Minxholli: Henri në Tiranë, një ditë para shpërthimit
GËRDECI
Ish- drejtori teknik i fabrikës, si zakonisht bëri dje një deklaratë, duke pohuar vizitën e ortakut të Delijorgjit para ngjarjes
TIRANË- Procesi gjyqësor në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit ka vijuar dje me deklaratën e lirë të ish-drejtorit teknik të fabrikës së "ferrit", të pandehurit Dritan Minxholli i cili konfirmoi para togave të zeza se një ditë para shpërthimit të 15 marsit 2008, ka qenë në Tiranë shtetasi amerikan Patrik Henri (Patrick Henry) i njohur edhe si ortaku i Mihal Delijorgjit në kompaninë e demontimit "Albademil".
Kjo kompani kishte me ndihmën e drejtorit të MEICO-së të akuzuari, Ylli Pinari kishte fituar tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e municioneve dhe predhave të nxjerra nga përdorimi në ish-repartin e tankeve të përshtatur si punishte demontimi. "Një ditë para shpërthimit të 15 marsit 2008 në fabrikën e Gërdecit, Patrik Henri dhe ortaku i tij Mihal Delijorgji, u takuan së bashku në Tiranë, ku unë isha i pranishëm.
Në këtë takim Delijorgji e njoftoi Henrin për anën financiare të shpenzimeve që kompania "Albademil" kishte në mbyllje të fazës së parë të projektit të dytë të demontimit të predhave.
Në fund të takimit, Henri u shpreh me superlativa për procesin. Ky takim më ka lënë një shije se i gjithë procesi i punës do të përfundonte me sukses sepse kishte konsensus të plotë të dy administratorëve dhe mbështetje të tyre, asistencën teknike nga Patrik Henri dhe atë financiare nga Mihal Delijorjgi"-nënvizoi Minxholli në deklaratën e tij.
Ai tha se atë ditë Henri firmosi edhe dy kontrata të tjera dhe më pas u largua për Zvicër nga ku ka mohuar se ka qenë në Shqipëri. Sipas Minxhollit, nga të dy projektet Henri do të përfitonte barutin e dalë nga demontimi i municioneve dhe predhave që sistemohej në depot e fabrikës nëpër kontenierë.
"Pala amerikane ka siguruar lejen në Ministrinë e Mbrojtjes në strukturat e saj, për eksportin e barutit për procesin e parë dhe të dytë të demontimit. Për sasinë e madhe të barutit të grumbulluar në magazinën e fabrikës në Gërdec, asnjë nga punonjësit apo specialistët e huaj nuk më kanë shprehur rrezikun e grumbullimit të kësaj sasi të madhe që solli katastrofën e 15 marsit.
As vetë Patrik Henri dhe mbikëqyrësi i tij, Rod Teilor, (Rod Tylor), të cilët me 7 ose 8 mars të vitit 2008, nuk e mbaj mend mirë, kanë bërë kontrollin e tyre të parë në Gërdec, ku fabrika e tij punonte gati një vit nuk më shprehën ndonjë shqetësim.
Atë ditë unë kam qenë në punë kur erdhën dy amerikanët dhe bën inspektim të hollësishëm të procesit të punës në fabrikë. Atë ditë nuk më dhanë asnjë urdhër me shkrim për ndonjë ndryshim të trajektores të procesit të punës në fazën e parë të procesit të dytë që ishte drejt përfundimit", -tha Minxholli.
Sipas tij, po atë ditë në fushën ku ndodheshin depot e mbushura me barut, kanë qenë pozicionuar edhe kontenierët e barutit që u kontrolluan nga vetë Patrik Henri dhe mbikëqyrësi i tij. "Në shkurt 2008, amerikanët bënë një eksport nga Gërdeci.
Ndërsa, Patrik Henri pretendonte se në fund të marsit të bëhej heqja e dytë e barutit të sistemuar në Gërdec. Jam vënë në dijeni në atë kohë se ky eksport do të bëhej nga porti i Durrësit, ku do ankorohej një anije Izraelite që do ta dërgonte barutin në Belgjikë"- tha në fund të deklarimit të tij i pandehuri Dritan Minxholli.
Dëshmitari
Pango: Personat që numëronin dukeshin si të SHIK-ut
TIRANË- Dëshmitari i radhës në procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit ishte shtetasi Julian Pango, i cili gjatë dëshmisë së tij i cilësoi personat që numëronin arkat me fishekë dhe predha të njohur nga akuza si "grupi hije" si punonjës të SHIK-ut.
"Ishin disa persona që nuk bënin asgjë tjetër përveç se numëronin sa arka me municione dhe predha vinin e shkarkoheshin në fabrikë nga Ushtria. Ata nuk urdhëroheshin nga Dritan Minxholli dhe ne mendonim se janë punonjës të SHIK-ut.
Ata ishin rreth 6 veta, të cilët nuk para flisnin me asnjë tjetër përveç se me njëri-tjetrin"-tha Pango, duke iu referuar numëruesve të arkave që mes tyre ishte edhe baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha shtetasi Muhamet Hoxha që gjeti vdekjen nga ky shpërthim.
Ndërkohë, i pyetur nga njëri prej avokatëve nëse e bënte dot dallimin mes punonjësve të SHIK-ut dhe policisë ushtarake, dëshmitari Pango u shpreh "se nuk e bëj dot dallimin".
Më pas pranë togave të zeza dëshmuan edhe dëshmitarët Lulëzim Ziguri që pranoi se edhe herë tjetër kishte pas incidente me flakë në fabrikë, por, që ishin fikur me fikëse zjarri.
Gjithashtu, po dje dëshmoi edhe shtetasi Qani Aliu që konfirmoi të njëjtën gjë, që në fabrikë edhe herrave të tjera ka pas incidente me zjarr gjatë punës së demontimit të municioneve dhe predhave.
********************
Gjykata:
Oficerët dhe avokatët, më 8 shkurt në Gërdec
TIRANË- Gjatë seancës së djeshme pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet ka dëshmuar edhe shtetasi Haxhi Hoxha, i cili gjatë kohës së funksionimit të kësaj punishte kishte punuar në kohën e demontimit të predhave.
"Jam marrë me hapjen e arkave. Ditën e ngjarjes pamë flakë rreth 20 metra larg dhe ne ikëm. U dogja nga koka dhe pjesë të tjera të trupit. Atë ditë Qamil Deliu saldoi karrocën tek shtëpia dhe sapo u fut brenda në fabrikë karroca plasi flaka.
Kishte barut në shesh, nuk e di sa. Kur erdhi flaka isha përballë, karroca e dha flakën. Gjatë kësaj faze nuk ka pasur specialistë të huaj."-ka shtuar ndër të tjera dëshmitari Hoxha para gjykatës.
Duke qenë se në këtë pikë dëshmitarët përplasen me njëri-tjetrin nëse ishte apo jo karroca shkaku i tragjedisë, Gjykata urdhëroi që këtë të hënë (8 shkurt) në ora 11:00 oficerët e policisë gjyqësore në prani edhe të avokatëve të rikthehen në vendin e shpërthimit në Gërdec, për të bërë një riekspertim të materialeve të gjetura së fundmi për këtë pistë.