Djali gjen të asfiksuar prindërit, ngroheshin me qymyr
Një çift humbi jetën dje në Vlorë, i asfiksuar nga mangalli me qymyr në të cilin po ngroheshin. Tragjedia në familjen Bezani
Një çift nga “Lagjja e re” Patos është gjetur dje pa jetë nga djali i tyre. Ngjarja tragjike ka ndodhur në lagjen ‘24 maj’, në një banesë private në periferi të Çoles. Mësohet se viktimat janë Avni dhe Myzejen Bezani, përkatësisht 50 dhe 49 vjeç. Gjithçka mendohet të ketë ndodhur në mënyrë aksidentale. Çifti ka ardhur për të kaluar fundjavën te shtëpia e prindërve të gruas, si dhe kujdesur për shtëpinë që ka qenë vetëm. Nga të dhënat e para mendohet që dy personat të jenë asfiksuar nga përdorimi i mangallit me qymyr për ngrohje. Çifti është gjetur në gjendje të asfiksuar nga djali i tyre.
Bashkëshortët kanë ardhur në shtëpinë e njerëzve të gruas, pasi kujdeseshin edhe për shtëpinë, gjatë kohës që pronarët e saj kanë qenë në Itali. Ata kanë udhëtuar drejt Vlorës pasditen e së shtunës, ndërsa kanë përdorur mangallin për t’u ngrohur gjatë orëve të natës. Burime nga policia bëjnë me dije se ka qenë djali i tyre që i ka gjetur. Ky i fundit ka udhëtuar drejt Vlorës i shqetësuar se prindërit nuk u përgjigjeshin telefonatave. Bashkëshortët janë gjetur pa jetë, të asfiksuar nga gazrat e qymyrit që kanë përdorur për ngrohje. Aktualisht policia ka kryer gjithë procedurat për ngjarjen. Trupat janë përcjellë në morg, për t’u shoqëruar më pas drejt Patosit, qytetit ku bashkëshortët jetojnë. Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim për shtyp për ngjarjen, duke shpjeguar shkaqet e vdekjes që, sipas ekspertizës, rezulton të ketë ardhur nga asfiksia prej monoksidit të karbonit.