E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia ngrin pensionet, ul pagat, merr 100 mld euro



Greqia ka pranuar një borxh të paprecedent nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar me vlerë më shumë se 100 miliardë euro, duke rënë dakord për shkurtime të forta në buxhet, të cilat sindikatat i kanë quajtur “të egra”. Masat e kursimit kanë vlejtur 30 miliardë euro, apo 13 për qind të GDP-së, dhe përfshijnë shkurtime pagash dhe tre vite ngrirje pensionesh, tha dje në Athinë ministri grek i Financave, Jorgo Papakonstantinu. Taksa kryesore e shitjeve në Greqi do të rritet nga 21 në 23 për qind. Shuma ekzakte e borxhit do të miratohet në takimin e ardhshëm të ministrave të Financës së eurozonës në Bruksel. Gjermania do të sigurojë 28 për qind të kontributit të Unionit. “Greqia do të mbrohet nga tregjet ndërkombëtare dhe do jetë e aftë të vendosë rregull në shtëpinë e saj”, tha Papakonstantinu. Ndërsa kryeministri Jorgo Papandreu tha se “evitimi i rrënimit është një linjë e kuqe për kombin” dhe marrëveshja do të kërkojë “sakrifica të mëdha nga grekët për të evituar katastrofën” deri në vitin 2012. Ligjvënësit evropianë po përpiqen të parandalojnë që mos-pagesat e Greqisë dhe kriza e saj fiskale të tregojë shenja të përhapjes në rajon. Marrëveshja, pas 10 ditësh bisedime dhe protesta, erdhi pasi investitorët nisën të spekulonin se Portugalia dhe Spanja mund të pësonin fatin e Greqisë. Takimi i ministrave të BE-së u zhvillua dje pasdite dhe në të mori pjesë edhe Kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet. Kancelarja e Gjermanisë, Anxhela Merkel ka deklaruar se masat e ashpra të kursimit që i janë imponuar Greqisë si kompensim për ndihmë financiare do të inspirojnë vendet e tjera problematike të eurozonës për të bërë krejt ç’është e mundur që të evitohen situata të ngjashme. “Ekspertët pajtohen se Portugalia, Spanja dhe Irlanda janë në situatë më të mirë se Greqia. Këto vende janë duke parë çfarë po ndodh në Greqi dhe se marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk është e lehtë”, tha Merkel. Borxhi financiar do të zgjasë tre vjet dhe do ta detyrojë Greqinë të shkurtojë deficitin e buxhetit të sajnën limitin e BE-së prej 3 për qind të GDP-së deri në fund të vitit 2014. Që do të thotë një vit më shumë nga limiti i planifikuar më parë. Qeveria greke tani pret që ekonomia të tkurret 4 për qind këtë vit dhe 2.6 për qind në vitin 2011, në vitin 2012 ekonomia parashikohet të zgjerohet me 1.1 për qind dhe kjo të dyfishohet në dy vitet e mëpasshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›