E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria e CEZ-it

Korporata shtetërore çeke, CEZ dyshohet se ka krijuar një grup paraushtarak që stërvitet si forcë ushtarake dhe që shërben si një polici për mbledhjen e faturave të dritave, njoftojnë mediet çeke.

Në kasetën që një avokat u ka dorëzuar medieve çeke, e cila është marrë në polici, shihen njësi paraushtarake që stërviten si ushtri.

Siç raporton “Actualne.cz”, politikanët çekë reaguan të habitur ndaj lajmit se kompania CEZ, e cila është një nga lojtarët më të rëndësishme në tregun evropian të energjisë, ka financuar dhe trajnuar prej vitesh një njësi speciale për ta përdorur kundër vjedhësve të energjisë”.

Ministri i Financave, Eduard Janota, pritet të merret në pyetje nga Parlamenti gjatë ditëve të ardhshme.

“Përdorimi i një grupi paraushtarak për të zbatuar ligjin është e papranueshme. Ne do të pyesim ministrin mbi këtë çështje”, deklaroi kreu i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Republikës Çeke, Jan Vidim. Njësia e njohur si seksioni i humbjeve joteknike u zbulua kur një avokat i dorëzoi medias vendase një kasetë filmike të marrë nga policia, ku shihen njerëz duke u stërvitur.

Kaseta i është sekuestruar njësisë nga policia. Aty shikohen punonjësit e CEZ-it, duke qëlluar me armë, duke u përgatitur për përleshje fizike dhe duke bërë kurs mbijetese për kushte ekstreme. Pjesë të tjera videosh paraqesin njësinë duke kontrolluar shtëpitë si një forcë e vërtetë komandosh.

Policia e Çekisë filloi hetimet kur u zbulua se kjo njësi ushtronte dhunë të tepruar psikologjike kundrejt konsumatorëve. Një pjesë e videos tregon se si një njeri kreu vetëvrasje gjatë një kontrolli të befasishëm të njësisë speciale në vitin 2005.

Ministri i Financave, Eduard Janota, tha se e “imagjinoj se CEZ-i mund të ketë një grup që përpiqet të zbulojë vjedhësit e energjisë”. Sipas tij, ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
“Nuk i njoh detajet e kësaj çështjeje. Në rast se informacioni del i vërtetë, do të diskutoj me menaxherët e CEZ-it”.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Martin Pecina, u shpreh me më shumë simpati për grupin paraushtarak: “Këta njerëz merren me tipa të këqij si kultivuesit e marijuanës. Gjithsesi nuk është e drejtë që i njëjti presion të ushtrohet edhe mbi njerëzit e zakonshëm”, tha ai.

Çështja tani pritet të shqyrtohet në gjykatë.

Në Çeki tregu i policive private dhe shërbimeve të sigurisë ka një numër më të madh të punësuarish sesa vetë policia çeke. Kreu i Bordit të mbikëqyrjes së CEZ-it, Marin Kocourek, thotë se nuk sheh asnjë problem në ekzistencën e seksionit të humbjeve joteknike. Ai thotë se çdo kompani energjetike ka një divizion të tillë.

“Besoj se edhe RWE apo E.ON nuk veprojnë ndryshe”, tha ai, duke përmendur dy nga kompanitë më të mëdha gjermane të energjisë elektrike.

Kompania çeke CEZ, më herët ka shprehur interesin për ta marrë projektin Kosova e Re, por është tërhequr më vonë për kritika rreth tenderit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›