Djala: Si u trukua me urdhër të Dukës Apolonia-Kastrioti
Artan Djala, presidenti i Kastriotit, ka vazhduar serinë e akuzave ndaj drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në fokusin e tij dje ka qenë përgjegjësi i arbitrave, Plarent Kotherja.
Sipas Djalës, shefi i arbitrave ka ndërhyrë te gjyqtarët e takimit Apolonia-Kastrioti, ndeshje e zhvilluar dy javë më parë, me qëllim që ata të favorizonin skuadrën fierake. “Ne e dimë tashmë se si ka funksionuar gjithçka për të na mundur në ndeshjen me Apoloninë. Kotherja, për të çuar në vend porosinë e Dukës, (presidenti i federatës), ka marrë në telefon gjyqtarët dhe i ka paralajmëruar që, nëse nuk donin të përfundonin si ish-shoku i tyre, duhet ta mbanin takimin vetëm për Apoloninë. Dhe jemi të bindur për këtë, sepse në pjesën e dytë, kapiteni i fierakëve, Shoshi, duhet të kishte dalë tri herë me karton të kuq. Goli i barazimit ishte krejtësisht faull dhe në të tilla kushte gjithçka po luhet kundër Kastriotit. Gjyqtarët e çuan në vend porosinë e Kotheres e Dukës dhe e mundën Kastriotin”, ka thënë presidenti i Kastriotit, Djala.
Por i pari i skuadrës krutane shkon edhe më andej, teksa thotë që po në atë ndeshje ka pasur ndërhyrje edhe të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për të mundur Kastriotin. “Gjika ka marrë në telefon ndihmëstrajnerin e Apolonisë, i cili më pas duhet të kapte dy anësorët nga Gjirokastra, të cilët duhet të mbanin anën e Apolonisë. Unë nuk e kuptoj, si nuk u kënaq Gjika me gjithçka që ka bërë kundër Kastriotit në këtë kampionat? Megjithatë, duke mbetur te ndërhyrja që ka bërë Kotherja te gjyqtarët, e theksoj edhe një herë se, bindemi që FSHF-ja nuk e do Kastriotin në Kategorinë Superiore. Ndaj ne do të çojmë në prokurori të gjitha bisedat telefonike që janë bërë mes përgjegjësit të arbitrave dhe gjyqtarëve të ndeshjes me Apoloninë. Sepse me dashje kanë mbajtur anën e fierakëve për të mundur Kastriotin”, ka përfunduar Djala.