E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulimi grek, një komitet “vorio-epirot” në Buenos-Aires kundra shqiptarëve

26/02/2005  Pse agjentura greke ndiqte këmba-këmbës komunitetet shqiptare, të shpërndarë në disa vende të botës? Si arriti të depërtojë zbulimi grek deri në Argjentinë dhe Arabinë e Bashkuar?

Pse politika greke e ngriti çështjen e minoritetit grek në Shqipëri deri në Amerikë? Cili ishte reagimi shqiptar?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Ballafaqimi midis shqiptarëve dhe grekëve u zhvillua edhe në koloni të tjera të diasporës shqiptare, të cilat, ndonëse nuk e kishin peshën e kolonive të Amerikës dhe të Turqisë, nuk u neglizhuan nga zbulimi dhe nga politika greke. Konkluzioni i MPJ ishte se, ndryshe nga Jugosllavia, e cila nuk kishte patur sukses në politikën ndaj emigracionit shqiptar, Greqia “kishte arritur rezultate të gjera” në emigracion, që e kishte origjinën nga minoriteti grek i Shqipërisë dhe në një pjesë të emigracionit ortodoks shqiptar në disa vende të rëndësishme si SHBA, Argjentinë, Republika Arabe e Bashkuar dhe Australi.

Në mesin e viteve ‘60, elemetët grekofonë po penetronin në kryesinë e shoqatës patriotike “Skënderbeu” në Argjentinë dhe ajo po rrezikohej të binte në duart e tyre. Zbulimi grek arriti të krijojë një komitet “vorio-epirot” në Buenos-Aires, i cili kishte dy degë dhe rreth 80 aktivistë kryesorë. Kryetari i tij ishte Thanas Bello. Komiteti “vorio-epirot” i Argjentinës i mbante lidhjet me përfaqësinë greke në këtë vend. E rrezikuar ishte edhe kolonia shqiptare e Republikës Arabe të Bashkuar, në të cilën po penetronte agjentura greke. Ajo kishte arritur të krijonte brenda kësaj kolonie shqiptare një organizatë “vorio-epirote”, një shkollë, kisha dhe klube. Aktivitetin e zbulimit grek në këtë vend e drejtonte Kristo Stavro dhe zbuluesi grek, Karvunis. Grekët u përpoqën të merrnin në dorë edhe drejtimin e bashkësisë shqiptare në Aleksandri, por nuk patën sukses. Megjithëkëtë, ata i vazhduan përpjekjet për dobësimin e saj. Në këtë koloni rezistenca e elementëve shqiptarë ishte e dobët.

Influenca e organizatave “vorio-epirote” në koloninë shqiptare të Australisë, kishte filluar që gjatë Luftës së II Botërore. Ajo ishte zgjeruar më tej pas luftës prej elementëve grekë dhe prej disa ortodoksëve grekofonë gjirokastritë e korçarë, të drejtuar nga këshilli grek në Australi. Këtu Komiteti Pangrek, i krijuar para luftës nga grekët, arriti të krijojë pas luftës në gjirin e vet një përfaqësi të veçantë të “vorioepirotëve” me qendër në Melburn dhe disa nënkomitete të vogla, të cilat kishin dhe shtypin e tyre. Grekët u përpoqën vazhdimisht të fusnin grindje midis kolonisë shqiptare në Australi, për të pëçarë myslimanët dhe ortodoksët. Aktiviteti i organizatës “vorio-epirote” kishte qenë më intensiv në vitet 1945-1946, kur bëheshin përgatitje për Konferencën e Paqes. Në vitet 1957-1958 zbulimi grek e ndau përfaqësinë “vorio-epirote” nga Komiteti Pangrek dhe krijoi një komitet “vorio-epirot” më vete, me qendër në Perth, i cili mbante emrin Vasil Shahini. Kjo shoqëri ishte vazhdimisht në konflikt me shoqëritë shqiptare në këtë vend.

Në vitet '80, paralel me thellimin e krizës së regjimit komunist në Shqipëri, u rigjallërua dhe u intensifikua veprimtaria antishqiptare e emigracionit grek në Amerikë. Në vitin 1983, diaspora greke dhe disa minoritarë grekë të arratisur nga Shqipëria organizuan një seancë dëgjimore në Nënkomisionin e të Drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan. Dy dëshmitë më abuzive, që u dhanë në këtë seancë ishin deklaratat se, në Shqipëri kishte 400.000 grekë ortodoksë dhe se, minoriteti grek ishte një objekt special i persekutimit nga qeveria shqiptare. Kjo fushatë pati ndikim të drejtpërdrejtë edhe në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA mbi të drejtat e njeriut për vitin 1983.

Por, edhe kjo fushatë e re greke, nuk kaloi pa u kundërshtuar nga emigracioni shqiptar në Amerikë. Shumë individë dhe grupe protestuan te Sekretari i Shtetit, George Shultz dhe në zyrat e agjencitë shtetërore në Uashington. Midis tyre ishin Qendra Shqiptare Katolike e Informacionit dhe personalitetet e shquara të diasporës shqiptare në Amerikë, prof.Sami Repishti dhe prof.Nikolla Pano. Në një letër dërguar Shultzit, Qendra Katolike theksonte: “Të dhënat e Departamentit të Shtetit janë të pavërteta dhe numri i minoritetit grek në Shqipëri, sipas burimeve të vlefshme dhe studimeve shkencore, qysh nga viti 1913, nuk kishte qenë asnjëherë më tepër se 35.000-45.000 vetë. Inkonsekuenca e raportit, lidhur me minoritetin grek në Shqipëri, është shumë shqetësuese. Ne na duket se autorët e raportit nuk kanë qenë shumë të shqetësuar për vërtetësinë, por janë mashtruar dhe manipuluar nga lobi i fuqishëm grek në SHBA”. Qendra Katolike Shqiptare i kërkonte Departamentit të Shtetit rishikimin tërësor të Seksionit mbi Shqipërinë të raportit të tij dhe të merrte masat e duhura për të ndrequr këtë dizinformim. Ndërsa prof.Sami Repishti shkruante se, dokumenti i kishte politizuar çështjet e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke u futur në një rrugë të gabuar, e cila në kushtet e Ballkanit ka potencialin që të shpërthejë shpejt në violencë, për arsye të dyshimeve dhe antagonizmave të vjetra shekullore. Ai paralajmëronte gjithashtu, se dokumenti do të kishte efekt negativ në marrëdhëniet greko-shqiptare, pasi ai do të nxiste në Greqi pasionet e grupeve nacionaliste dhe të krahut të djathtë, të cilët pretendojnë se Shqipëria e Jugut i përket Greqisë. Analiza dhe vërejtjet e Repishtit, dukej se ishin objektive. Më 15 shkurt 1984, vetëm një muaj pas seancës dëgjimore në Kongresin Amerikan, gazeta “The Neë--- York Times” botonte një raport nga Athina, i cili fliste për rigjallërimin e aktivitetit të grupit më agresiv antishqiptar në Greqi, i njohur si Komiteti për Çlirimin e “Vorio-Epirit”. Repishti nuk mohonte të drejtën e grekëve për të kërkuar standarde më të larta për minoritetin grek në Shqipëri. Por ajo që ai kritikoi ishte praktika greke për të veçuar minoritetin grek në fushatën e saj të kritikave kundër dhunimit të të drejtave njerëzore në Shqipëri.

Diaspora shqiptare kundërshtonte edhe konkluzionin se minoriteti grek ishte më i shtypur dhe më i diskriminuar se sa pjesa tjetër e popullsisë shqiptare. Shoqëritë dhe personalitetet shqiptare të diasporës vinin në dukje me realizëm dhe me objektivitet përparimin e minoritetit grek në fushën arsimore, pjesëmarrjen e gjerë të tij në të gjitha nivelet e drejtimit të shtetit dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore në Shqipëri. Ndërsa akuzën greke, lidhur me zhvendosjen e minoritetit grekofon nga krahinat e tij, Repishti e cilësonte si një veprim, i cili bëhej vetëm nga njerëz, që nuk i njohin përpjekjet e qeverisë shqiptare për modernizimin e Shqipërisë. Lëvizjet nga Jugu në Veri e anasjelltas dhe nga fshati në qytet dhe anasjelltas, ai i vlerësonte si pjesë të një transformimi të rëndësishëm të rezervave të punës në procesin e industrializimit të vendit. Shqiptarët e Amerikës, në këtë rast, bënin dhe diferencën midis politikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë ndaj minoriteteve, duke vënë në dukje se, në 300 fshatrat e banuara nga shqiptarët në Greqi, nuk kishte asnjë shkollë të vetme, asnjë libër shkollor dhe asnjë mësues shqiptar. Ndërsa gjendja e minoritetit grek në Shqipëri ishte krejt e kundërt. S.Repishti e cilësonte Federatën Panepirote të Amerikës si një organizatë irridentiste.

Një deklaratë të gjatë dhe të rëndësishme bëri edhe prof.Nikolla Pano. Ai kritikoi procedurën e seancës dëgjimore dhe theksoi se ajo duhej të kishte dëgjuar të gjitha palët e interesuara për çështjen. Pano vinte në dukje se, qëllimi kryesor i fushatës së re greke ishte që të ringjallte çështje të vdekura si ajo e “Epirit të Veriut”, të jepte informacion të gabuar mbi madhësinë e minoritetit grek në Shqipëri dhe, ndoshta, të krijonte acarime në marrëdhëniet greko-shqiptare. Gjithashtu, ai parashtroi supozimin për lidhjen e këtij veprimi me çështjen e Kosovës. Ai shkruante se, ata, që ngritën tani çështjen e trajtimit të minoritetit grek nga regjimi shqiptar, mund të kenë synuar të diskreditojnë pozitën e qeverisë shqiptare dhe të organizatave shqiptare në Evropë e në SHBA, lidhur me gjendjen e shqiptarëve të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›