Interi fiton, Juventusi, lamtumirën Champions-it
Interi bën detyrën edhe ndaj Lacion duke shuar sërish shpresat e Romës për titullin. Zikaltërit fituan 2-0 ndaj Lacios falë golave të Valter Samuel dhe Tiago Motës. Dy javë para fundit të kampionatin skuadra e Murinjo shkon +2 pikë më shumë se verdhekuqtë e Klaudio Ranierit duke galopuar drejt titullit të pestë radhazi (2005-06, 2006-07, 2007-08, 2008-09) në kampionatin italian të futbollit. Por ndryshe nga sezonet e tjera këtë vit Interi është në finale edhe të kompeticionit më të rëndësishëm në Evropë, Kupa e Kampioneve duke pretenduar pas shumë vitesh dopietën. Barazimi 1-1 në Katania i ka nxjerrë bardhezinjtë e Torinos plotësisht jashtë objektivit të vetëm të mbetur në këtë sezon: vendit të katërt, për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Tashmë beteja për Champions-in mbetet mes dy rivalëve, Sampdorias dhe Palermos. Skuadra e Del Nerit nuk humbi rastin e artë për të marrë maksimumin përballë Livornos së rënë nga kategoria, duke fituar 2-0, por të njëjtën gjë e bëri edhe Palermo, që në Siena arrin një fitore të çmuar 2-1. Dy javë para fundit, distanca mes tyre është vetëm dy pikë. Fjalën e fundit do ta thotë sfida direkte në Palermo javën e ardhshme.