E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora do ta gdhijë për përvjetorin e 99-të të Flamurit

Festë në rrugë, koncerte dhe Natë të Bardhë në qytetin ku u firmos Pavarësia. Zhvillohet edhe Kupa e Pavarësisë, me ekipe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia

Vlora është veshur e gjitha me atmosferën e festës së pavarësisë, ndërsa është bërë gati ta gdhijë në një Natë të Bardhë në nder të Flamurit. Flamujt valëviten jo vetëm në rrugë dhe sheshet kryesore, por edhe në gjithë qytetin. Në ballkone, njësi biznesi, apo hapësira private qytetarët kanë vendosur flamurin, duke krijuar një dekor të rrallë. Një axhendë të pasur aktivitetesh ka propozuar bashkia Vlorë, të cilat janë afishuar në disa pika të dukshme të qytetit. Qyteti ndërkohë pret qindra vizitorë nga Shqipëria, por edhe Kosova, që zgjedhin vendin e shpalljes së pavarësisë për ta festuar atë. Ajo që bie në sy është angazhimi i thuajse gjithë sektorëve të kulturës dhe sportit për këto aktivitete. Ato kanë nisur prej datës 25 me panairin e librit të autorit vlonjat, disa ekspozitave të piktorëve vlonjatë, ekspozitë vlerash kulturore, veshjesh e traditash në stendat e muzeut etnografik. Me mjaft interes u prit festivali i isopolifonisë, edicion ky i 10-të. Shumë grupe polifonike kanë qenë pjesë e këtij festivali zhvilluar përgjatë dy ditëve.

Festimet do të kulmojnë ditën e sotme, ndërsa pritet që mjaft personalitete të vizitojnë Vlorën. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të urojë nga Vlora Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Më datën 28 nëntor ai do të jetë pjesë e festimeve në përkujtim të 99-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë, duke marrë pjesë në ngritjen e flamurit në sheshin me të njëjtin emër.

Dita në fjalë do të ketë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh nga bashkia Vlorë, për nder të festës kombëtare, të cilat synojnë të jenë gjithëpërfshirëse. Një marshim me flamuj do të jetë pjesë e aktivitetit "rruga me flamurë", ndërsa ceremonitë zyrtare do të vijojnë në Sheshin e Flamurit në ora 10, kupa e Pavarësisë do të zhvillohet të hënën në stadiumin ‘Flamurtari’ me ekipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa në disa pika të qytetit do të ketë koncerte.

Shumë grupe nga Kosova kanë shfaqur interesin për të qenë pjesë e këtyre aktiviteteve, për të qenë prezent në Vlorë Ditën e Pavarësisë. Për herë të parë në Vlorë do të zhvillohet edhe Nata e Bardhë, një iniciativë e një grupi të rinjsh, mbështetur nga bashkia Vlorë.

Organizohet në Vlorë Festivali Folklorik Kombëtar i Polifonisë, edicioni i 10-të

Festivali është zhvilluar në sallën e Pallatit të Kulturës “Labëria” gjatë dy netëve, 25-26 nëntor 2011, ku është ndjekur nga afër nga artdashës vlonjatë, po edhe shumë grupe kosovare e maqedonase, që ndodhen në Vlorë për të kremtuar Festën e Pavarësisë. Në natën e parë të festivalit konkurruan 9 grupe polifonike nga Vlora dhe komunat e saj, si dhe nga qytete të tjera të jugut të vendit. Nëntë grupet e tjera kanë konkurruar në natën e dytë të festivalit, që nga Delvina, Tepelena, Vlora, Ura Vajgurore, Gramshi, Mallakastra e deri te grupi i Ladorishtit të Strugës në Maqedoni, ku dominonin këngët patriotike kushtuar 99-vjetorit të Pavarësisë, Ismail Qemalit dhe figurave të tjera emblematike të saj. Në përfundim, juria e përbërë nga etnomuzikologu i njohur Ermir Dizdari, rapsodi Feti Brahimi, dhe drejtuesi Kozma Billa, kanë shpallur fituesit. Me Çmimin e Madh “Haxhi Dalipi” u nderua grupi polifonik “Jehona Labe” i Vlorës. Në këtë festival përshëndetën grupe nga Fushë-Kosova dhe Ulqini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›