E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato, Kampion Bote konfirmon për herë të katërt titullin



Leonard Karaj

Kreshnik Qato ka mbrojtur për herë të katërt titullin e Kampionit të Botës në versionin WBF. Boksieri shqiptar ka mundur me pikë argjentinasin, Esteban Ponce.Nuk e ka pasur shumë të vështirë Qato që të mbrojë titullin e kampionit përderisa dominoi thuajse totalisht raundet në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme. Evenimenti sportiv i zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet i organizuar në mënyrë perfekte nga ana e Federatës Shqiptare të Boksit me president, Z.Ylli Ndroqi (njëkohësisht promotori i Kreshnik Qatos) dhuroi një natë të paharrueshme për të gjithë boksdashësit. Pas dy raundeve të para disi të ekilibruara, në të tretin ishte argjentinasi, Estaban Ponce që i tregoi “dorezat”, kampionit shqiptar. Por ky ishte momenti i vetëm dhe më i mirë për të, gjatë gjithë kësaj ndeshje. Pas atij raundi Qato reagoi menjëherë duke vënë veton në qendër të ringut. Raundet 6, 7, 8 ishin totalisht të boksierit shqiptar. E megjithatë argjentinasi, ndonëse mori shumë grushta nuk u rrëzua në tapet. Edhe në raundin e fundit, të 12-in kur Qato u vërsul me goditje të njëpasnjëshme, Ponce arriti të përballojë gjuajtjet duke e mbyllur këtë takim me humbje por pa rënë K.O. Vendimet e tre gjyqtarëve ishin thuajse unanime (118-109, 117-110, 118-109) në favor të Kreshnik Qatos, i cili në fund festoi së bashku me stafin e tij mbrojtjen e titullit. Vlen të theksohet se në arenën e boskit të instaluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” nuk mungonin as personalitete të sportit, por edhe të politikës në vend. Mes tyre edhe zv/kryeministri i vendit, njëkohësisht Ministër i Jashtëm, Ilir Meta si dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri. Ndeshja u trensmetua direkt nga televizioni “Ora News” si dhe “TV Klan”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›