënë se “unë jam shef këtu”. Gjithmonë do të detyrohesh të jesh në duart e tyre. Dua vërtet të jem i pavarur, që do të thotë se duhet patjetër të investosh vetë. Kjo është një arsye dhe tjetra, unë nuk kam nevojë për teatër të ri, nuk kam ndërmend të krijoj karrierë në atë teatër dhe nuk po e bëj aspak për vete, sepse kam plane botërore dhe nuk kam plane të Prishtinës.

Ju vetë me sa shohim e keni kapërcyer pengesën e gjuhës letrare, nuk dallohet ndonjë dialekt. A është kjo pengesë për Akademinë tuaj?

Po, shumë pengesë. Ju falenderoj për komplimentin, sepse nuk mendoj se di shqip për arsye se shkollimin dhe moshën kur mësohet një gjuhë, e kam kaluar jashtë Kosovës.

Me kthimin tim, jam munduar ta mësoj prap gjuhën shqipe dhe nuk kam arritur dot dhe nuk mendoj se di të flas shqip. Por ajo që më thonë shqiptarët e Shqipërisë, për mua është me të vërtet kompliment i madh.

E di gjuhën e skenës, por gjuhën shqipe nuk e di. Gjuhën sllave e njoh dhjetë herë më mirë, ku gjithmonë më pengon ajo dijenia kur e krahasoj gjuhën sllave me shqipen. Ndaj them se nuk di shqip. Por është e tmerrshme ajo çka po ndodh në Kosovë. Kurrë nuk ka qenë në modë që të krenohesh me primitivizëm, sa i përket gjuhës.

Sa më thjeshtë të flasësh, aq më lart je. Është e tmerrshme që primitivizmi të jetë në modë. Kurrë në historinë e njerëzimit apo evolucionin njerëzor, nuk ka ndodhur që fëmija të flasë më keq se prindi. Pra, gjithmonë ka tendencë që prindi i flet fëmijëve më mirë dhe pastaj vjen duke u përmirësuar kjo. Unë të garantoj se flas më mirë se prindi im dhe prindi im më mirë se babai i tij... e kështu me radhë, por për herë të parë fëmija im po flet më keq se unë dhe nuk ka kurrfarë ambicje që ta mundë babanë në gjuhë. Është një tendencë e primitivizmit në Kosovë. Kjo është e tmerrshme dhe armiku më i madh, momentalisht, në Kosovë.

Si e shikoni atmosferën teatrore të trevave shqiptare Tiranë, Prishtinë, Shkup si një njeri që kërkon të vjelë potenciale artistike?

Po ju flas vetëm për Shkupin dhe Prishtinën, sepse nuk mundem për Tiranën.

Teatri, tash nuk ndodh në teatër, por në politikë. Mendoj se teatrin e kanë okupuar politikanët dhe mbledhjet e festimet e tyre i bëjnë në teatër. Kjo është e tmerrshme. Nuk mund drejtori të kërkojë nga publiku të vijë në një vend ku mbahen mbledhjet politike, ajo nuk është më teatër. Gjëja e parë që do të bëja në statutin e teatrit tim është vendosja e tabelës: “Ndalohen mbledhjet politike në këtë ndërtesë”. Atëherë ky vend nuk është më serioz, por është vend i klounave, palaçove dhe lojtarëve.

Pse nuk keni ardhur asnjëherë në Festivalin e Butrintit?

Nëse ju them që kurrë nuk kam qenë në Butrint, nuk do të më besoni. Më kanë ftuar gjithmonë dhe kam pasur shumë dëshirë të vij. Por të më falni, sepse Butrinti është shumë larg, lodhem nga rrugët dhe kur e mendoj se është aq gjatë, të rrugëtoj deri në Butrint, do të duhen dy ditë për të pushuar. Mjerisht po më inspiron të të them një mendim, tani që ne po flasim, politika po na mbyt me sloganin për bashkim kombëtar, ku në anën tjetër, një rrugë nuk e kemi. Ndërto, he, burrë rrugën dhe, ne vetë bashkohemi, nuk ka nevojë askush të na thotë. Bashkimi shpirtëror nuk vjen nga fjalimet politike, po nga rruga.

Je shumë i njohur në Shqipëri, si e ndjeni veten?

Jam shumë i habitur që këtu njihem shumë. Habitem pse njerëzit këtu më njohin, nuk e di se me çka e kam merituar. Kam luajtur një shfaqje dhe dy filma. Me të vërtetë nuk e di pse. Ndoshta më njihni ju që ndiqni teatrin dhe njerëzit e kulturës, por një recepsionist në rrugë më ka habitur. Nuk jam njeri i popullarizuar, nuk është qëllimi im ky. Është në instancën e fundit, vërtet që kam pasur dëshirë gjithë jetën që njerëzit të dëgjojnë diçka për mua, por jo që të më njohin. Ajo ka qenë dikur ideali im.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›