Regjisori Tornatore:Festivalet? Si mbledhje lagjeje
alma mile
është absolutisht e rrallë që një regjisor, fitues “Oskarësh” të vijë në Tiranë. E aq më tepër nëse e dëgjon të flasë me një modesti të jashtëzakonshme, pa vetëmburrje, madje edhe me një ndjenjë të hollë humori. Dje, regjisori i madh italian, Giuseppe Tornatore, fitues i çmimit “Oskar” në vitin 1990 për filmin më të mirë të huaj me “Kinema Parajsën”, ishte në Tiranë. Vetëm pak orë. Por kaq mjaftoi për të sjellë një frymë tjetër, atë të artit të vërtetë. Në kuadër të stinës kulturore, “Italia e Albania 2010 - Due Popoli, Un Mare, Un Amicizia”, përgjatë tri ditëve në ambientet e Teatrit Kombëtar u shfaqën dy prej krijimeve të Tornatores, të cilët lidheshin në veçanti me Sicilinë. Kjo ishte edhe arsyeja pse kjo fundjavë, kushtuar regjisorit titullohej “La Cuna Del Sogno” - “La Sicilia Nel Cinema Di Tornatore” (“Djepi i ëndrrës-Sicilia në kinemanë e Tornatores”). Dhe kjo fundjavë kulmoi me ardhjen e vetë regjisorit, i cili dje, në orën 17:30 pati një takim me kineastë e studentë. “Jam i lumtur që jam në Tiranë, edhe pse për pak orë. Shumë shpejt do të largohem. Më kanë ftuar edhe dy herë të tjera në të kaluarën, pa mundur që të vij, për shkak të impenjimeve të mija, kësaj herë nuk bëra dot ndryshe, veçse të vija këtu. Dhe jam shumë i kënaqur nga pritja dhe nga afeksioni që publiku shqiptar po tregon karshi filmave të mi”, tha Tornatore. Ndërsa ende nuk kishin nisur pyetjet e para, regjisori bëri një parantezë se ai nuk kishte përgatitur asnjë fjalim dhe se nuk ishte i aftë të fliste për filmat e tij. “Nuk do të dija nga t’ia nisja. Nuk do të ishte në stilin tim. Unë di të bëj filma, por nuk mund të gjykoj mbi ta, sepse unë jam shumë i përfshirë në ta”. Dhe kjo jo thjesht dhe vetëm sepse Tornatore është një regjisor modest, por sepse në shumë prej filmave të tij ngre kokë toka e tij, Sicilia, në disa syresh i referohet të shkuarës së tij, qysh se ishte një fëmijë, që bënte ç’ishte e mundur të futej në një sallë kinemaje. E të pranishmit nuk kishin se si të mos e pyesnin për këtë fakt. Jo vetëm në të famshmin film “Nuovo Cinema Paradiso”, por edhe në disa të tjerë, do të ketë një episod që zhvillohet rreth kinemasë, apo në një sallë kinemaje. “Kur i kam bërë këta filma, nuk e kam menduar një gjë të tillë. Tek ‘Cinema Paradiso’, prania e kinemasë është më se e qartë. Ky ishte një motiv që më ndiqte pas që nga fëmijëria dhe kur njerëzit filluan të braktisnin sallat e kinemasë, mendova se ishte momenti i duhur t’u tregoja se ç’është një sallë kinemaje dhe se njerëzit bënin të pamundurën për t’u futur në një syresh. Jam shumë i lidhur me to, di aq shumë gjëra, sa që do të ishte e pamundur që t’i thosha të gjitha në të njëjtin film. Dhe në secilin prej tyre ka diçka të veçantë... Nuk e di, më pëlqen. është vendi i jetës sime”, shpjegon Tornatore, teksa shton se sa herë që mundet, ai mundohet ta përfshijë në film këtë pasion të madh të jetës së tij, por që ai e bën këtë në mënyrë të pavetëdijshme. Asnjëherë nuk niset për ta bërë një gjë të tillë, por ajo i vjen natyrshëm, sipas tij, këtë prani e vënë re më mirë studiuesit e kritikët. “Gjykimet e të tjerëve më ndihmojnë më mirë të kuptoj veten time, çka unë nuk e bëj dot vetë”, vazhdoi regjisori.
Sicilia
Duke qenë se filmat e shfaqur përgjatë tri ditëve lidheshin me Sicilinë, Giuseppe Tornatore, nuk mund t’u shpëtonte pyetjeve që lidheshin me të. “Vuajtja më e madhe për një sicilian është të kuptojë mundësitë e mëdha të kësaj toke dhe të konstatojë që në historinë e saj përsëriten ato situata që e kanë penguar që këto mundësi të shfrytëzohen. Nisa ta kuptoj duke parë përreth meje, qoftë edhe te publiku, që Sicilia do të mund të jetonte vetëm me anë të turizmit dhe kulturës, pasi i ka të gjitha këto mundësi, por s’ka qenë dhe s’ka për të qenë kurrë kështu”. Duke iu referuar eksperiencës personale, ai tha se ushtrimi i profesionit të tij ishte i pamundur në vendin e tij dhe sa herë që xhiron, e quan një privilegj. “Asnjë herë nuk do të mund t’ia shlyej dot botës faktin që më dha këtë mundësi”. Në lidhje me pyetjen se sa ka ndikuar eksperienca e tij personale, apo e ajo e Sicilisë në fatet e personazheve, në natyrën e tyre disi vetmitare, apo të izoluar, Trovatore tha se do të ishte gënjeshtar, nëse do të jepte një përgjigje të saktë. “Nga ajo pak që kam kuptuar nga jeta, nëse në personazhet e mi ekziston ky dimension izolimi, atëherë ai pa dyshim që ka lidhje edhe me mua. Ata që më njohin, më thonë se jam një tip i mbyllur, i vetmuar, ndoshta kjo është e vërtetë. Vitet gjatë së cilave rrita dëshirën për t’u marrë me kinema, kanë qenë vite vetmie, por jo në kuptimin e dhimbshëm, por të një inkubacioni, të diçkaje që po lindte dhe për të cilën unë nuk isha e sigurt. E ndoshta këtu buron ky fakt. Por nuk e ndjej se mund ta them. Të tjerët munden”. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndjenje trishtimi që shoqëron gjithë personazhet e tij, Tornatore ngul këmbë se finalja e shumicës prej filmave të tij ka një dritë shprese dhe besimi, madje edhe në ato raste, ku personazhet duken tërësisht të dështuar. “është si ajo miza e gjallë në kuti, tek ‘Baaria’, çka do të thotë se nuk është e mundur që gjithçka të mbarojë. Kjo është filozofia ime. Nëse jep gjithë veten tënde, atëherë mund të arrish ëndrrën. E nëse nuk e arrin ti, mund ta arrijnë fëmijët e tu. Ndoshta ky është mendimi im, sepse jam edukuar ta shoh gjysmën e gotës plot.
Festivalet
“Festivalet janë kthyer në mbledhje lagjeje”. Kështu u shpreh dje regjisori italian, Giuseppe Tornatore. Në lidhje me numrin e madh të festivaleve dhe të ndikimit që kanë në kinematografi, Tornatore u përgjigj duke treguar një rast personal. “Një drejtori festivali, që kërkonte me ngulm të më bindte të merrja pjesë në festivalin e tij, i thashë se nuk merrja pjesë, pasi nuk kishte më publik, por kolegë. Dhe kur e kam menduar më pas, më ka pëlqyer kjo shprehje. Tanimë raporti i atyre që bëjnë filma dhe publikut është shumë i ngushtë dhe duket sikur është një diskutim mes të afërmish dhe në këto raste diskutimi nuk është ndërtues. Duken më shumë si mbledhje lagjeje, ku ka zënka vazhdimisht”, tha Tornatore, teksa shton se gjithsesi, kjo nuk ndikon në krijimtarinë e regjisorëve, të cilët nuk krijojnë për t’u pëlqyer në festivale, ku në shumicën e herëve është përcaktuar qysh më parë se cili film do pëlqehet e cili jo, ku publiku nuk është i lirë të pëlqejë atë që pëlqen. “Mendimin e vërtetë e jep publiku i kinemasë, i cili nuk ka asnjë interes dhe nuk duhet t’i përgjigjet kujt. Fatkeqësisht, kemi më pak salla kinemaje gjithandej, por kjo nuk do të thotë se kinemaja është në krizë, përkundrazi, tani ka më shumë prodhimtari, por vetëm se kinemaja, nuk është më vendi ku mund të shohësh një film. Megjithatë salla e kinemasë është e vetmja që ofron një emocion të tillë, aq të madh”.
Krijimtaria
“Il camorrista” (“Kamorristi”) 1986
“Cinema Paradiso” (“Kinema parajsa”) 1989
“Stanno tutti bene” (“Janë të gjithë mirë”) 1990
“Il cane blu” (“Qeni blu”) 1993
“Una pura formalità” (“Thjesht formalitet”) 1994
“L’uomo delle stelle” (“Njeriu i yjeve”) 1995
“La leggenda del pianista sull’oceano” (“Legjenda e pianistit mbi oqean” 1998
“Malèna” 2000
“La sconosciuta” (“Epanjohura”) 2006
“Baarìa - La porta del vento” (“Baaria-Porta e erës”) 2008
“Djepi i ëndrrave”
Përgjatë tri ditëve, nga e premtja deri të dielën, u projektuan 4 filma të regjisorit Giuseppe Tornatore. “Nuovo Cinema Paradiso”, “L’Uomo Delle Stelle”, “Malèna” dhe “Baarìa”. Këto filma u shoqëruan nga disa dokumentarë të rrallë, që Tornatore ka drejtuar në fillim të viteve ’80, në periudhën që punonte për rrjetin e tretë të RAI-t. “La Cuna Del Sogno” - “La Sicilia Nel Cinema Di Tornatore” quhej aktiviteti, që solli ngjyrat e Sicilisë dhe lidhjen e regjisorit me të. Kjo retrospektivë u plotësua edhe nga ekspozita fotografike “Uno Sguardo dal Set” (“Një vështrim në sheshxhirim”, ku ofroheshin 90 fotografi nga sheshxhirimet e dhjetë filmave të tij, duke u ndalur në momentet më të rëndësishme, fytyrat, peizazhet, etj. Ekspozita ndahej në njëmbëdhjetë pjesë, një për çdo film me riprodhimin e manifestit origjinal dhe në fillim një seleksionim të fotografive të Tornatores në set. Aktiviteti mundësohej nga Fondacioni Bonino-Pulejo në Messina në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.