E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtohen nga flakët 5 fëmijë, zjarri shkrumbon shtëpinë

Fqinjët dhe zjarrfikësit nxorën të miturit nga flakët. Zjarri i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike

Gjirokastër – Zjarrfikësit dhe fqinjët kanë shmangur një tragjedi dje në mëngjes në Gjirokastër, duke u shpëtuar jetën 5 fëmijëve. Ndërsa një shkëndijë elektrike i ka dhënë flakën një banese dykatëshe, brenda saj fëmijët kanë qenë të izoluar, ndërsa fqinjët që kanë dalë në rrugë në ato momente kanë dëgjuar të qarat dhe thirrjet e tyre plot frikë. “Kur hymë në dhomën e katit të parë të tre vogëlushët ishin mbledhur së bashku të trembur nga flakët dhe tymi”, tregon një nga vullnetarët që ndihmoi në shpëtimin e të miturve. Ka qenë pikërisht ndërhyrja në kohë e efektivave zjarrfikës, policisë dhe banorëve të zonës që ka shpëtuar jetën e pesë fëmijëve.

Në momentin e rënies së zjarrit të 5 fëmijët ndodheshin vetëm në banesë dhe pa prindërit e tyre. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, vatra e zjarrit është regjistruar mëngjesin e së dielës në banesën e gurtë dykatëshe në pronësi të Edmond Rrapos, në lagjen “Manalat”, të qytetit të Gjirokastrës. “Rreth orës 07.20 të mëngjesit të së dielës, ne morëm informacion për zjarrin e rënë në një shtëpi në lagjen “Manalat“, ndërkohë që për në vendngjarje u nisën menjëherë dy patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër”, thonë burimet policore. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivat zjarrfikës dhe ata të policisë kanë konstatuar se zjarri kishte përfshirë një banesë të gurtë dykatëshe.

Në katin e parë të saj jetonte me qira familja e Petraq Memës, nga Tepelena, me pesë pjesëtarë, ndërkohë që në katin e dytë banonte pronari i shtëpisë, Edmond Rrapo, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijë. “Situata e këtij zjarri ishte problematike, pasi në ato momente në të dyja familjet mungonin prindërit, ndërkohë që të pesë fëmijët ndodheshin vetëm në shtëpi”, thotë një efektiv zjarrfikës. Ndërsa flakët po përpinin të dy katet e shtëpisë, punonjësit e policisë, efektivat zjarrfikës si dhe banorët e zonës kanë depërtuar në brendësi të shtëpisë, duke arritur të nxjerrin shëndoshë e mirë të pesë fëmijët. “Ndërsa shikoja flakët që përpinin shtëpinë dhe klithmat e fëmijëve që vinin nga brenda saj, nuk mund të qëndroja indiferent. Së bashku me disa policë dhe zjarrfikës hyra brenda në shtëpi. Mes tymit dhe blozës vura re se në katin e parë ndodheshin tre fëmijët e familjes Mema”, thotë një banor i lagjes ‘Manalat’.

“Në momentin që ne hymë në dhomën e katit të parë të tre vogëlushët ishin mbledhur së bashku të trembur nga flakët dhe tymi”, vijon të rrëfejë banori minutat e shpëtimit të fëmijëve. Me një batanije që gjetën në dyshemenë e dhomës ata mbështollën të tre fëmijët dhe duke i mbrojtur nga tymi dhe flakët i nxorën në oborrin e shtëpisë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe një grup zjarrfikësish, policë dhe banorë të lagjes me dy fëmijët e familjes Rrapo, që ndodhin në katin e dytë të banesës, duke arritur t’i nxjerrin jashtë shtëpisë pa u lënduar nga flakët. Paralelisht me veprimet për shpëtimin e 5 fëmijëve, dy automjete zjarrfikës së bashku me efektivat përkatës kanë punuar për shuarjen e zjarrit në shtëpinë e gurtë dykatëshe. Pas gati një ore është bërë i mundur lokalizimi i flakëve dhe shuarja e zjarrit, duke shmangur kështu edhe rrezikun që përbënin flakët për shtëpitë e tjera që ndodhen në këtë zonë të qytetit. Sipas grupit hetimor, prindërit e të dy familjeve ishin larguar nga shtëpia duke lënë fëmijët vetëm në banesë, pasi bashkëshortët Mema kishin shkuar në punë, ndërkohë që çifti Rrapo ndodhej jashtë rrethit të Gjirokastrës për arsye familjare. Mbi bazën e provave të mbledhura, ekspertët konstatuan se zjarri është shkaktuar një shkëndijë elektrike, si shkak i amortizimit të rrjetit të brendshëm elektrik të banesës. “Zjarri ka nisur nga kati i parë, nga brendësia e banesës ku banonte familja e Petraq Memës, dhe më pas ka përfshirë të dy katet e shtëpisë”, thonë burime në grupin hetimor në lidhje me shkaqet e zjarrit, i cili rrezikoi seriozisht jetën e pesë fëmijëve. B. Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›