E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, nisin zjarret e verës, digjen hektarë me pyje

SARANDE - Dy zjarre ranë dje rreth orës 15:00 në territorin e Sarandës, duke djegur hektarë të tëra me pisha e shkurre, por duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. 

Një nga zjarret ra në vendin e quajtur “Lugu i Dardhës”, në pjesën veriore të Sarandës, rreth 500 metra larg banesës së fundit të qytetit. Sipas burimeve nga reparti zjarrfikës, zjarri në “Lugun e Dardhës” kishte përfshirë një sipërfaqe 1 ha në një zonë të mbjellë me pisha. Ndërkohë, banorët e qytetit pohuan se kanë dëgjuar shpërthime të lehta në momentin e rënies së zjarrit. Kjo për faktin se zona dikur ka qenë zonë ushtarake dhe dyshohet që mund të kenë mbetur pjesë luftarake që nga viti 1997. Ndërkohë që një tjetër zjarr ka rënë po dje, thuajse në të njëjtën orë, në brendësi të fshatit Berdenesh. Zjarri, i cili sipas punonjësve të shërbimit zjarrfikës mendohet të jetë shkaktuar nga hedhja e pakujdesshme e ndonjë cigareje, kishte rënë në mes të shtëpive të fshatit dhe kishte përfshirë një sipërfaqe rreth 1 mijë m2. Por për fat të mirë, djegie kishte vetëm nëpër shkurrishtet rreth shtëpive. Zjarrfikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve për rreth 30 minuta, ndërsa për habi, nuk doli asnjë prej banorëve përreth shtëpive ku kishte rënë zjarri për të ndihmuar për shuarjen e tij. Verën e kaluar, në territorin e Sarandës u shënuan disa vatra zjarri, të cilat përpinë pyjet, por rrezikuan dhe mjaft fshatra përreth. Zjarret e djeshme janë të parat për këtë vit, megjithatë, zjarrfikësit shpresojnë se kjo mos të jetë parathënie e një vere me zjarre.                 sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›