E Diel, 1 Nëntor 2026

Dulaku- Berisha, kërkohet përjashtimi i gjyqtares

Mbrojtësit e biznesmenit kërkuan përjashtimin e kryesueses, pasi i shoqi ka qenë avokat i kryeministrit. Gjyqtarja tjetër jep dorëheqjen

TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të biznesmenit Artan Dulaku, në seancën e parë gjyqësore pranë Gjykatës së Lartë ku kanë paditur penalisht kryeministrin Sali Berisha për "shpifje" kërkuan përjashtimin e relatores së çështjes, gjyqtares Mirela Fana.

Arsyeja e kësaj kërkesës, sipas avokatëve, është se gjyqtarja Fana është bashkëshortja e ish-mbrojtësit ligjor të kryeministrit, tashmë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë avokat Neshat Fana, i cili ka lidhje të afërta me kryeministrin Berisha. Kjo njohje e afërt mes tyre, sipas avokatëve paditës, mund të sjellë paragjykimin e çështjes dhe një anshmëri në gjykim.

Për këtë shkak, avokatët e palës paditëse i kanë kërkuar kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, që të caktojë një trup gjyqësore që do të shqyrtojë këtë kërkesë për përjashtimin e saj. Në lidhje me këtë pretendim të ngritur nga pala e të dëmtuarit akuzues Artan Dulaku, vetë relatorja e çështjes, gjyqtarja Fana, u shpreh se "kërkesa është e pabazuar në ligj, duke mos përmbajtur asnjë shkak që e detyron të japë dorëheqjen".

Por, pavarësisht këtij qëndrimit të gjyqtares Fana, të martën e ardhshme (9 shkurt) kryetarja Beçaj me anë të shortit do të zgjedhë treshen gjykuese që do të gjykojë këtë kërkesë të avokatëve paditës, për përjashtimin e gjyqtares Fana nga gjykimi i çështjes. Gjithashtu, po dje, anëtarja e trupit gjykues, Evgjeni Sinoimeri, paraqiti dorëheqjen në gjykimin e kësaj çështjeje, pasi mbrojtësit ligjorë të kryeministrit Berisha ishin persona të afërm të familjes së saj.

Për këtë shkak kryetarja e Gjykatës së Lartë Beçaj, pranoi dorëheqjen e saj, duke caktuar datën 9 shkurt për hedhjen e shortit të ri për përcaktimin e dy gjyqtarëve të rinj të kësaj trupe gjyqësore. Edhe për këtë kërkesë pritet që Gjykata e Lartë të shprehet me përcaktimin e një gjyqtari tjetër që do të zgjidhet me short në ditët në vazhdim.

Sipas kërkesë padisë, kompania "Edil-al" që drejtohet nga shtetasi Artan Dulaku e ka paditur pranë Gjykatës së Lartë kryeministrin e vendit për "shpifje", pasi në një nga konferencat e tija për shtyp, kryeministri ka akuzuar këtë kompani dhe administratorin e saj si të lidhur me mafien dhe grupet kriminale në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›